PD: Deputeti socialist fitoi tenderin për shkollën e Maqellarës

Shqipëria

PD: Deputeti socialist fitoi tenderin për shkollën e Maqellarës

Më: 25 gusht 2016 Në ora: 14:21
Ina Zhupa

Partia Demokratike ka vijuar sërish me akuzat ndaj deputetit të Partisë Socialiste, Sadri Abazi për tenderat që përfiton kompania e tij “Alko Impex”.

Në një deklaratë për mediat, zëdhënësja e PD-së Ina Zhupa, deklaroi se kompania e deputetit Abazi ka përfituar tenderin 790 milionë Lekë për të ndërtuar shkollën në Maqellarë.

Nga selia blu, Zhupa akuzoi kreun e qeverisë, se zgjedh ti shpërdoroj paratë e qytetarëve duke ja dhënë oligarkut të tij me mision të veçantë.

Deklarata e zëdhënëses së PD Ina Zhupa: 

Nuk ndalen tenderat që Edi Rama ndan mënjanë për oligarkun e tij Sadri si këste për blerjen e votës në Dibër dhe pasurimin e tyre të metejshëm.

Çdo tender është i vlefshëm për të marr copën e radhës nga paratë e shqiptarëve për interesat klienteliste e të mbajtjes së pushtetit me çdo kusht.

Sadriu i Ramës ka kapur së fundmi tenderin për ndërtimin e shkollës në Maqellarë, me vlerën totale prej 790 milionë lekësh.

Edhe kësaj radhe si përherë me tenderat e Ramës për Sadriun fiton oferta më e lartë, e kompanisë së tij “Alko Impex”, me diferencë me ofertën më të ulet me 98 milion lek.

98 milion lek më shumë që i jepen njërit prej të dërguarve me punë votash në Dibër, Sadriut, në kurriz të qytetarëve. Me këto para që ju përkasin qytetarëve mund të ishin paguar 1430 pagesa papunësie për dibranët, mund të kishin një punë me page minimale 445 pjesëtarë të familjeve dibrane. Me këto para mund ti merrnin pensionin e tyre për një jetë me pak më shumë dinjitet 652 pensionist në qytet dhe 1186 pensionistë në fshat.

Por jo, asgjë nga këto nuk ndodh sepse Rama zgjedh ti shpërdoroj paratë e qytetarëve duke ja dhënë oligarkut të tij me mision të veçantë.

Ndërsa qytetarët do zgjedhin shumë shpejt që të përdorin votën e tyre për të larguar nga pushteti në Dibër e më pas në gjithë Shqipërinë të gjithë Ramët dhe Sadritë e tyre.

Shqipëria do jetë më mire pa Edi Ramën.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat