Bushati në forumin ekonomik, fton kinezët të investojnë në “Korridorin Blu”

Shqipëria

Bushati në forumin ekonomik, fton kinezët të investojnë në “Korridorin Blu”

Më: 25 gusht 2016 Në ora: 12:14
Ministri i Punëve të Jashtme Ditmir Bushati

Ministri i Punëve të Jashtme Ditmir Bushati, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në Republikën Popullore të Kinës, me ftesë të Ministrit kinez të Punëve të Jashtme Wang Yi, çeli, dje, në selinë e Ambasadës së Shqipërisë në Pekin, forumin e bashkëpunimit ekonomik “Shqipëri-Kinë, miqësi e vjetër, partneritete të reja”.

Në këtë forum merrnin pjesë sipërmarrje të mëdha kineze që operojnë tashmë ose kanë shprehur interesin e tyre për t’u futur në tregun shqiptar.

Një ndër objektivat kryesore të vizitës së kryediplomatit shqiptar në Kinë është promovimi i Shqipërisë si një vend që ofron mundësi për investitorët kinezë.

Takimi me bizneset kineze, në të cilin mori pjesë edhe Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës Nikolin Jaka, ishte një mundësi për të diskutuar mbi transformimin e rëndësishëm ekonomik të vendit tonë, përpjekjet e realizuara deri më tani për stimulimin e sektorëve prioritarë si turizmi, bujqësia, manifaktura dhe energjia, si edhe hartimin e legjislacionit favorizues për investimet në sektorët strategjikë.

“Pavarësisht këtyre zhvillimeve pozitive jemi të vetëdijshëm se ekonomitë e vendeve si Shqipëria janë ekonomi me tregje të vogla dhe si të tilla e kanë të vështirë të konkurrojnë të vetme në tregjet rajonale e ato globale. Në këtë kontekst, unë mund t’ju them se edhe në kuadër të një procesi shumë të fuqishëm në të cilat janë kyçur vendet e Ballkanit Perëndimor, siç njihet ndryshe procesi i Berlinit, iniciativë e kancelares Merkel për të grupuar së bashku 6 vendet e Ballkanit Perëndimor, sot ne kemi rënë dakord për një hartë lidhëse të të gjithë rajonit dhe e kemi të qartë se si duket dhe si do të jetë rajoni ynë deri në vitin 2020-2030 nga pikëpamja e ndërlidhshmërisë. Këtu i referohem korridoreve qendrore të infrastrukturës që do të lidhin portet, aeroportet dhe pikat kryesore të ekonomisë në vendet e Ballkanit Perëndimor”, u shpreh Ministri Bushati.

Ai ftoi sipërmarrjet kineze të marrin pjesë, në kuadër edhe të Nismës Kinë-Vende të Evropës Qendrore dhe Lindore  16+1, në projekte si përfundimi i autostradës Adriatiko-Joniane, e quajtur ndryshe “Korridori Blu”, i cili do t’i jepte një dimension të rëndësishëm unazës së turizmit mesdhetar dhe zhvillimi i rrjetit hekurudhor, projekte që do të afronin distancat mes vendeve dhe lehtësonin të bërit biznes, duke grupuar ekonomitë e rajonit në një të vetme.

Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës Nikolin Jaka, në fjalën e tij, u ndal te klima e të bërit biznes në Shqipëri dhe sa tërheqëse është ajo për investitorët e huaj duke nënvizuar reformat ligjore, rregullatore dhe fiskale të ndërmarra nga qeveria shqiptare në këtë drejtim. Në këtë kontekst, Ministri Bushati dhe delegacioni zyrtar që e shoqëron vizituan edhe Zonën e Zhvillimit të Teknologjisë së Lartë të Tianjin-it.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat