Bushati: Një shqiptar I vdekur dhe shtatë të plagosur nga tërmeti në Itali

Shqipëria

Bushati: Një shqiptar I vdekur dhe shtatë të plagosur nga tërmeti në Itali

Më: 24 gusht 2016 Në ora: 22:15
Tërmeti në Itali

Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati, ka njoftuar përmes Facebook-ut se ministria që ai udhëheqë, është informuar se ka humbur jetën një shqiptar në njërën prej zonave të goditura nga tërmeti në Itali.

Bushati thotë se bëhet fjalë për shtetasin shqiptar Erjon Toro, ndërsa ka bërë të ditur se shtatë shqiptarë të tjerë janë plagosur.

“Në vijim të ndjekjes së situatës emergjente nga ambasadorja dhe stafi i ambasadës që ndodhet në zonat e goditura nga tërmeti, jemi informuar me trishtim të thellë, se shtetasi shqiptar Erjon Toro ka humbur jetën. Gjithashtu, jemi bërë me dije se numri total i shtetasve shqiptarë të plagosur arrin në shtatë vetë”, ka shkruar Bushati.

Në vijim Bushati bën prezent situatën, ku pohon se “Nga kontaktet që ambasada jonë në Romë po mban në mënyrë të vazhdueshme me autoritetet italiane dhe shtabet e krizës, bëhet e ditur se në spitalin Gemelli të Romës ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore shtetasit shqiptarë të mëposhtëm: Xhesika Hasani, Sara Hasani, Romina Duro, Lori Duro, Hatixhe Hasanaj. Në spitalin e Rietit ndodhet jashtë rrezikut për jetën shtetasja shqiptare me inicialet, Xh.T. Ndërsa, në spitalin e l’Aquilas ndodhet në një gjendje më të rëndë shtetasja shqiptare me inicialet, E.T”

Po ashtu, Bushati ka shprehur ngushëllimet më të thella familjes së viktimës dhe uron në shërimin e shpejtë të të plagosurve.

“Sa më sipër, ambasada e Republikës së Shqipërisë në Romë, vazhdon të jetë e angazhuar duke ndjekur hapë pas hapi në terren, si dhe në koordinim të plotë me autoritetet italiane dhe për t’i ardhur në ndihmë qytetarëve shqiptarë të plagosur. MPJ do të vijojë të informojë opinionin publik mbi ecurinë e situatës”, ka shkruar Bushati.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat