“Drejtësia” kongresmeni McCaul i çon letër Metës: Reforma do shërbejë si themel për të ecur para

Shqipëria

“Drejtësia” kongresmeni McCaul i çon letër Metës: Reforma do shërbejë si themel për të ecur para

Më: 24 gusht 2016 Në ora: 15:26
Ilir Meta, Michael McCaul

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta mori një mesazh për miratimin e Reformës në Drejtësi nga Kryetari i Komisionit të Sigurisë Kombëtare në Kongresin Amerikan, kongresmeni Michael McCaul.

Në një mesazh drejtuar Kryetarit të Kuvendit, Meta, Kryetari i Komisionit të Sigurisë Kombëtare në Kongresin Amerikan, kongresmeni Michael McCaul shpreh vlerësimin e tij për Kryetarin Meta dhe Kuvendin e Shqipërisë për miratimin e suksesshëm të Reformës në Drejtësi.

Kryetari McCaul vlerëson se lidershipi dhe integriteti i demonstruar nga Kryetari i Kuvendit përgjatë gjithë këtij procesi ishte instrumental në bashkimin e palëve për ta shndërruar këtë në një moment historik për Shqipërinë.

“Si një ish-prokuror federal, unë besoj fuqimisht se sundimi i ligjit duhet të shërbejë si një gur themeli në çdo shoqëri demokratike dhe duhet të mbështetet mbi besimin, llogaridhënien dhe barazinë përpara ligjit, duke nisur nga nivelet më të larta të qeverisjes deri te profesionalizmi i zyrtarëve të zbatimit të ligjit. Gjithashtu, shpreh besimin se reforma e sapomiratuar në drejtësi do të shërbejë si një themel i qëndrueshëm mbi të cilin vendi juaj mund të vazhdojë të ecë përpara dhe mirëpres krijimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit në Shqipëri sipas modelit të Byrosë Federale të Hetimit në SHBA, si një tregues i rëndësishëm i vendosmërisë së Shqipërisë në rrugën e reformave”, shkruan në mesazhin e tij McCaul.

Kryetari McCaul thekson se si dy vende anëtare të NATO-s, SHBA dhe Shqipëria duhet të punojnë së bashku për t’u përballur me çështje me interes reciprok, sikurse është lufta kundër ekstremizmit të dhunshëm. Adresimi i këtyre çështjeve pa partneritet nuk është një opsion, prandaj mirëpres angazhimin dhe bashkëpunimin e mëtejshëm mes dy vendeve tona.

Kryetari McCaul përfundon mesazhin e tij, duke theksuar se “ju keni një mik dhe partner në Kongresin e Shteteve te Bashkuara, i vendosur për mirëqenien e dy vendeve tona. Përgëzime për një punë të kryer mirë”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat