Beteja për Dibrën, përplas dy Rama-t për Rrugën e Arbrit

Shqipëria

Beteja për Dibrën, përplas dy Rama-t për Rrugën e Arbrit

Më: 24 gusht 2016 Në ora: 10:31
Edi Rama e Luan Rama

Prezantohet zyrtarisht kandidati i së majtës për bashkinë e Dibrës. LSI, nëpërmjet Luan Ramës, i kujton kryeministrit që të ndërtojë rrugën e premtuar. Kundërpërgjigja: Nuk iki nga zyra e kryeministrit pa e kryer

“Rama për Dibrën”, ishte ky slogani i mitingut të djeshëm i mbajtur për prezantimin e kandidatit socialist për bashkinë e këtij qyteti. Ky slogan personifikonte, mbase, dhe një paralelizëm mes kryeministrit Edi Rama dhe rivalit socialist për bashkinë e Dibrës.Vetë numri një i qeverisë shqiptare ishte në prezantimin e kandidatit të ASHE-së, Muharrem Rama. Në këtë event elektoral, LSI-ja përfaqësohej me sekretarin e Përgjithshëm, Luan Ramën. Kjo prezencë shihej dhe si një rikonfirmim se dy aleatët natyralë të koalicionit të majtë janë bashkë në garën për bashkinë e Dibrës. Por mes tyre, PS-së dhe LSI-së, nuk kanë munguar batutat e thumbimet, për sa i përket ndërtimit të Rrugës së Arbrit.

Thumbimi i LSI-së 

Sekretari i Përgjithshëm i LSI, Luan Rama në fjalimin e tij konfirmoi funksionimin e “Aleancës për Shqipërinë Europiane”. Deputeti i LSI-së tha se ky koalicion do të vazhdojë deri në përmbushjen e misionit që është ai i integrimit të Shqipërisë. “ASHE është funksionale dhe do të jetë funksionale deri sa të përmbushet misioni i integrimit të Shqipërisë. Dimë të reflektojmë dhe të korrigjojmë gabimet në të mirë të Shqipërisë.

Këto votime janë një moment reflektimi me shumë përgjegjësi për të zgjedhur me mendje dhe me zemër. Le të votojmë Muharrem Ramën për të fituar Dibrën dhe të nesërmen e saj”, theksoi zyrtari i LSI-së. Më tej nuk harroi ti kërkonte kryeministrit rrugën për të cilën e ka premtuar, atë Arbrit. “I bashkohem zërit të dibranëve, zoti kryeministër ndërtoje Rrugën e Arbrit, sepse është një nder që e meriton Dibra, sepse është një detyrim që e kemi ndaj Dibrës. Në 25 vjet kemi premtuar për Rrugën e Arbrit, por nuk kemi bërë gjë. Demi mbahet për brirësh, ndërsa burri mbahet nga fjala. Prandaj, mbaj fjalën e dhënë dibranëve për ndërtimin e rrugës dhe do ta shohësh që Dibra do të jetë gjithmonë e majtë”, u shpreh Luan Rama.

Kundërpërgjigja e kryeministrit 

Kryesocialisti është gjendur i surprizuar mbase nga kërkesa e drejtpërdrejt e aleatit të tij për mbajtur premtimin për ndërtimin e rrugës, e në fjalimin e tij është detyruar të japë dhe shpjegime për mos mbajtjen e tij, e kjo për shkak të borxheve të shumta që i ka lënë qeverisja e PD-së. “Ditën që do lodhem me problemet e pafundme të Shqipërisë që kemi trashëguar, unë sigurisht që nuk do marr rrugën për të shkuar asgjëkund, përveçse në shtëpinë time, bashkë me Lindën, Zahon dhe me kalamajtë e tjerë. Për sa i takon Rrugës së Arbrit, Rama (Luan Rama) tjetër tha një fjalë shumë të vërtetë, që në 20 e ca vjet, të gjithë e kemi premtuar dhe nuk e kemi bërë. Unë e kam premtuar, por akoma nuk mund të thoni që nuk e kam bërë. Sigurisht, unë kam barrën që të bëj gjërat që dëshirojnë të gjithë partnerët e koalicionit, - kjo është detyra ime dhe unë nuk ankohem për këtë detyrë, sepse e kam marrë me dëshirë dhe vullnet të madh, - por unë po ju them këtu, që unë nuk do të largohem nga zyra e Kryeministrit, pa bërë Rrugën e Arbrit, iu kundërpërgjigj kryeministri.

Kryesocialisti ka vlerësuar rivalin demokrat për bashkinë e Dibrës, por ka shtuar se është i lodhur dhe duhet të dalë në pension. “Më bëri përshtypje dikush atje, që më përshëndeti me dy gishta dhe thashë shumë faleminderit, sepse këtu nuk është vetëm PS-ja, LSI-ja, PDIU-ja, por janë edhe demokratët, e ardhur për të mbështetur Ramën e duhur për Dibrën. Kështu që i ftoj edhe nga këtu, të gjithë ata simpatizantë të Partisë Demokratike, mbështetës dhe votues të PD-së, që mes një burri të mirë, por të lodhur, që është momenti të dalë në pension dhe një kandidati që është këtu në mesin tuaj, të gjithë së bashku të zgjidhni Muharrem Ramën. Dibra nuk është vendi i duhur për t’u kthyer, për të dalë në pension”, shtoi kryeministri.

Basha: Koha e Ramës ka mbaruar 

Pas mbylljes së mitingut të socialistëve ka ardhur në mënyrë të menjëhershme reagimi i kryetarit të PD-së, Lulzim Basha. Sipas tij, Rama u braktis totalisht nga dibranët dhe se ai nuk do të arrijë të ndërtojë asnjë kilometër rrugë. “Do të mbahet mend se në Dibër, Rama mbajti fjalimin më të shkurtër të jetës së tij. Dhe kjo, për një fakt të thjeshtë, s'kishte çfarë të thoshte. S’ka mbajtur asnjë premtim dhe këtë dibranët nuk ia harrojnë. S’ka bërë asnjë investim dhe këtë dibranët e shikojnë. Jua ka bërë jetën më të vështirë e të pasigurt dhe këtë dibranët e ndiejnë në kurriz. 3 vjet e gjysmë më parë mbolli rrenën e Rilindjes në Dibër dhe sot ishte dita e të korrave: Braktisja totale. Braktisje nga dibranët, braktisje nga të majtët, braktisje edhe nga socialistët e tradhtuar dhe të shitur toptan nga ai tek bandat e krimit dhe te drogës që ka sjellë në Dibër. Rama nuk do të arrijë të bëjë asnjë kilometër rrugë siç nuk ka bërë as edhe një në 40 muaj. Së pari, sepse nuk ka prioritet qytetarët, zhvillimin e vendit. Paratë për vete e për miqtë, janë e vetmja formë e qeverisjes se tij. Së dyti, sepse koha e Ramës ka mbaruar. Ka vjedhur, poshtëruar, varfëruar, sunduar shqiptarët e dibranët që ditën e parë, e tani ka ardhur fundi”, shkruan Basha në Facebook.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat