Vetingu bashkon PS e LSI

Shqipëria

Vetingu bashkon PS e LSI

Më: 24 gusht 2016 Në ora: 10:30
Komisioni i Reformës në Drejtësi

Projektligji  “Për rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve” vijon të jetë “molla e sherrit” mes opozitës dhe maxhorancës sa i përket reformës në drejtësi. Konsensusi i arritur më 22 korrik mes palëve është thyer në mbledhjen e djeshme të Komisionit të Posaçëm të reformës në drejtësi. Maxhoranca miratoi dje në parim vetëm me votat e saj draftin e “Vetting”-ut, por nuk pranoi 47 amendamentet e Partisë Demokratike vetëm për 25 nenet e parë të projektligjit. Ky ka qenë edhe shkaku që opozita të mos ta votojë draftin. Në këtë mbledhje u vu re edhe ndryshimi i kursit të Lëvizjes Socialiste për Integrim, e cila ndryshe nga çfarë ishte shprehur më herët për miratimin me konsensus, ajo bashkoi votat me PS-në duke votuar në parim projektligjin.

LSI, duket se nuk do të kushtëzojë në vijim votën e saj në gjetjen e një konsensusi me opozitën ashtu siç bëri me draftin kushtetues të 21 korrikut ku me këmbënguljen e saj u arrit unanimiteti i 140 votave në Kuvend. Burime për “Shekulli”-n shprehen se mbledhja ka qenë e tensionuar dhe ndasitë e palëve u vunë në dukje në përfundim të mbledhjes së Komisionit të Posaçëm Parlamentar të reformës. Në përfundim të mbledhjes, anëtari i majtë i Komisionit, Pandeli Majko, tha se u kishim premtuar ndërkombëtarëve që do të pranonim gjithçka dhe kështu vepruam. “Shteti shqiptar në procesin e ‘Vetting’-ut ka pranuar në mënyrë kushtetuese praninë e një pale ndërkombëtare.

Ne i kërkuam mirëkuptim kolegëve të opozitës. Ne do të pranonim gjithçka që do të ofronin ndërkombëtarët dhe  janë miratuar të gjitha komentet e EURALIUS-it dhe OPDAT-it”, tha Majko. Por, përfaqësuesi i PD-s, Oerd Bylykbashi u shpreh se drafti që u miratua dje pa votat e opozitës devijon nga Kushtetuta dhe është larg projektligjit të 22 korrikut, për të cilin palët kishin rënë dakord.

Opozita tërhiqet nga roli i ILDKPI-së

Ekspertët e misionit të BE-së EURALIUS kanë bërë sot në Komisionin e Posaçëm të reformës në drejtësi propozimet e tyre mbi amendamentet e PD-së për projektligjin e “Vetting”-ut, ku bie në sy reflektimi vetëm mbi 20 nga 25 që kishte paraqitur opozita. PD-ja ka paraqitur një version të ri të “Vetting”-ut me 25 nenet e para të riformuluara dhe të shoqëruara me 47 amendamente. Në këtë version të ri bie në sy që PD-ja është tërhequr nga kërkesa për përjashtimin e ILDKPI-së nga hetimi i pasurisë së gjyqtarëve dhe prokurorëve. Sipas draftit të EURALIUS-it parashikohen ndryshime në nenin 4 për procesin e rivlerësimit të gjyqtarëve, ku “Periudha e rivlerësimit” është periudha e punës së subjektit. Ndërkohë, sipas draftit të PD-së përfshihen në gjykim të gjithë prokurorët dhe gjyqtarët, një draft ky që është i ndryshuar nga drafti origjinal i ndërkombëtarëve.

Sa i përket përgjimit të telekomunikacioneve, në draft-propozimet e PD-së thuhet që ai të bëhet nga Byroja Kombëtare e Hetimit. Sa i përket Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, PD-ja i ka qëndruar versionit të ekspertëve ndërkombëtarë, vetëm se ka shtuar se ky organ duhet t’i dërgojë Kuvendit vlerësimin e arsyetuar për kandidatët. Kjo risi shprehet në amendamentin 11 për nenit 7. Në amendamentin 9 të nenit 6, PD ka vendosur kriter moshën për njerëzit që do bëjnë vlerësimin. Në draftin e EURALIUS-it mosha e zyrtarëve që do të bëjnë rivlerësimin  do të jetë jo më shumë se 65-vjeç, ndërkohë që PD-ja propozon në draftin e saj që mosha të jetë jo më shumë se 60-vjeç.

PD-ja kërkon të fusë në lojë Sekretarin e Përgjithshëm të Presidentit

Në draftin e saj, në amendamentin 1 të nenin 16 PD –ja cakton afate kohore për Presidentin në shqyrtimin e kandidaturave për anëtarë të “Vetting”-ut dhe fut në lojë Sekretarin e Përgjithshëm të Presidentit. “Një Komision i përbërë nga të paktën tre përfaqësues të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit vlerëson kandidatët për përmbushjen e kushteve dhe kritereve të përcaktuara në këtë ligj. Vlerësimi kryhet nëpërmjet verifikimit të dokumentacionit që ndodhet në dosjen individuale të kandidatit të përcjella nga Sekretari i Përgjithshëm i institucionit të Presidentit të Republikës sipas paragrafit 7 të nenit 14 të këtij ligji, si dhe informacioneve zyrtare apo dokumenteve zyrtare që disponohen apo sigurohen prej vetë Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit”, thuhet në amendamentin 1 të nenit 16 të propozuar nga opozita. Po ashtu, PD  heq nenin 25 për rrogat e anëtarëve dhe këshilltarëve të “Vetting”-ut, ndërkohë që shton nenin 4 të ri plotësisht mbi subjektet e rivlerësimit. Në këtë nen flitet për subjektet e rivlerësimit, ku në këtë listë përfshihen sipas draftit, gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese, Prokurori i Përgjithshëm. Në pikën 3 të nenit, thuhet se “e humbasin të drejtën e rivlerësimit dhe përjashtohen nga procesi menjëherë të gjithë ata që janë shkarkuar nga detyra me vendim përfundimtar ose kanë dhënë dorëheqjen”.

PD-ja kërkon afate të reja

Përveç shtesave, një tjetër pikë ku opozita kundërshton draftin e ekspertëve të EURALIUS-it dhe OPDAT-it është edhe periudha e rivlerësimit të kandidatëve. Sipas ekspertëve ndërkombëtarë të dy misioneve që ofrojnë asistencë ligjore për Shqipërinë nuk duhet të ketë afate kohore për këtë procedurë, por PD-së sugjeron afate. Kjo shprehet në 4 amendamentet e nenit 6: 1. Vlerësimi i ligjshmërisë së pasurisë shtrihet për një periudhë në të shkuarën të pakufizuar në kohë dhe deri në ditën e dorëzimit të deklaratës së detajuar sipas këtij ligji të pasurisë së subjektit të rivlerësimit. 2. Vlerësimi i pastërtisë etiko-morale të figurës shtrihet për periudhën nga data 1 janar 2012 dhe deri në ditën e dorëzimit sipas këtij ligji të deklaratës së detajuar për figurën të subjektit të rivlerësimit. 3. Vlerësimi profesional shtrihet vetëm për çështjet e trajtuara nga subjekti i rivlerësimit për periudhën 1 janar 2006 deri në datën 21 korrik 2016 dhe që janë zgjidhur në mënyrë përfundimtare në sistemin gjyqësor shqiptar. Për të gjitha çështjet e trajtuara pas kësaj date apo që janë ende në shqyrtim nga sistemi gjyqësor shqiptar, vlerësimi profesional bëhet sipas rregullave të përgjithshme të përgjegjshmërisë të parashikuara nga Kushtetuta dhe ligji. 4. Si rregull, vlerësimi profesional përfshin çështjet e trajtuara nga subjekti i rivlerësimit në 3 vitet e fundit të periudhës së rivlerësimit sipas paragrafit 3 të këtij neni.
Përjashtimisht në rastet e parashikuara në këtë ligj, vlerësimi profesional shtrihet edhe në çështjet e trajtuara përpara 3 viteve të fundit të periudhës së rivlerësimit, por në cdo rast jo më parë se data 1 Janar 2006. Në rast se subjekti i rivlerësimit ka më pak se 3 vite në funksion, periudha e rivlerësimit konsiderohet e gjithë koha gjatë ushtrimit të detyrës”, thuhet në amendamentin numër 6 të Partisë Demokratike.

Më 30 gusht Kuvendi voton “Vetting”-un

Konferenca e kryetarëve të grupeve parlamentare vendosi të martën në mbrëmje që më 30 gusht në orën 17:00 të mbahet një seancë e jashtëzakonshme plenare në Kuvend për shqyrtimin dhe votimin e projektligjit të rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve që shoqëron ndryshimet kushtetuese të 22 korrikut, por edhe që i bën ato efektive. Në një dalje për mediat menjëherë sapo u mbyll konferenca e thirrur nga kreu i Kuvendit Ilir Meta, deputeti socialist Taulant Balla, konfirmoi seancën ndërsa shtoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian do të jenë pjesë esenciale e procesit të “Vetting”-ut që do të nisë në muajin shtator në Shqipëri.

“Me 30 gusht në 17:00 Kuvendi do mblidhet në një seancë të jashtëzakonshme për të shqyrtuar ligjin e parë të paketës së reformës në drejtësi. Iu la detyrë Komisionit të Posaçëm që të vazhdojë me dy ligjet e tjera, SPAK-un dhe organizimin e gjyqësorit. Me votimin, Kuvendi i hap rrugën procesit të ‘Vetting’-ut. Do verifikohet përbërja e sistemit gjyqësor dhe prokurorisë në vend. SHBA-ja dhe BE-ja do të jenë pjesë esenciale e ‘Vetting’-ut që do të nisë në Shqipëri. Ka një dakordësi të plotë mes Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim që të përshpejtohet puna edhe për dy ligjet e tjera. Kushtetueshmërinë e ligjeve nuk e shqyrton PD-ja, por Gjykata Kushtetuese. Lajmi mirë është që seanca e jashtëzakonshme do të zhvillohet. Deputetet do të mbyllin pushimet. Me 5 shtator nis puna intensive e Kuvendit”, deklaroi Balla për gazetarët në përfundim të takimit.

Mësohet se në mbledhje është diskutuar edhe për 6 projektligjet e tjera të emergjencës që do t’u hapin rrugë zbatimit të ndryshimeve kushtetuese. Bashkimi Evropian dhe SHBA-ja kanë kërkuar që projektligji për rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve të votohet brenda muajit gusht me qëllim që vendi të nisë negociatat për anëtarësim në BE, por edhe të përfitojë disa miliona euro ndihmë për ngritjen e institucioneve që do të kryejnë procesin e “Vetting”-ut. Votimi i këtij projektligji me konsensus duket gjithnjë e më larg, por me ndryshimin e kursit të LSI-së “Vetting”-u gjithsesi do të votohet për t’i hapur rrugë njëkohësisht edhe hedhjes së shortit nga Presidenti i Republikës për përzgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.

Rama: PD-ja refuzoi BE dhe SHBA, por reforma nuk ndalet

Kryeministri Edi Rama ka reaguar me anë të një postimi në faqen e tij në “Facebook”, ku shkruan se drafti për ligjin e verifikimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve u votua nga shumica, pavarësisht refuzimit të PD-së sipas tij. “PD refuzoi sot projektligjin e Vetingut që mbështetet nga SHBA/BE! Drafti kaloi në komision me votën e shumicës. Reforma në drejtësi nuk ndalet”, shkruan Rama në faqen e tij në “Facebook”. Më herët, në pas përfundimit të mbledhjes, deputeti i PS-së, Pandeli Majko, pohoi se ky projektligj u miratua u miratua me konsensus të maxhorancës, ndërsa theksoi se opozita nuk votoi pavarësisht se ishte e pranishme. Gjatë një daljeje për mediat, Majko tha se “Vetting”-u duhet votuar ashtu siç e kanë kërkuar ndërkombëtarët duke e cilësuar atë si “Thembrën e Akilit”.

“Sot ishte një seancë me një diskutim të rëndësishëm. Me nota nervozizmi, por e natyrshme për interesat që mbulon. Në aneksin e Kushtetutës, shteti shqiptar në procesin e “Vetting”-ut që do t’u bëjë të gjithë prokurorëve dhe gjyqtarëve ka pranuar praninë e ndërkombëtarëve. Ne i kërkuam opozitës që ky faktor ndërkombëtar të pranohet si palë dhe të jenë dakord për praninë e tij. Opozita nuk mori pjesë në votim, edhe pse ishte e pranishme. Unë i falënderoj për këtë diskutim të frytshëm. Ligji i prokurorëve dhe gjyqtarëve kaloi për votim me shumicë votash. Të gjitha propozimet u kaluan me konsensus. I takon opozitës të marrë një vendim për në Kuvend. Do punojmë me intensitet dhe ‘Vetting’-u ishte ‘Thembra e Akilit’ ndaj jam i kënaqur që e kaluam.

Bylykbashi: Projektin do ta ankimojmë në Gjykatë

Anëtari i PD-së në Komision, Oerd Bylykbashi, tha se asnjë nga sugjerimet e opozitë nuk është reflektuar në draftin e votuar dje nga maxhoranca, duke e quajtur produktin antikushtetues dhe votimin si thyerje të Kushtetutës së miratuar më 22 korrik. “PD-ja tregoi problemet e rëndë kushtetuese. Ky opinion i PD-së nuk u reflektua në asnjë moment në projektligjin e miratuar sot në komision. Nuk u miratua asnjë sugjerim i rekomanduar nga ne. Ajo që është e rëndë këtu është se PD-ja edhe pse propozoi një numër të madh amendamentesh, këto u hodhën poshtë nga Komisioni. Amendamentet e propozuara kishin një qëllim të vetëm; që ky projektligj të kthehet në binarët e amendamenteve të Kushtetutës të votuar më 22 korrik. Ky projektligj është antikushtetues dhe nuk do t’i qëndrojë dot testit. Ne kemi shprehur votën tonë kundër për një seri nenesh. Ky ligj sot devijon rëndë nga Kushtetuta e miratuar më 22 korrik. Kjo sot është një kambanë e fortë për të treguar se si kjo maxhorancë e udhëhequr nga Edi Rama voton”, tha Bylykbashi, duke nënkuptuar se nëse miratohet pa konsensus, ligji i ri mund të ankimohet në Gjykatën Kushtetuese.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat