Ushtria ndërton urën bailey në malësinë e Krujës, u vjen në ndihmë 4 fshatrave

Shqipëria

Ushtria ndërton urën bailey në malësinë e Krujës, u vjen në ndihmë 4 fshatrave

Më: 24 gusht 2016 Në ora: 00:53
Ura

Ministrja e Mbrojtjes, znj. Mimi Kodheli ishte sot në Krujë, ku mori pjesë në përurimin e urës bailey, e cila u ndërtua në një kohë rekord prej 5 ditësh nga efektivët e Batalionit Xhenio të Komandës Mbështetëse.

Ndërtimi i kësaj ure do t’i shërbejë 3500 banorëve të katër fshatrave të Malësisë së Krujës.

Në fjalën e saj ministrja e Mbrojtjes, znj. Mimi Kodheli u shpreh se kjo urë do t’i shërbejë të gjithë komunitetit, por mbi të gjitha fëmijëve, të moshuarve dhe të sëmurëve, për të lëvizur dhe për të siguruar një jetë më të mirë.

“Kjo urë mban 20 ton, pra mund të kalojnë makina edhe të tonazhit të lartë. Por ajo çka është më e rëndësishme, është lehtësimi që ne me aq sa mundemi ju bëjmë zonave të thella si kjo”, nënvizoi ministrja Kodheli. Ministrja e Mbrojtjes e ka vënë theksin tek bashkëpunimi civilo – ushtarak, që është në themel të përpjekjeve për rritjen e sigurisë së qytetarëve.

“Ta gëzoni urën! Shpresoj që kjo t’ju shërbejë dhe t’ju ndihmojë sadopak, jo vetëm për rritjen e cilësisë së jetës, por dhe për rritjen e sigurisë që është në realitet prioriteti kryesor për të cilin FA përkujdesen.

Siguria e njerëzve, siguria e vendit, dhe kjo pjesë që nuk duket në fakt shpesh herë, dhe bashkëpunimi civilo-ushtarak janë në qendër të vëmëndjes tonë, sepse ne realisht mendojmë se ajo ndihmë që FA japin, që ushtria dhe Ministria e Mbrojtjes jep, është më shumë se sa e domosdoshme, është një shtesë e asaj çfarë qeveria bën nga ana e saj në shërbim të qytetarëve”, nënvizoi ajo.

Nga ana e tij, nënkryetari i Bashkisë së Krujës falënderoi Ministrinë e Mbrojtjes që bëri të mundur ndërtimin e urës bailey, e cila lidh 4 fshatra në një kohë rekord prej 5 ditësh.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat