Reforma në drejtësi, vetingu miratohet vetëm me votat e maxhorancës

Shqipëria

Reforma në drejtësi, vetingu miratohet vetëm me votat e maxhorancës

Më: 23 gusht 2016 Në ora: 15:46
Pandeli Majko e Oerd Bylykbashi

Komisioni i Posaçëm për Reformën në Drejtësi ka miratuar në mbledhjen e sotme draftin e EURALIUS-it lidhur me procesin e rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Drafti është votuar vetëm me votat e maxhorancës, pasi opozita nuk mori pjesë në votim.

Opozita kishte paraqitur në komision një draft tjetër, krejt i ndryshëm nga ai që u votua nga maxhoranca.

Deputeti socialist, Pandeli Majko, tha në përfundim të mbledhjes se opozita insistoi në qëndrimin e saj dhe maxhoranca është e gatshme për rishikimin e ndonjë detaji teknik.

“Detajet teknike nuk duhet të kthehen në politikë”, tha Majko.

Ndërsa nënkryetari i Komisionit të Posaçëm për Reformën në Drejtësi, Oerd Bylykbashi, e cilësoi projektligjin e votuar nga shumica si antikushtetues.

“Këto amendamente u hodhën poshtë pa argumente nga maxhoranca. Amendamentet tona kanë për qëllim që këtë projektligj ta kthejnë në binarët kushtetues të ligjit të miratuar me 22 korrik. Ky projektligj që maxhoranca votoi sot është antikushtetues.  Votimi i sotëm tregon se si kërkon maxhoranca të vijon në shmangie të Kushtetutës”, tha ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat