Ina Rama në krye të Prokurorisë Speciale Antikorrupsion?

Shqipëria

Ina Rama në krye të Prokurorisë Speciale Antikorrupsion?

Më: 23 gusht 2016 Në ora: 12:18
Ish-prokurorja e përgjithshme, Ina Rama

Ish-prokurorja e përgjithshme, Ina Rama, pritet të jetë një nga emrat e parë që do të konkurrojë për postin e prokurores speciale antikorrupsion menjëherë pasi të ngrihet Këshilli i Prokurorisë.

Burime brenda mazhorancës bëjnë të ditur se kanë nisur parapërgatitjet për ngritjen e institucioneve të reja menjëherë sapo ligjet përkatëse të hyjnë në fuqi në fillim të shtatorit. Ish-kryprokurorja, e sulmuar nga Partia Demokratike, pritet të përballet sërish me një kundërvënie të ashpër, por, siç mësohet, ajo ka mbështetjen e një grupi prokurorësh. Ina Rama u mallkua nga ish-kryeministri Sali Berisha pas 21 janarit, teksa hetoi gjithë zinxhirin komandues të Gardës së Republikës, madje u cilësua si “lavire bulevardi”.

Kreu i Prokurorisë Speciale Antikorrupsion do të zgjidhet nga Këshilli i Prokurorisë, i cili do të jetë një lloj KLD-je për organin e akuzës. Ina Rama ndërkaq është edhe propozim zyrtar i qeverisë për gjyqtare të Gjykatës së Strasburgut, pasi Ledio Binkut i mbaron mandati. Por mësohet se kandidatura më e fortë është ajo e kreut të Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori, i cili ka kreditet më të mëdha për t’u zgjedhur në këtë post.

Edi Rama siç duket ka negociuar me Zaganjorin që mënjanimi i tij të mos ishte i prerë, por në shkallë normale, duke i ofruar një post me prestigj. Gjykata e Lartë e mbylli dosjen e 21 janarit, por vetë Zaganjori nuk e ka kundërshtuar direkt reformën në drejtësi, ashtu siç kanë bërë shoqatat e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Prokuroria Speciale Antikorrupsion, SPAK-u, do të merret ekskluzivisht me ndjekjen penale të zyrtarëve të lartë dhe të politikanëve që kanë abuzuar me fondet publike. SPAK-u, sipas ligjit të ri, nuk ka varësi direkte nga prokurori i përgjithshëm, por mund të hapë dosje në mënyrë të pavarur.

SPAK është zgjedhur sipas modelit kroat dhe rumun, ku këto struktura kanë arrestuar deri edhe kryeministra. Në krye të prokurorisë speciale në Rumani është një grua. Ndërkaq Komisioni i Posaçëm për reformën në drejtësi është mbledhur sot rreth orës 10:00. Ata do të diskutojnë draftin me vërejtjet e EURALIUS-it  dhe OPDAT-it për ligjin për rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Mbledhja e planifikuar për dje u shty për sot ngaqë partitë politike deklaruan se nuk u kishte ardhur drafti me vërejtjet. Anëtarët e Komisionit do të diskutojnë veç ligjit për rivlerësimin e gjyqtarëve edhe për ligjin e organizimit të gjyqësorit dhe Strukturën e Posaçme Antikorrupsion. Ndërkohë, sot pasdite, në orën 18:00, kryetari i Kuvendit ka kërkuar mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve të grupeve parlamentare për caktimin e një date për mbledhjen e Kuvendit ku pritet të miratohen tre nga shtatë ligjet që i shoqërojnë ndryshimet kushtetuese të Reformës në Drejtësi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat