Pas Presidentit, edhe Kuvendit i skadon afati për shortin në KED

Shqipëria

Pas Presidentit, edhe Kuvendit i skadon afati për shortin në KED

Më: 23 gusht 2016 Në ora: 10:11
Bujar Nishani e Ilir Meta

Kryetari i Kuvendit nuk do të ushtrojë kompetencën e tij kushtetuese për hedhjen e shortit për anëtarët e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, por këtë detyrim do ta plotësojë vetë Presidentit i Republikës brenda muajit dhjetor, ndonëse edhe atij i përfundoi afati kushtetues që më 17 gusht. Mospërcaktimi i afateve kushtetuese për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, ka bërë që palët të bien dakord për një zgjidhje konsensuale pavarësisht se në këtë rast është shkelur Kushtetuta. 21 gushti ishte afati i fundit që i linte në dispozicion Kushtetuta kreut të Kuvendit për hedhjen e shortit, por mosvotimi i projektligjit të “Vetting”-ut bëri që Kushtetuta e re të shkelej për herë të dytë. Burime të gazetës “Shekulli” konfirmuan se e shorti do të hidhet nga Presidenti i Republikës, menjëherë sapo Parlamenti të miratojë projektligjin për vlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve që përcakton edhe kriteret përkatëse për kandidatët që duan të jenë anëtarë të KEDsë. Kjo pasi neni 149 i Kushtetutës përcaktonte se kryetari i Kuvendit ka 10 ditë kohë nga hyrja në fuqi e ndryshimeve kushtetuese për të kryer këtë proces, në rast se Presidenti i Republikës nuk e ka ushtruar këtë kompetencë.

Pika 11 e këtij neni përcakton se: “Presidenti i Republikës, brenda pesë ditëve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, zgjedh me short anëtarët e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, sipas nenit 149/d, pika 3, të Kushtetutës. Nëse Presidenti i Republikës, nuk i përzgjedh anëtarët brenda pesë ditëve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, Kryetari i Kuvendit i zgjedh ata me short brenda dhjetë ditëve nga hyrja në fuqi e këtij ligji. Të zgjedhurit qëndrojnë në detyrë deri në datën 31 dhjetor të vitit kur hyn në fuqi ky ligj. Avokati i Popullit merr pjesë si vëzhgues në procedurën e shortit, si dhe në mbledhjet dhe veprimtarinë e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Anëtarët e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi i nënshtrohen menjëherë procesit të rivlerësimit kalimtar të kualifikimit për gjyqtarë dhe prokurorë sipas nenit 179/b të këtij ligji”. Kreu i Kuvendit, Ilir Meta në një intervistë televizive të disa ditëve më parë u shpreh se ky proces do t’i besohet kreut të shtetit, kjo pasi ngërçi nuk u shkaktua për faj të tij. Kuvendi i Shqipërisë pritet që të mblidhet brenda kësaj jave për miratimin e “Vetting”-ut, mungesa e të cilit ka penguar ngritjen e institucionit të parë të drejtësisë që nga miratimi i ndryshimeve kushtetuese më 22 korrik me 140 pro në Kuvend.

Kuadri ligjor për KED-në i plotësuar 

Kuadri ligjor për Këshillin e Emërimeve në Drejtësi është tashmë gati. Parashikimet ligjore për këtë institucion janë pjesë e projektligjit “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, i cili iu shpërnda anëtarëve të Komisionit të Posaçëm të martën e kaluar. Në ndryshimet e reja saktësohen edhe kriteret e përzgjedhjes së anëtarëve të tij, mungesa të cilave detyrojë kreun e shtetit të shtyjë ngritjen e KED-së. Sipas nenit 195 të këtij drafti: a) Në kohën e hedhjes së shortit magjistrati e ka ushtruar funksionin për të paktën 10 vjet dhe anëtari i Gjykatës Kushtetuese për të paktën 1 vit; b) Ndaj tij nuk ka një masë disiplinore në fuqi përveç masës “Vërejtje konfidenciale me shkrim”; c) Ndaj tij nuk ka filluar një procedim disiplinor para forumeve përkatëse; d) Magjistrati ose gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese nuk është ndëshkuar më parë me sanksion administrativ për shkelje të rregullave ligjore në lidhje me deklarimin e pasurisë dhe konfliktin e interesave. Tashmë që afati i 16 gushtit për ngritjen e Këshillit te Emërimeve u dogj, projekt-ligji parashikon muajin dhjetor si momentin e përzgjedhjes se anëtareve të tij. Sipas draftit, Presidenti i Republikës zgjedh anëtarët e KED-së me short midis datës 1 dhe 5 dhjetor të çdo viti dhe nëse ai nuk e ushtron këtë të drejtë “stafeta” i kalon kryeparlamentarit.

Sot diskutohet drafti i EURALIUS-it dhe OPDAT-it

Ndonëse ishte planifikuar të mbahej të hënën pasdite në orën 18:00, Komisioni i Posaçëm Parlamentar për reformën në drejtësi do të mblidhet ditën e sotme në orën 10:00 për të shqyrtuar projektligjin e “Vetting”-ut. Shkak për shtyrjen e mbledhjes duket se ka qenë drafti i EURALIUS-it dhe OPDAT-it mbi vërejtjet e opozitës. Mësohet se anëtarët e komisionit nuk e kanë marrë ende draftin më vërejtjet e ekspertëve ndërkombëtarë dhe kjo është bërë shkak që mbledhja të shtyhej. Në mbledhjen e sotme anëtarët e Komisionit do të diskutojnë veç projektligjit për rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve edhe për projektligjin e organizimit të gjyqësorit dhe Strukturën e Posaçme Antikorrupsion. Sakaq, sot pasdite në orën 18:00, kreu i Parlamentit ka thirrur mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve të grupeve parlamentare për caktimin e seancës parlamentare ku pritet të miratohen 3 nga 7 projektligjet e emergjencës që shoqërojnë ndryshimet kushtetuese të muajit korrik në kuadër të reformës në drejtësi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat