Sulmi te Rruga e Kavajës, shënjestra ishte i dënuar për prostitucion

Shqipëria

Sulmi te Rruga e Kavajës, shënjestra ishte i dënuar për prostitucion

Më: 23 gusht 2016 Në ora: 10:09
Ilustrim

Sulmi i shënuar pasditen e së dielës në lokalin pranë një kompleksi pallatesh në rrugën e Kavajës, mësohet se ka pasur si objektiv shtetasin Nelgert Pata, 34 vjeç. Burime zyrtare nga policia bënë të ditur se në drejtim të 34-vjeçarit është qëlluar vetëm një herë me pistoletë, ndërsa ai ka arritur të shpëtojë pasi plumbi i ka kaluar anash veshit, duke e lënduar lehtë. Policia thekson se shënjestra e këtij atentati nuk është gjetur ende që pasditen e së hënës, pasi është larguar në drejtim të paditur, madje duke mos u paraqitur as në ndonjë spital për të marrë ndihmën mjekësore. Sakaq, Nelgert Pata rezulton person me precedentë të mëparshëm penale, i cili në vitin 2009 është dënuar nga Gjykata e Krimeve të Rënda për trafik prostitucioni.

Ai është akuzuar bashkë me babain e tij, Astrit Pata, ndërsa janë dënuar me 31 vite burg, si dhe 13 milionë lekë gjobë. At e bir janë shpallur fajtorë për shfrytëzimin e dy femrave. Ky dënim i dhënë në vitin 2009 është apeluar nga të pandehurit dhe është zvogëluar në vitin 2010 nga Gjykata e Lartë. Në vendimin e dhënë nga Gjykata e Lartë thuhet: “Deklarimin fajtor të gjykuarit Astrit (Aleks) Pata për veprën penale të “Trafikimit të femrave” për prostitucion, në dëm të shtetases Silvana K., dhe dënimin e tij me 8 vjet burgim dhe 3 milionë lekë gjobë. Deklarimin fajtor të të gjykuarit Nelgert Pata për veprën penale të “Trafikimit të femrave” për prostitucion, në dëm të shtetases Albiona N., dhe dënimin e tij me 8 vjet burgim dhe 3 milionë lekë gjobë”.

Akuza 

Burime nga policia bëjnë të ditur se Nelgert Pata është arrestuar për “Shfrytëzim prostitucioni”, në muajin tetor të vitit 2005, pasi nga Norvegjia kishte mbërritur një letër-porosi, ku e dëmtuara Silvana K., i akuzonte për trafikim dhe prostitucion. Silvana ka rrëfyer se ishte mashtruar nga Astrit Pata për martesë, i cili në fillim e kishte dërguar në Greqi, ndërsa djali, Nelgert Pata, e ka trafikuar atë drejt Norvegjisë. “Dhurata prej Astritit ka qenë gjendja psikike, e cila shkoi në gradën e fundit”. Kështu është shprehur Silvana K., teksa ka filluar të japë dëshminë e saj në gjykatë kundër tutorëve të saj që e trafikuan në Norvegji. Silvana K., nga Memaliaj, atë kohë është pyetur në cilësinë e dëshmitares kyç në lidhje me aktivitetin që kryenin babë e bir. Historia nis që në vitin 2004, kohë kur Astrit Pata njihet me Silvana K., në lokalin e vëllait të tij në Tepelenë, ku vajza punonte si kameriere dhe i kërkon të shkojnë së bashku për pushime në Greqi. Premtimet për të kaluar ditë të këndshme në shtetin fqinj, kanë rezultuar boshe.

Vajza është dërguar nga Astrit Pata me dokumente false në Norvegji, ku atje është pritur nga djali i tij, Nelgerti, që në atë kohë sapo kishte mbushur 20 vjeç. Ai i ka kërkuar kësaj të fundit të punojë në rrugë si prostitutë. Silvana nuk ka pranuar, por pas kërcënimeve të shumta, ajo i është nënshtruar urdhrave. Sapo ka mundur të shpëtojë nga tutorët, vajza ka bërë denoncim ndaj tyre dhe ka rrëfyer me video-konferencë se nuk mund të jetonte dot me paratë e trupit të saj dhe me tmerrin që ka përjetuar, teksa punonte në rrugët e Norvegjisë. Për të vërtetuar thëniet e saj, drejt vendit nordik udhëtuan dhe pesëshja e gjyqtarëve të Krimeve të Rënda që gjykoi çështjen, prokurori i çështjes si dhe një avokat mbrojtës. Të pandehurit Astrit dhe Nelgert Pata, akuzohen gjithashtu për trafikimin në tetor të 2005-ës të një tjetër gruaje, nënë e një fëmije. Sipas prokurorisë, ajo ishte njohur në Greqi me Nelgertin, i cili e kishte mashtruar se do t’i gjente një vend pune si kameriere në Norvegji. Por më pas, e detyron të dalë për të prostituuar në rrugë. Ajo është shtetasja me emrin Albiona N.

Ushtrimi i prostitucionit 

Gjatë kohës kur është zhvilluar gjyqi ndaj 34-vjeçarit dhe babait të tij, është mësuar se i shfrytëzonin femrat për prostitucion në disa apartamente në Norvegji, të cilat siguroheshin nga disa shtetas norvegjez. Në lidhje me këtë rast që është zbuluar në vitin 2006, kanë shkruar edhe mediat norvegjeze. Ato kanë shkruar se nga kjo veprimtari, shqiptarët në bashkëpunim me norvegjezët, arrinin të mblidhnin shuma të mëdha parash. Rasti ka tre viktima, ndërsa njëra prej tyre nuk është identifikuar. Hetimet e zhvilluara në Norvegji, kanë zbuluar atë kohë se gratë shqiptare ushtronin prostitucion në një “dollap” prej shtatë metra katrorë.

Hetimi

Burime nga Policia e Tiranës kanë bërë me dije se ngjarja e ndodhur pasditen e së hënës mund të ketë lidhje me akuzën për të cilën është gjykuar disa vite më parë 34-vjeçari, Nelgert Pata. Tre persona u përfshinë në këtë ngjarje në një lokal në afërsi të ish-parkut të autobusëve, në kryeqytet. Burime nga policia theksuan më tej se fillimisht protagonistët e ngjarjes janë konfliktuar me njëri-tjetrin, duke përfunduar më pas deri në përdorimin e armëve. 34-vjeçari është plagosur lehtë në vesh, ndërsa policia nuk ka mundur të gjejë asnjë gëzhojë ne vendngjarje, duke hedhur dyshime se autorët kanë përdorur një pistoletë mulli. Shënjestra e atentatit është larguar pa lënë asnjë gjurmë, po ashtu edhe personi që ka qëlluar me armë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat