Nëna e 12-vjeçarit nuk e di se si i vdiq i biri

Shqipëria

Nëna e 12-vjeçarit nuk e di se si i vdiq i biri

Më: 22 gusht 2016 Në ora: 11:33
Jorgos Zani

Familja e 12-vjeçarit A. Z., të masakruar nga i afërmi i tij Jorgos Zani disa ditë më parë në fshatin Palasë të Vlorës, që banon në lagjen “1 Maj”, të qytetit të Fierit, prej ditësh është mbuluar nga tmerri, dhimbja dhe lotët. Aty hyjnë dhe dalin qindra qytetarë, të afërm, familjarë të viktimës. Ata kanë vijuar të presin një ditë pas funeralit të përmotshëm në varrezat e qytetit të Fierit ngushëllimet e rastit, sipas traditës dhe zakonit shqiptar. Të drobitur deri në kockë nga humbja e fëmijës janë prindërit e tij. Nëna ka pësuar shok. Ajo nuk di ende se çfarë ka ndodhur realisht me djalin e saj të mitur. I kanë thënë se djali ka goditur kokën në gurë dhe ka humbur jetën.

Po kështu edhe babai, gjyshërit. Të gjithë. Edhe vetë komuniteti fierak është i shokuar. Në lagjen “1 Maj”, askush nuk dëshiron të komentojë për këtë ngjarje. Nuk e perceptojnë dot se si mund të vritet një fëmijë në mënyrë të tillë. “Shteti duhet të izolojë të sëmurët në spitale. Të kujdeset që ata të mjekohen dhe jo t’i lërë në mëshirë të fatit derisa të vrasin jetë të pafajshme”, pohon një banor. Ndërkohë, ngjarja e cila tronditi një Shqipëri të tërë ndodhi mesditën e të enjtes, ku 30-vjeçari Jorgos Zani i preu kokën kushëririt të tij 12-vjeçar. I mituri me inicialet A. Z., sapo kishte ardhur për pushime tek gjyshja e tij në fshatin Palasë të Himarës, ndërsa 30-vjeçari ishte i afërm i tyre.

Policia ka bërë të ditur se ngjarja e rëndë ka ndodhur si pasojë e problemeve mendore të autorit. Mesditën e së enjtes, me thikë dhe hanxharë Jorgos Zani ka kryer aktin e tmerrshëm ndaj 12-vjeçarit. Pasi ka kryer veprimin e rëndë, 30-vjeçari është gjetur nga policia në banesën e tij duke mbajtur në dorë kokën e djalit të mitur. Ndaj autorit monstër është dhënë masa e sigurisë “Arrest me burg” nga gjykata e Vlorës, deri në përfundim të hetimeve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat