Teksa pritet që të hënën të mblidhet sërish komisioni për Reformën në Drejtësi për të diskutuar mbi komentet e ekpertëve ndërkombëtarë për qëndrimet e opozitës, kjo e fundit duket se nuk do të jetë e pranishme në komision, pasi nuk është njohur ende me draftin.
Të martën Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, ka kërkuar mbledhjen e konferencës së kryetarëve, për të vendosur mbi thirrjen e një seance të jashtëzakonshme të 7 ligjeve organike që do ta bëjnë Refomën në Drejtësi funksionale.
Pritet që Vettingu si çështje kryesore, por edhe skandali me 2 nenet në Ligjin e Prokurorisë së Posaçme dhe Ligjin për Organizimin e Prokurorisë, që u zbuluan se ishin një kërcënim për median dhe lirinë e shprehjes, të jenë temat më të nxehta.
E nëse për Vettingun zgjidhja do të jetë gjetja e konsensusit mes mazhorancës dhe opozitës, nenet që kërcënojnë median e lirë pritet të sjellin më shumë debate.
Opozita dhe LSI nga mazhoranca u distancuan nga neni 6 dhe 13 i funksionimit të Prokurorisë së Posaçme dhe Prokurorisë së Përgjithshme, duke e konsideruar si të papranueshëm formulimin se në rast të influencave të papërshtatshme për prokurorët, gazetarët dënohen me burg.
Gjithashtu Partia Demokratike dhe LSI premtuan angazhimin e tyre për mosmiratimin e tyre dhe heqjen nga drafti i reformës. Mbetet ende e paqartë se pse u hartuan këto nene, kur dhe kush i integroi në draftin e reformës?
Konferenca e kryetarëve mund të vendosë 25 ose 29 Gushtin, si datat e mundshme të kuvendit. Kryetari Ilir Meta, në një deklaratë për shtyp pak ditë më parë, tha se Vettingu I gjyqtarëve dhe prokurorëve, do të miratohet brenda muajit Gusht, si një prej ligjeve më të rëndësishëm të reformës edhe për Bashkimin Europian dhe Shtetet e Bashkuara.