Formula e re për tapitë e shtëpive

Shqipëria

Formula e re për tapitë e shtëpive

Më: 21 gusht 2016 Në ora: 08:06
Artan Lame

Procesi i legalizimeve nga muaji shtator do të shtrihet edhe te një kategori e re banesash, në Tiranë dhe qytete të mëdha të Shqipërisë. Bëhet fjalë për stokun e apartamenteve të pashitura, i cili ka mbetur i tillë, jo për shkak të kërkesë-ofertës në treg, por për faktin se nuk kanë leje legalizimi e dokument hipotekimi. Vetëm në kryeqytet numërohen 4000 apartamente të bllokuara, dhe qindra pallate, ku ende nuk është futur asnjë familje. Nisur nga kjo gjendje, do të jetë Agjencia e Legalizimeve ajo që do të hedhë hapin për të zhbllokuar situatën. Drejtori i Përgjithshëm, Artan Lame tregon në një prononcim për “Shekulli”-n, mënyrën se si do të veprohet nga ALUIZNI, dhe si do të trajtohet secili rast, teksa thotë se situata është shumë më tepër e ndërlikuar se me banesat private në zonat informale. Lame thotë se përgjegjës për këtë situatë janë ndërtuesit, të cilët kanë ndërtuar pallate në kundërshtim me ligjin. “Para disa ditësh u transmetua në media një pasqyrë për situatën e çmimeve të apartamenteve në Tiranë. Ndër të tjera figurojnë edhe 4 mijë apartamente të pa shitura për shkak se iu mungon dokumenti i hipotekimit. Një nga arsyet kryesore të bllokimit të procesit është se këto objekte janë të pa legalizuara, natyrisht që në origjinë faji për këtë është i vetë ndërtuesve të cilët kanë kryer shkelje në ndërtimin e këtyre pallateve, por aktualisht kjo situatë kërkon zgjidhjen e kësaj problematike”, thotë ai.

Pallatet pa leje

“Ligji i legalizimeve hap në parim rrugë për legalizimin e këtyre objekteve, por nga ana tjetër procesi bllokohet për shkak të situatave shumë të ndryshme të secilit prej tyre”, tregon Lame, teksa shton se është e pa imagjinueshme moria e kauzës në të cilën gjenden specialistët e ALUIZNI-t gjatë trajnimit të tyre. “E vetmja rrugëdalje për t’i dhënë udhë problemit është trajtimi i secilit rast me një vendim të veçantë qeverie, kjo kërkon shumë impenjim nga ana jonë, si dhe nga ana e qeverisë. Përtej kategorive të pallateve me shkelje të lejes së ndërtimit janë edhe një numër pallatesh, për të cilën nuk ekziston asnjë lloji dokumentacioni, pra tërësisht pa leje”.

Rastet 

Sipas kreut të ALUIZNI-t, fokusi kryesor në morinë e stokut të madh të apartamenteve, është pajisja me leje për pallatet tërësisht pa leje, e më pas edhe ato apartamente të banuara, e që kanë ndryshuar disa herë pronarë. “Në shtator mendojmë se mund të miratohet në qeveri një VKM që do përcaktojë procedurat për legalizimin e tyre. Edhe për rastin e këtyre objekteve situata është shumë e komplikuar, pasi janë ndërtuar fare pa dokumentacion; aktualisht janë të banuara nga banorë, të cilët mund të kenë bërë shit-blerje informale të njëpasnjëshme; nuk ekzistojnë më ose kanë falimentuar ose kanë ndryshuar emrin firmat që i kanë ndërtuar këto pallate; banore të tyre apo pronar të trojeve të këtyre pallateve janë në procese gjyqësore me ndërtuesit e plot situata të tjera të komplikuara”, thotë Lame, i cili, kërkon edhe bashkëpunimin e qytetarëve, teksa jep garancinë për lejet e reja. “Në këtë mishmash ligjor dhe ekstra ligjor të trashëguar e vetmja gjë e sigurt është vullneti jonë për t’i dhënë zgjidhje kësaj situate, zgjidhje e cila në shumë raste ka nevojë edhe me bashkëpunimin me qytetarët  për dhënien e çdo informacioni të mundshëm që ato zotërojnë”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat