‘Vdekja i Arditit’, Duma: Gazetarët u pushuan se zbuluan skandalin

Shqipëria

‘Vdekja i Arditit’, Duma: Gazetarët u pushuan se zbuluan skandalin

Më: 20 gusht 2016 Në ora: 13:57
Sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun në Partinë Demokratike, Grida Duma

Sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun në Partinë Demokratike, Grida Duma doli në një konferencë për shtyp të shtunën, duke denoncuar atë që e quajti një skandal që lidhet me vdekjen e adoleshentit Ardit Gjoklaj.

Sipas Dumës, dy gazetarë janë pushuar nga puna pasi hodhën dritë mbi aferën e landfillit.

“Partia Demokratike dënon me forcë ndërhyrjen brutale të Erion Veliajt në media, që solli largimin e dy drejtuesve të lajmeve në televizionin a1 news.

Eshtë hera e parë që një zyrtar i lartë hakmerret në këtë mënyrë ndaj medias, jo vetëm duke mbyllur një investigim, duke bllokuar një lajm, por më keq, duke larguar nga puna drejtorin e lajmeve dhe kryeredaktorin.

Alida Tota dhe Brahim Shima u flakën nga puna, sepse tentuan të hedhin dritë mbi aferën e madhe të korrupsionit e klientelizimit në Sharrë, ku mbeti i vdekur 17 vjecari Ardit Gjoklaj.

Dy gazetarët zbuluan se impianti i korrupsionit i Veliajt ishte i zhytur thellë në informalitet, ku nuk zbatohej asnjë rregull, asnjë normë sigurie, asnjë  ligj.

Erion Veliaj jo vetëm nuk thotë vetë asnjë fjalë për humbjen e jetës së 17 vjecarit që punonte në atë biznes korruptiv e kriminal të ndërtuar prej tij në Sharrë, por hakmerret dhe bën shembull gazetarët që guxojnë të investigojnë,” tha Duma.

“Një sjellje e përsëritur, pasi me 11 gusht, Veliaj bëri të heshtë edhe një media të rëndësishme si Top-Channel, duke bllokuar pasqyrimin e denoncimit të PD-së, për këtë ngjarje.

Erion Veliaj del kështu hapur në mbrojtje të krimit e të korrupsionit në landfillin e tij.

Ashtu si dhe shefi i tij, Edi Rama, i cili vazhdon të mbajë në arrati kryetarin socialist të Peqinit, partneri i Veliajt në këtë aferë, duke mos ia dorëzuar drejtësisë, edhe pse është shpallur në kërkim prej 10 ditësh.

Shkarkimi i gazetarëve me urdhër të Erion Veliajt është një prej goditjeve më të rënda të lirisë së shtypit, tipar i qeverisjes së Edi Ramës e zhytur në krim e korrupsion, që e ka median e lirë armike.

Partia Demokratike i fton organizatat e medias të reagojnë për këtë rast, të mos pranojnë që një falsifikator i korruptuar si Erion Veliajt të bëhet drejtuesi i televizioneve dhe gazetave.

Ne shpresojmë se partnerët ndërkombëtarë dhe ambasadat e vendeve të BE dhe SHBA do të mbajnë shënimet e duhura e do të vëzhgojnë nga afër rastin”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat