PD: Drejtuesit e policisë kanë prioritet trafikimin e drogës

Shqipëria

PD: Drejtuesit e policisë kanë prioritet trafikimin e drogës

Më: 19 gusht 2016 Në ora: 13:37
Enkeleid Alibeaj

Partia Demokratike vijon me akuzat ndaj drejtuesve të policisë në rrethe, si të përfshirë në trafikun e lëndëve narkotike. Nga selia blu Enkeleid Alibeaj tha se të gjithë drejtuesit nga Saranda në Shkodër, nga Durrësi në Dibër lanë lënë detyrën dhe menaxhojnë drogën me bekimin e kryeministrit Rama.

Kreu i Departamentit të Rendit dhe Sigurisë, Alibeaj, ka numëruar të tjera akuza duke përmendur edhe emrat e shefave të komisariateve si të implikuar dhe të akuzuar drejtpërdrejt për trafik droge.

Deklarata e Enkeleid Alibeaj

Implikimi i drejtuesve të policisë në biznesin e kanabisit sipas skemës së Edi Ramës ku për çdo rrënjë merret 30 %, është dramatik. Kemi denoncuar prej ditësh me emra dhe me zona konkrete se si shefat e Edi Ramës në pilici janë kthyer në menaxherë të drogës.

Raporti i shërbimeve partnere dhe shërbimeve inteligjente vazhdon sot me të tjera të dhëna;

Erjon Bici, shef i Komisariatit Devoll, i implikuar drejtpërdrejt në trafikun e drogës, ku është akuzuar në vitin 2015 në emisione investigative për parcela me kanabis në fshatin Miras, ku për secilën raportohet të ketë përfituar 30.000 €.

Robert Ibrahimi, shef i Komisariatit Ersekë, menaxhon parcelat me kanabis në këtë zonë.

Alfred Maksuti, Shef i Komisariatit Peqin. Vëllai i vet është i dënuar për trafik të lëndëve narkotike, ndërsa aktivitetin kriminal e ka vazhduar vetë Maksuti.

Vojo Peçi, shef i Komisariatit Kuçovë, i implikuar në kultivimin dhe trafikimin e lëndëve narkotike.

Elton Alushi, Shef i Komisariatit nr.3, lidhje e ngushtë e Emiljano Shullazit, jep ndihmën e tij në trafikimin e drogës.

Sali Skura, shefi i Komisariatit nr.5. I implikuar në kultivimin e bimëve narkotike, gjobvënie ndaj biznesit të ndërtimit të vogël dhe të madh në ndërtim duke përdorur edhe Loard Sallakun shef-seksioni i krimeve.

Loard Sallaku, shef i Krimeve dhe Zv/Shef Komisariati në Kamëz. Raportohet se ka marrë përsipër mbjelljen e menaxhimin e kanabisit në malesinë e Zall Herrit deri në kufi me Krujën.

Behar Caka, shef i Komisariatit Vlorë, i përfshirë në kultivimin edhe ruajtjen e kanabisit, dhe i përfshirë në çdo aktivitet dhe fushatë të Partisë Socialiste në këtë qytet.

Roven Zeka, shef Rendi i Komisariatit nr.2, lidhje e ngushtë e Emiljano Shullazit, i përfshirë në kultivimin e kanabisit së bashku me ish Shefin e Komisariatit nr. 2, Ilir Proda.

Gazmend Shehu, shef i Komisariatit të Policisë Sarandë, i lidhur drejtpërdrejt në trafikimin e lëndëve narkotike në rrugët detare në bashkëpunim me miqtë e tij më të ngushtë, Balilajt, tek të cilët më parë ishte i punësuar si drejtues teknik i biznesit të tyre.

Oltion Bistri, shef i Komisariatit të Policisë Pogradec, i lidhur me bandën e gjobvënësve dhe vrasësve me pagesë, si Meart e Ilir Berberi. Mbulon dhe ndan fitimet e drogës në këtë zonë.

Ja pra se si me porosi të Edi Ramës dhe nën shembullin e tij, drejtuesit e policisë nuk kanë më prioritet qytetarët, rendin e sigurinë, por ruajtjen e trafikimin e drogës dhe marrjen e 30 përqindëshit nga ky biznes qindra milionë eurosh.

Ja si poshtërohen burrat dhe gratë në uniformë, që kanë integritet e punojnë me përkushtim, por kanë mbi krye një grusht shefash dhe qeveritarësh që po drejtojnë biznesin kriminal.

Ky është sundimi de fakto i vendit prej drogës dhe krimit. Ky nuk është vullneti i shqiptarëve, as dëshira e tyre. Shqiptarët duan një vend më të mirë, ku sundon ligji, me rend, siguri e punë të ndershme. Shqipëria do jetë më mirë pa Edi Ramën.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat