Drejtësia – Neni 13 do të riformulohet, krijon keqkuptime

Shqipëria

Drejtësia – Neni 13 do të riformulohet, krijon keqkuptime

Më: 18 gusht 2016 Në ora: 14:46
Komisioni i Posaçëm i Reformës në Drejtësi

Neni 13 i projektligjit “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”, pjesë e paketës ligjore për reformën në drejtësi, do të riformulohet.


Sipas raportimit të mediave, që i referohen burimeve nga komisioni i posaçëm parlamentar, ky nen, që flet për pavarësinë e prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme (struktura antikorrupsion) dhe që rrezikon të cënojë pavarësinë e medias, do të ndryshojë. Kjo, pasi nga mënyra si është formuluar mund të krijojë keqkuptime.
Neni në fjalë, në pikën tre të tij përcakton se dënohet me ligj “çdo lloj influence e papërshtatshme e ushtruar mbi punën e prokurorëve të posaçëm apo aktivitetin e tyre mbi çështje konkrete përmes autoriteteve publike, mediave apo personave të tjerë”.


Ndaj këtij përcaktimi, një ditë më parë, kryetari i Kuvendit Ilir Meta, u shpreh se nuk besonte se ka përpjekje apo iniciativa për të cënuar lirinë e medias. Po ashtu, deputeti socialist, Pandeli Majko, anëtar i komisionit të reformës në drejtësi, siguroi se “nuk ka ndonjë tendencë për t’i bërë presion medias”.


Ky nen u kundërshtua dhe nga shoqatat e gazetarëve, ku termi i përdorur në formulimin e nenit u kritikua nga gazetarët, të cilët i kërkuan Kuvendit që të mos e votojë. Sipas gazetarëve termi “influencë e papërshtatshme”, krijon hapësirë për çdo lloj interpretimi për të kërkuar dënimin e gazetarëve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat