Byroja e Hetimit, ndërkombëtarët hetim trevjeçar pasurive të zyrtarëve

Shqipëria

Byroja e Hetimit, ndërkombëtarët hetim trevjeçar pasurive të zyrtarëve

Më: 18 gusht 2016 Në ora: 08:47
Komisioni pë Reformë në drejtësi

Lufta ndaj korrupsionit dhe ndëshkimi i zyrtarëve të lartë nuk do të realizohet vetëm nga hetuesit shqiptarë, por do të angazhojë fuqishëm dhe ata ndërkombëtarë. Projektligji që parashikon ngritjen e Byrosë së Hetimit dhe SPAK-un parashikon një bashkëpunim të veçantë me ndërkombëtarët,  ku për tre vite me radhë është parashikuar hetimi i ministrave dhe ish-ministrave dhe zyrtarëve të tjerë të lartë.  Drafti “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”,  përcakton  krijimin e njësisë speciale të hetimit me ekspert shqiptar dhe ndërkombëtar. Ky draft, i siguruar nga gazeta “Shekulli”, iu është shpërndarë dje anëtarëve të komisionit të posaçëm për reformën në drejtësi me shënimin se ai është ripunuar sipas ekspertëve të EURALIUS dhe OPDAT.

SPAK-u, bashkëpunim me organet e huaja hetuese

Në nenin 23 të projektligjit thuhet se Prokuroria e Posaçme do të ketë një sektor për bashkëpunimin ndërkombëtar dhe hetimet e përbashkëta.“Prokuroria e Posaçme ka një sektor përgjegjës për koordinimin e punës së saj me autoritetet e shteteve të tjera. Sektori do të shërbejë si ndërlidhës me organet e huaja në shërbim të ecurisë së hetimeve apo hetimeve të përbashkëta. Sektori do të drejtohet nga një prokuror i posaçëm i emëruar nga Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme për një periudhë tre vjeçare”, thuhet në paragrafët 1 dhe 2 të projektligjit. Drafti parashikon dhe hetim për vepra korrupsioni dhe për ish-zyrtarët. Punonjësit e Byrosë së Hetimit, SPAK-ut si dhe gjyqtarët e gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe Prokurorisë së Posaçme i nënshtrohen procesi të “Vetting”-ut në procesin e përzgjedhjes. Gjithashtu anëtarët e gjyqtarët që emërohen në këto institucione të reja duhet të plotësojnë një formular ku shprehen dakord që të ti përgjohen emailet dhe telefonat nga Byrosë Kombëtare të Hetimit.

Neni 24

Detyrat e Sektori për Bashkëpunimin Ndërkombëtar

Sektori për Bashkëpunimin ndërkombëtar dhe Hetimet e Përbashkëta: a) bashkëpunon me autoritete kompetente të shteteve të tjerë dhe organizatave ndërkombëtare në përputhje me marrëveshjet ndërkombëtare; b) cakton anëtarë në organet e përbashkëta hetimore, të krijuara në bazë të një marrëveshjeje ndërkombëtare ose në bazë të një marrëveshjeve për një rast konkret, me qëllim hetimin, ndjekjen penale apo përfaqësimin në gjyq të veprave penale të parashikuara nga neni 75/a i Kodit të Procedurës Penale, në Republikën e Shqipërisë, apo në një ose më shumë shtete të tjerë; c) lidhur me hetimet e përbashkëta brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, Ndërlidhësi i Bashkëpunimit Ndërkombëtar dhe Hetimeve të Përbashkëta mbikëqyr zbatimin e rregulloreve të brendshme dhe respektimin e sovranitetit të Republikës së Shqipërisë; ç) Në lidhje me dobësitë e identifikuara apo çështjet e debatuara, të cilat nuk mund të zgjidhen nëpërmjet konsultimeve me organet kompetente të një shteti tjetër apo përfaqësuesve të tij, informon pa vonesë Drejtuesin e Prokurorisë së Posaçme, i cili, nëse është e nevojshme, kërkon mendimin ose ndihmën e ministrisë kompetente.

Organet e shtetit të detyruara të bashkëpunojnë me SPAK-un

Në nenin 30 të projektligjit thuhet që të gjitha autoritetet shtetërore janë të detyruara të japin informacion ose të bashkëpunojnë me SPAK-un kur ajo t’u kërkohet për çështje hetimore të rëndësishme. “Të gjithë organet e pushtetit shtetëror dhe të gjitha subjektet juridike të cilët, në kryerjen e aktiviteteve të tyre, vijnë në dijeni për rrethana dhe të dhëna për vepra penale të parashikuara në Nenin 75/a të Kodit të Procedurës Penale, janë të detyruar t’i referojnë këto rrethana ose të njoftojnë menjëherë Byronë Kombëtare të Hetimit ose Prokurorinë e Posaçme. Të gjithë organet e pushtetit shtetëror janë të detyruar të bashkëpunojnë me Prokurorinë e Posaçme dhe Byronë Kombëtare të Hetimit për hetimin e çështjeve. Prokuroria e Posaçme dhe Byroja Kombëtare e Hetimit ka akses të drejtpërdrejtë në sistemet e informacionit apo bazat e të dhënave të administruara nga organet shtetërore, që përmbajnë informacion të duhur për hetimin e veprave penale të parashikuar në Nenin 75/a të të Kodit të Procedurës Penale.  Organet shtetërore kanë detyrimin të japin informacion brenda 24 orëve ose, në qoftë se baza e të dhënave ekziston, ti japin akses të drejtpërdrejtë Prokurorisë së Posaçme.  Ky akses do të vendoset në mënyrë të përhershme brenda një afati kohor të arsyeshëm, por jo më gjatë se 6 muaj, në vijim të një kërkese me shkrim nga Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme drejtuar kreut të organit shtetëror”, thuhet në projektligj.

Reflektimet

Në projekt janë reflektuar të gjitha diskutimet dhe ndryshimet e bëra në mbledhjen e komisionit më 13 korrik si dhe sugjerimet e EURALIUS-it dhe OPDAT-it . Palët janë shprehur të gatshëm që edhe ky projektligj të miratohet brenda muajit gusht. Objekt i ligjit është miratimi i Strukturës së Posaçme Antikorrupsion, Prokuroria e Posaçme, detyrat e saj, afatet, buxheti, aksesi që do të ketë në institucionet e tjera dhe bashkëpunimi me institucionet ndërkombëtare në luftën e saj kundër korrupsionit në sistemin e drejtësisë. SPAK-u do të asistohet nga Byroja Kombëtare e hetimit dhe do të ketë në përbërje gjyqtarë, prokurorë dhe efektivë të policisë gjyqësore. Struktura duhet të jetë e qëndrueshme, në mënyrë që gjyqtarët dhe prokurorët të mos lëvizen, penalizohen apo të ndihen në rrezik për shkak të hetimeve apo çështjeve. Këta funksionarë do t’i nënshtrohen kontrollit të së shkuarës së tyre dhe duke qenë objekt i monitorimit të vazhdueshëm, sikurse ndodh në zyra të suksesshme në disa vende të rajonit. Gjithashtu, parashikohet edhe krijimi i një mekanizmi të posaçëm, me autoritet ligjor për të pranuar ankesat për korrupsion ose sjelljet jo-etike të gjyqtarëve dhe prokurorëve, të cilët mund të monitorojnë në mënyrë aktive gjykatat.

“Vetting”-u, Meta: Votohet brenda gushtit. Asnjë cenim për median

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta shpreh bindjen se brenda muajit gusht do të votohen nga Parlamenti shqiptar ligji i “Vetting”-ut, duke shtuar gjithashtu se synohet dhe miratimi i dy ligjeve të tjera si ai i Byrosë së Hetimi dhe ai “Për krijimin e organeve të institucioneve të drejtësisë”. “Shumë shpejt sikurse e thashë shpresojmë të fiksojmë datën për të miratuar ligjin për Vetting-un, por njëkohësisht edhe një datë tjetër për dy ligjet e tjera brenda 30 gushtit dhe më pas do të vazhdojmë edhe me ligjet e tjera në kuadër të 7 ligjeve të para dhe të paketës prej 40 ligjesh”, tha Meta para gazetarëve.

Kryeparlamentari i dha të drejtë Presidentit të Republikës, i cili për shkak të boshllëkut ligjor nuk hodhi shortin për emërimet në KED, por nuk sqaroi nëse ai vetë do ta ushtrojë këtë kompetencë, që sipas Kushtetutës i lë 10 ditë afat për këtë proces. “Mendoj se Presidenti ka vepruar në mënyrë të përgjegjshme, në rast se nuk ka mundësi të ushtrojë mundësinë e tij, kjo është përgjegjësia jonë si Kuvend që duhet të plotësojmë kuadrin ligjor që edhe Presidenti të ushtrojë mundësinë e tij”, tha Meta në reagimin e tij për gazetarët. Ndërsa i përket nenit 13 të draftit “Për Prokurorinë e Posaçme” ku paralajmëron dhe ndëshkim të medias, kreu i Kuvendit e hodhi poshtë një mundësi të tillë, duke theksuar se “nuk besoj se në çdo rast ka përpjekje dhe iniciativa për të cenuar lirinë e medias”. Për këtë çështje foli dhe deputeti socialist Pandeli Majko i cili u shpreh se “është e kotë të diskutojmë tani gjëra që akoma nuk kanë hyrë në rendin e ditës dhe të Komisionit. Të gjitha këto detaje do të shikohen atje hap pas hapi.Ju siguroj që nuk ka ndonjë tendencë për ti bërë presion medias, në të kundërt”. Por sipas burimeve të gazetës “Shekulli” pranë komisionit të posaçëm për çështjen e nenit 13 bëhet fjalë për një lapsus dhe që do të ndryshohet.

Mbledhja Komisioni i posaçëm në mbledhjen e djeshme ra dakord që ekspertët e të gjitha palëve të punojnë së bashku për të pasur një draft të pakontestuar. “U prezantuan komentet e ekspertëve ndërkombëtarë dhe do të ulen këto ditë ekspertët për të gjetur versionin përfundimtar të hartimeve. Është proces hartimi legjislativ dhe besoj se do të mbyllet shpejt”, u shpreh Oerd Bylykbashi, anëtari i Partisë Demokratike në Komision. Në Komision ekspertët ndërkombëtarë të EURALIUS-it dhe OPDAT-it nuk paraqitën një material të shkruar dhe, megjithëse janë shprehur për përfshirjen e vërejtjeve të opozitës, mbetet i paqartë opinioni i tyre për rolin e Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë në verifikimin e pasurive gjatë “Vetting”-ut apo të drejtorisë qeveritare që kontrollon integritetin e figurës së gjyqtarit dhe prokurorit. “Përfaqësuesi i BE-së deklaroi se të gjitha opinionet që ai shprehu për vërejtjet që kanë shprehur kolegët e opozitës, ishin qëndrime të Komisionit të BE-së. Ne kërkuam që të diskutohen me ekspertët dhe ata të na sjellin një material të përmbledhur për ato që u ra dakord dhe për ato që nuk u ra dakord”, tha Majko.

Euralius, kundër PD-së: Nuk preket roli i ndërkombëtarëve

Për mëse dy orë ekspertët e EURALIUS dhe OPDAT kanë dhënë vlerësimet e tyre mbi opsionet e opozitës mbi draftin “Për rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve”. Pas mbledhjes ka qenë misioni EURALIUS që nëpërmjet një njoftimi zyrtar ka dalë kundër minimizimit të rolit të ndërkombëtarëve në procesin e “Vettingut”. “Ndryshe nga idetë e propozuara nga opozita, EURALIUS theksoi katër parime thelbësore për anëtarësimin në Bashkimin Evropian duke theksuar: a) Nuk mund të ekzistojnë afate kohore ose kalendar për çdo çështje individuale; b) Procesi i rivlerësimit përdorë informacionet, dosje si dhe struktura administrative ekzistuese veçanërisht të ILDKP-së; c) Roli i misionit ndërkombëtar të monitorimit nuk duhet të reduktohet; d) Bashkëpunëtorët e drejtësisë konsiderohen si një mjet i rëndësishëm për të hyrë në praktika korruptive për marrjen e provave. Nga ana tjetër, OPDAT shpjegoi kontrollin e figurës bazuar në standardet e SHBA-ve, BE dhe NATO-s sipas të cilave një institucion mbledh informacionin dhe komisioni i rivlerësimit merr vendimin”, thuhet në njoftimin zyrtar.

Basha: Rama kërkon t’u mbyllë gojën mediave

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, akuzoi kryeministrin Edi Rama, se është pikërisht ai që fshihet pas nenit 13 të projektligjit “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”, pjesë e paketës për reformën në drejtësi. Sipas këtij neni, “çdo lloj influence e papërshtatshme e ushtruar mbi punën e prokurorëve të posaçëm apo aktivitetin e tyre mbi çështje konkrete
përmes autoriteteve publike, mediave apo çdo mënyre apo personi tjetër, që ndikon mbi pavarësinë e prokurorëve gjatë ushtrimit të detyrave të tyre, ndalohet dhe dënohet me ligj”. Dhe dënimi në kodin penal për këtë lloj vepre shkon deri në tri vite burg. Kreu i opozitës Basha e cilëson një orvatje të Ramës për t’i mbyllur gojën medias, ndërsa paralajmëron se PD-ja do të bëhet bllokim për kalimin e këtij neni. “Nuk ka dyshim se Edi Rama fshihet pas djallëzisë së nenit 13 të ligjit për aktivitetin e Prokurorisë në luftën kundër korrupsionit, që hap derën e një censure të paprecedentë, duke parashikuar dënimin e gazetarëve. Direkt me dorën e tij apo të ndonjë Xhafe, Edi Rama ka parashikuar qelinë për ndonjë gazetar që bën shkrim ose mban qëndrim të papërshtatshëm. Sigurisht, kjo masë nuk ka lidhje me reformën në drejtësi. Është një standard i juntave të korruptuara. Ky nen s’do të kalojë kurrë, sepse do ndalet nga Partia Demokratike. Por është shumë e rëndësishme të zbardhet e plotë skema se si erdhi ky nen, kush e shkroi, kush e zbatoi porosinë politike”, shkruan Basha në faqen e tij në “Facebook”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat