Dëshmia e të miturës: Dy orë tmerr, kushëriri me ftoi për ti parë kompjuterin, por më kërcënoi me jetë

Shqipëria

Dëshmia e të miturës: Dy orë tmerr, kushëriri me ftoi për ti parë kompjuterin, por më kërcënoi me jetë

Më: 17 gusht 2016 Në ora: 23:52
Ilustrim

Vajza 11-vjeçare që u mbajt peng dhe u kërcënua me jetë nga kushëriri i saj me probleme mendore, ka rrëfyer momentet e tmerrit.

E mitura me inicialet Xh.K. është marrë në pyetje nga policia në prani të psikologes. Ajo ka shpjeguar të gjithë dinamikën e ngjarjes, nga rrëmbimi brenda në banesën e saj nga 46-vjeçari Arben Kabashi e deri në momentin që u shpëtua nga forcat e policisë. Vajza mësohet të ketë deklaruar se është kërcënuar me jetë në momentin që ka tentuar të largohej nga banesa e tij. Ajo ka pohuar se agresori mbante në duar një thikë, duke e kërcënuar se po të largohej, do ta qëllonte.  “Ishte ora rreth 07:00. Babi dhe mami ishin në punë, ndërsa motra e madhe ndodhej në tualet. Unë ndodhesha në oborrin e shtëpisë. Ai (Arbeni) u afrua dhe më tha të vija te shtëpia e tij për të parë kompjuterin, pasi tha se nuk punonte mirë. I thashë ‘nuk mundem se kam punë, kam shtëpinë vetëm’.  

Por ai u inatos shumë dhe më urdhëroi të shkoja urgjent ta shikoja çfarë kishte kompjuteri që nuk punonte. Kur u futa brenda, më tha ‘nuk ke për të dalë më jashtë, do rrish këtu sa të them unë’. Mbante një thikë në dorë dhe më kërcënonte se do të më vriste nëse tentoja të dilja nga shtëpia. Nuk më preku fare me dorë. Pas pak kohësh, dëgjuam se përjashta kishte ardhur policia. Në oborr ishin disa policë, disa flisnin me Arbenin, ndërsa të tjerët u futën dhe më morën me shpejtësi, duke më nxjerrë jashtë menjëherë. U tremba shumë, sepse Arbeni njihet si person problematik në zonën tonë”, ka pohuar ndër të tjera për policinë 11- vjeçarja, në prani të psikologes. Sakaq, Arben Kabashi, i cili rrëmbeu kushërirën e tij të mitur, duke e mbajtur peng për afro dy orë në banesën e tij, ndodhet në dhomat e paraburgimit të Drejtorisë së Policisë Durrës. 

Ai është diagnostikuar nga spitali psikiatrik i Elbasanit me skizofreni dhe banorët e fshatit Rrashbull, ku ndodhi ngjarja, kërkuan me ngulm dy ditë më parë të merreshin masa, pasi 46- vjeçari mund të përbënte rrezik për ta apo për fëmijët e tyre. Mbi Kabashin rëndon akuza “heqje e paligjshme e lirisë”. Pritet të jepet masa e sigurisë, ndërsa do të vlerësohet nga trupi gjykues edhe fakti i gjendjes së shëndetit mendor të tij. Nuk përjashtohet mundësia që ai të çohet sërish te Psikiatriku.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat