Skandali/Qeveria dështoi në furnizimin me ilaçe të spitaleve dhe funksionimin e pajisjeve mjekësore

Shqipëria

Skandali/Qeveria dështoi në furnizimin me ilaçe të spitaleve dhe funksionimin e pajisjeve mjekësore

Më: 17 gusht 2016 Në ora: 10:14
Ilir Beqaj

Ministria e Shëndetësisë ka dështuar totalisht në furnizimin e spitaleve me medikamente mjekësore. Kjo pranohet nga vetë Qeveria përmes dokumentit mbi projektet e Ministrive për periudhën 11 Maj 2015-Dhjetor 2016.

Në dokumentin e publikuar në faqen zyrtare të Qeverisë shqiptare, thuhet se furnizimi i vijueshëm i spitaleve me barna e medikamente mjekësore ishte parashikuar të përfundonte në maj të këtij viti. Por realizimi i objektivit, sipas dokumentit të Qeverisë, është zero përqind.

Po kështu Ministria e Shëndetësisë ka dështuar totalisht në mirëmbajtjen dhe funksionalitetin në vijimësi të pajisjeve biomjekësore, ku sërisht realizimi është 0 përqind.

Qytetarët janë ankuar vazhdimisht për mungesën e medikamenteve në qendrat spitalore, madje në jo pak raste janë organizuar protesta nga pjesëtarë të shoqërisë civile, për të siguruar medikamentet që konsiderohen jetike për fëmijët.

Mungesat e medikamenteve janë veçanërisht në spitalin onkologjik, kura të cilat për shkak të çmimeve të larta, nuk mund të përballohen duke u blerë nga pacientët apo të afërm të tyre.

Por një tjetër problem i denoncuar është ai për medikamentet e skaduara, të cilat ndodhen në depot farmaceutike të qendrave shëndetësore dhe spitalore.

KLSH ka bërë të ditur se nga auditi i ushtruar në QSUT, ka rezultuar se për vitin 2014 rezultojnë të jenë skaduar 146.863 medikamente në vlerë 38,203,099 lekë, me arsyen se të gjitha këto barna janë blerë në sasi të konsiderueshme dhe që nuk kanë arritur të përdoren, pavarësisht se afati i përdorim ka qenë relativisht nga 1-2 vjet.

Shëndetësia ishte një nga premtimet e mëdha të Qeverisë, për të cilat duket se ka dështuar totalisht. Jo vetëm që nuk u realizua premtimi për shëndetësi falas, jo vetëm që janë denoncuar skandale me konçensionet në vlera disa milionë euro, të cilat po hetohen nga Prokuroria, por tashmë Qeveria ka dështuar edhe në objektivin e përcaktuar nga vetë ajo, furnizimin me barna dhe mirëmbajtje të pajisjeve mjekësore.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat