Ambasada shqiptare në Athinë: Vdekja e emigrantit e filmuar, kemi kërkuar pamjet

Shqipëria

Ambasada shqiptare në Athinë: Vdekja e emigrantit e filmuar, kemi kërkuar pamjet

Më: 15 gusht 2016 Në ora: 15:37
Pëllumb Marnikollaj

Vdekja misterioze e 29-vjeçarit shqiptar Pëllumb Marnikollaj në një komisariat të policisë në kryeqytetin grek Athinë do të hetohet nga Prokuroria e Lezhës, ku të afërmit e të ndjerit kanë bërë kallëzimin penal.

Në bazë të këtij kallëzimi, prokuroria urdhëroi edhe kryerjen e ekspertizës mjeko-ligjore të trupit të viktimës.

Mjekët ligjorë kqyrën ditën e djelë trupin e të ndjerit dhe burime konfidencialë kanë pohuar për mediat shqiptare se, krahas dëmtimeve të tjera, që pritet të përcaktohen nëse janë shkaktuar nga rënia nga lartësia apo nga mjete të tjera, kanë konstatuar edhe disa shenja të ngjashme me ato të fikjes së cigareve në trup.

Duke qenë se 29-vjeçari ka humbur jetën më datë 3 gusht dhe këqyrja e trupit është bërë më datë 14 gusht, pra 11 ditë pas vdekjes, këto shenja pritet të konfirmohen në ditët në vazhdim se nga çfarë janë shkaktuar.

Ndërkohë, ambasadori i Shqipërisë në Greqi, Dashnor Dervish ka bërë të ditur se menjëherë pala shqiptare është vënë në kontakte me policinë greke për të marrë më shumë informacione lidhur me atë çfarë i ka ndodhur 29-vjeçarit shqiptar.

Dervishi ka deklaruar se e gjithë skena është filmuar nga një kamera sigurise që ndodhet në dhomën ku ka ndodhur ngjarja, pamjet e të cilës ata ia kanë kërkuar autoriteteve greke, por që u është thënë se do t’u vihen në dispozicion në një moment tjetër, pasi ngjarja është ende në hetim.

Në lidhje me këtë ngjarje ka reaguar edhe Avokati i Popullit, Igli Totozani, i cili i ka dërguar një letër homologut grek duke i kërkuar të hetojë këtë rast.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat