Përjetësia, njohje intuitive poetike e Lasgush Poradecit

Libra

Përjetësia, njohje intuitive poetike e Lasgush Poradecit

Nga: Sulejman Mehazi Më: 13 gusht 2016 Në ora: 15:24
Lasgush Poradeci

Nuk e di në është ambicioze apo modeste studimi im për të folur mbi ciklet: “Vallja e Përjetësisë” dhe “Zemra e Përjetësisë” të Lasgush Poradecit. Pikësëpari, përjetësia kuptohet si problem i madh filozofik që ka të bëjë me kohën, me realitetin e botës së jashtme dhe të njohjes; mirëpo përjetësia zë dhe një kuptim dytësor, sepse nuk ka të bëjë aq me filozofinë, sesa me poezinë dhe teologjinë.

Para se të themi se ç’është përjetësia do të shënojm? vargjet e para të poezisë ”Përjetësija” të ciklit “Zemra e Përjetësisë”:

Jam sot,

Si vjet,      

Si mot,

Si përgjithënjë.(Lasgush Poradeci, vepra I, “albPaper”, Tiranë, fq. 215.)

Sipas këtyre vargjeve vërehet se përjetësia nuk është vetëm e sotmja, përkundrazi, ajo është e të gjithave të djeshmeve tona, e gjithë e shkuara, ajo e shkuar që s’dihet se kur ka filluar dhe e gjithë e ardhmja mjaft e frikshme dhe e pa sigurtë.

E ç’është përjetësia?

Përjetësia sipas poetit është kur në një çastë bashkohen mrekullisht tri kohët kryesore në një. Plotini thotë: “Ekzistojnë tri kohë, e të trija janë të tashme”,(Jorges Luis Borges, Pavdekësia dhe ligjërata të tjera, Tiranë, 2000.) “Jam sot” është e tashmja aktuale e përjetësisë, momenti në të cilën është duke folur poeti, “Si vjet”, është e tashmja e së shkuarës, që mund të quhet kujtesë, dhe e tashmja e së ardhmes “Si mot” që mund të kuptohet si shpresë apo frikë poetike. “Si përgjithënjë” koha është imazhi i lëvizshëm i përjetësisë, që do me thënë se koha burimin dhe rrjedhjen e ka nga përjetësia, nga një qenie e përjetshme dhe kjo qenie e përjetshme më vonë do të projektohet në “trupin” fizik, në “zemër” që shijon dhe “shpirtin” e frymëzuar. Përjetësia kuptohet si rrjeshshmëri e vazhdueshme dhe e pakrahasueshme gjendjesh ku secila kohë paralajmëron atë që vjen dhe përmban atë që ka ikur.

Asnjëra prej tri kohëve nuk mbaron, por ndërthuret me njëra tjetrën. Kjo ndërthurje poetike ka për qëllim rrokjen, përkapjen dhe përjetimin e absolutes që është metafizikë e lashtë arketipe universale, e cila pranon realitetin e përjetësisë si esenciale për ekzistencën dhe është psikologji poetike e cila në trup, në zemër dhe në shpirt gjen diçka të ngjashme, po bile identike me realitetin e përjetësisë. “Në trup jam,/Në zemër’ e shpirtin t’ënd.” Po të krahasojmë mënyrat e ndryshme të përkufizimit të trupit real dhe konceptimit të përjetësisë, gjegjësisht të pavdekshmëris?, do të hasim dy mënyra të njohjes. E para, është ardhja dhe hyrja e përjetësisë në trup, në zemër dhe shpirt:

“Kur jam në trupin t’ënd,

Jam domosdo

Kur jam në zemër t’ënde,

Jam vetiu

Kur jam në shpirtin t’ënd

Jam domosdo”

Kurse e dyta, dalja e p?rjetësisë nga trupi, zemra dhe shpirti: “Dhe jashta trupit t’ënd prej vetvetiu:”; “Dhe jashtë zemrës s’ate domosdo:” “Dhe jasht shpirtit t’ënd prej vetvetiu:”

E para, varet nga këndvështrimi i simboleve të përdorura siç janë: trupi, zemra dhe shpirti, ndërsa e dyta, nuk varet nga asnjë këndvështrim dhe nuk mbështetet në simbole të caktuara.

Këndvështrimi i parë poetik përbën frymën poetike filozofike, të paraqitura në historinë e mendimit filozofik dhe është relative, gjersa këndvështrimi i dytë përbën trashëgimin poetike të gjithëmbarshme metafizike, “Jam domosdo”, “Jam vetiu”.

Përjetësia për poetin në fillim është “Lëndë-e thjeshtë, lënd’ ujem”, është rrjedhshm?ri e vazhdueshme dhe e pakrahasueshme gjendjesh ku secila paralajmëron atë që vjen dhe përmban atë që ka ikur. Asnjëra prej tyre nuk fillon dhe nuk mbaron, por të ndërlidhura dhe të ndërthurura njëra me tjetrën sipas rrjedhës së vendit (hapsirës) dhe kohës:

“Marr të rëndët që përdhe.

Marr të fellët nënë dhe.

Po që Lart orej Qënies vetë

Marr e jap përjetësi”

Këto vargje kanë për qëllim rrokjen dhe përjetimin e apsolutes dhe është metafizikë e lashtë dhe univefsale e cila pranon përjetësinë. Për Lasgush Poradecin është etikë dhe estetikë e artit poetik, që si cak të fundit paraqet pranimin e një realiteti imanent dhe transedent që është emërtuar “Përjetësia”.” Përjetësia është botë harmonike e arketipe sepse këtë poeti e shpreh me anë të “Lënda dhe Jeta”, “Fryma dhe Qëllimi”,”Ndjenja dhe Njeriu” dhe “Njeriu dhe Zoti”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat