Shprehet shqetësim për të rinjtë që shfrytëzohen për punë të rënda në Shqipëri

Shqipëria

Shprehet shqetësim për të rinjtë që shfrytëzohen për punë të rënda në Shqipëri

Më: 12 gusht 2016 Në ora: 13:00
Ilustrim

Në Ditën Ndërkombëtare të Rinisë, avokati i popullit, Igli Totozani, është shprehur me shqetësim për ata qindra të mitur dhe të rinj shqiptarë që shfrytëzohen në punë të rënda, të papaguara apo në të zezë pa u paguar sigurimet dhe detyrimet e tjera sipas ligjit. Por edhe për të gjithë ata të rinj, të cilët shohin si zgjidhje të vetme largimin nga Shqipëria, për shkak të pamundësisë për t’u sistemuar me një të ardhme të sigurt në atdhe.

“Në një situatë krejtësisht antiligjore gjenden, gjithashtu, me dhjetëra e qindra të mitur të tjerë që shfrytëzohen në punë të ndryshme”, thekson Totozani, i cili vëren se, “autoritetet shtetërore përgjegjëse, qendrore dhe lokale, tregohen krejt indiferentë ndaj shfrytëzimit të punës së të miturve edhe gjatë këtij sezoni turistik”.

“Janë të shumtë fëmijët që punojnë në bregdet, duke u shërbyer pushuesve, duke shitur prodhime të ndryshme, për një kohë të gjatë dhe nën temperatura të larta. Një gjë e tillë shkel të gjitha normat e mirërritjes dhe mirëqenies së këtyre të miturve, duke mos u garantuar atyre një jetë normale”, thekson avokati i Popullit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat