DASH: Grupet fetare kanë ankesa për kthimin e pronave

Shqipëria

DASH: Grupet fetare kanë ankesa për kthimin e pronave

Më: 10 gusht 2016 Në ora: 21:10
Departamenti amerikan i Shtetit

Departamenti amerikan i Shtetit botoi sot raportin vjetor për gjendjen e lirive fetare në botë për vitin 2015. Dy shkelësit më të mëdhenj të lirive fetare, sipas raportit janë grupet Da’esh dhe Boko Haram që kanë kryer disa nga krimet më mizore.

Në territoret që kontrollon, grupi Shteti Islamik vazhdon të ndjekë një strategji mizore që Sekretari i Shtetit John Kerry e ka quajtur gjenocid kundër grupeve Yazidi, besimtarëve të krishterë, sektit shia dhe grupeve të tjera të pambrojtura. Boko Haram, i cili në mars të vitit të kaluar shpall aleancën me grupin Shteti Islamik, vazhdon të kryejë sulme pa dallim si ndaj të krishterëve edhe ndaj myslimanëve që kundërshtojnë ideologjinë e tij të dhunshme.

Veç këtyre dy grupeve, thuhet në raport, qeveritë në vende të ndryshme të botës, vazhduan të shtrëngojnë rregullat ndaj grupeve fetare, veçanërisht ndaj pakicave fetare që nuk shihen si tradicionale për një vend të caktuar.

Në Shqipëri sipas raportit, shteti është neutral ndaj çështjeve fetare, njeh barazinë dhe pavarësinë e grupeve fetare, garanton lirinë e fesë dhe ndalon diskriminimin fetar. Qeveria ka marrëveshje me 5 grupe fetare dhe shteti ndihmon me fonde 4 prej tyre. Grupet fetare janë ankuar se është bërë pak përparim për zgjidhjen e rreth 1 mijë pretendimeve të tyre për kthim pronash të sekuestruara gjatë regjimit komunist. Kisha autoqefale ortodokse shprehu pakënaqësinë e saj ndaj shkatërrimit nga autoritetet lokale të një strukture që ajo thoshte se ishte kishë. Përmes Këshillit Ndërfetar, thuhet në raport, udhëheqësit e komuniteteve suni, ortodokse, katolike, protestante dhe bektashinj takohen për të diskutuar shqetësimet e tyre të përbashkëta.

Në kapitullin për Kosovën, raporti thekson se ligjet nuk lejojnë regjistrimin e grupeve fetare si person juridik, duke u krijuar kështu pengesa funksionimit të tyre. Qeveria, thuhet më tej, mori masa të miratonte një projekt-ligj që do të lejonte grupet fetare me mbi 50 vetë që të regjistrohen. Raporti ve në dukje një sërë incidentesh gjatë vitit të kaluar, si ai kur protestuesit shqiptarë, me sa duket të organizuar nga politikanët, qëlluan me gurë dhe u përpoqën të ndalonin pelegrinët ortodoksë serbë të ndiqnin meshën e Krishlindjeve në Gjakovë. Qeveria thuhet në raport ka hartuar një strategji për t’iu kundërvënë ekstremizmit të dhunshëm që përfshin edhe bashkëpunimin me komunitetit mysliman.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat