Rekrutimet në FA, kriteret për kandidatët

Shqipëria

Rekrutimet në FA, kriteret për kandidatët

Më: 8 gusht 2016 Në ora: 07:45
Foto ilustrim

Ministria e Mbrojtjes ka hapur procedurat për rekrutimin e ushtarëve aktivë për forcat tokësore dhe detare. Afati i regjistrimeve për kandidatët është data 15 shtator, ndërsa ata që aplikojnë, duhet të plotësojnë një sërë kriteresh, të vendosura nga Qendra e Personel Rekrutimit për t’u pranuar. Për t’u rekrutuar, ata duhet që të mos jenë dënuar nga gjykata për vepra penale, të mos jenë në ndjekje penale, të mos kenë humbur të drejtën e ushtrimit të profesionit ose veprimtarisë në administratën publike me vendim gjykate. Mosha minimale e rekrutimit është 18 vjeç dhe maksimalja jo më shumë se 27 vjeç. Përjashtim bëjnë vetëm shtetasit që do të titullohen ushtar a detar aktiv, të cilët do të jenë personel mjekësor i Forcave të Armatosura dhe në momentin e titullimit nuk duhet të kenë mbushur moshën 32 vjeç. Me rregullat e miratuara këtë vit, kandidatët meshkuj duhet kenë lartësi trupore mbi 170 cm, ndërsa femrat mbi 165 cm. Ndërkohë, kandidatët për ushtar aktiv, të planifikuar për kompletimin e Policisë Ushtarake, duhet të kenë gjatësinë trupore mbi 170 cm për meshkuj dhe femrat. Për të bërë regjistrimet, shtetasit duhet të paraqiten në zyrën e pranimit në Qendrën e Personel Rekrutimit, e cila do të vijojë më pas procedurat e testimit dhe përzgjedhjes me ata që janë gjykuar të aftë nga ana shëndetësore. Sipas kësaj qendre, fituesit do të pranohen për periudhën tetor-dhjetor, me të drejtë pagese, ndërkohë që janë 250 vende të lira.

Dokumentet 

Kandidatët duhet të paraqesin një sërë dokumentesh gjatë regjistrimit të tilla si, fotokopja e kartës së identitetit, certifikata familjare, dy fotografi të përmasave 4 x 6 cm dhe dy fotografi të përmasave 9 x 12 cm dhe fotokopje të diplomës së arsimit parauniversitar ose të arsimit të lartë të noterizuar. Gjithashtu, ata duhet të bëjnë një kërkesë më shkrim, në të cilën të parashtrojnë identitetin e aplikantit, statusin familjar, arsyet për të cilat dëshiron të bëhet ushtar a detar aktiv dhe specialitetin në të cilën dëshiron të shërbejë. Po ashtu, në Qendrën e Personel Rekrutimit duhet të dorëzojnë dëshminë e penalitetit, vërtetim nga prokuroria, vërtetim nga gjykata dhe fletën e ekzaminimit mjekësor nga Spitali Ushtarak i Forcave të Armatosura në Komandën Mbështetëse.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat