Meta: Nuk ka arsye për të trazuar koalicionin me reformën në drejtësi

Shqipëria

Meta: Nuk ka arsye për të trazuar koalicionin me reformën në drejtësi

Më: 2 gusht 2016 Në ora: 16:30
Kreu i Kuvendit, Ilir Meta

Kreu i Kuvendit, Ilir Meta, shprehet se çështja e koalicionit nuk duhet përzier me reformën në drejtësi. I pyetur nga gazetarët, Meta tha se koalicioni qeverisës duhet të përmbushë detyrimet ndaj qytetarëve.

“Çështja e koalicionit të mos përzihet me reformën në drejtësi. Reforma në drejtësi ka përmasa të tjera. Koalicioni ka detyrimet e tij dhe vazhdon punën. Koalicioni sipas vlerësimit im duhet të përmbushë detyrimet e qeverisë, morale dhe programore ndaj qytetarëve tanë”, tha Meta.

Prononcimi i Metës erdhi pas raportimeve se ai ka zhvilluar një takim me Sekretarin për Reformën Strukturore dhe Emigracionin në PS, Koço Kokëdhima, në një hotel në zonën e Bllokut. Meta tha se ndodhej aty për çështje që nuk kanë të bëjnë me politikën.

“Dua t’u sqaroj se kam qenë për dy orë me Arjanin. Ai është miku im, trajneri dhe masazhatori im për një kohë të gjatë. Më ndihmon të çliroj toksinat që të detoksikojmë edhe politikën. Ushtrimi më i mirë është biçikleta në ujë. Unë do të vij vazhdimisht, nuk është e nevojshme që ju të vini”, u tha ai gazetarëve.

Në lidhje me miratimin e 7 ligjeve të reformës në drejtësi, Meta tha se është e rëndësishme të mos bëhen veprime të nxituara.

“Kemi rënë dakord me përfaqësuesit e opozitës që të ecim, sot është bërë një seancë ku janë paraqitur propozimet e saj që do të shqyrtohen nga partnerët tanë që na asistuan për reformën. Sa më shpejt të jemi në gjendje të kontribuojmë për një seancë të suksesshme plenare ose në dy seanca të zakonshme. Mazhoranca mund t’i votonte në çdo moment ligjet, por është e rëndësishme që të mos bëjmë veprime të nxituara që mund të çojnë ndonjë nga ligjet në Gjykatën Kushtetuese”.

I pyetur për qeverinë teknike dhe ndryshimit e qeverisë, Meta tha se qeveria teknike u përfol para miratimit të reformës në drejtësi. Ai tha se tashmë kjo është një situatë e kapërcyer dhe se qeveria teknike është diçka tjetër nga ajo që flet kreu i PD-së, Lulzim Basha. Meta siguroi që angazhimi për zgjedhje të lira dhe të ndershme do të jetë maksimal.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat