‘Vettingu”, Kuvendi afat deri më 25 gusht për ta miratuar

Shqipëria

‘Vettingu”, Kuvendi afat deri më 25 gusht për ta miratuar

Më: 1 gusht 2016 Në ora: 08:21
Komisioni per reformen në drejtësi

Data 25 gusht është afati i fundit kur parlamenti shqiptar ka mundësi të miratojë në mos 7 ligjet që shoqërojnë reformën në drejtësi, të paktën ligjin e ashtuquajtur për “vettingun”. BE-ja dhe SHBA-të e kanë vënë gushtin si muajin e fundit kur parlamenti, edhe pse është me pushime, duhet të mblidhet për ta kaluar këtë projektligj.

Burimet nga mazhoranca bëjnë me dije se e gjitha kjo ngjeshje afatesh e ka një arsye. BE-ja e SHBA kanë vendosur të financojnë të gjithë projektin për ngritjen e institucioneve të reja që do të ngrihen për të bërë procesin e vettingut. Ashtu siç sqaroi edhe kreu i Komisionit të Posaçëm të Reformës në Drejtësi, Fatmir Xhafaj, ndërkohë BE-ja e SHBA-të e kanë filluar projektin dhe janë duke bërë përzgjedhjen e gjyqtarëve dhe prokurorëve evropianë dhe amerikanë që do të vijnë të asistojnë, po përgatisin infrastrukturën. Ndërkombëtarët do të financojnë edhe trajnimet që do të marrin, Byroja Kombëtare e Hetimit, Prokuroria e posaçme Kundër Korrupsionit, Gjykata e Posaçme. Pikërisht për këto arsye, Shqipëria fillimisht duhet të ketë dhënë provën që ka nisur zbatimin e reformës. 

Nga ana tjetër janë edhe afatet që Shqipëria duhet të përmbushë si vend që aspiron të çelë negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Në shtator Shqipëria do të raportojë për ecurinë pranë Komisionit Europian. Ndërsa në tetor, Komisioni Europian pritet të publikojë raportin e progresit të Shqipërisë dhe që të rekomandojë hapjen e negociatave të anëtarësimit, ndaj vendi duhet të ketë dhënë prova se po e zbaton reformën në drejtësi, në mënyrë që në dhjetor vendet anëtare të BE-së të marrin një vendim pozitiv. 

Komisioni

Ndërkohë, edhe pse deputetët shqiptarë janë me pushime, ata që janë anëtarë të Komisionit të Posaçëm të Reformës në Drejtësi do të mblidhen të martën për të vijuar diskutimin për projektligjin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë. Burimet nga PD u thanë mediave se ekspertët e opozitës kanë përgatitur edhe opinionin e tyre. Ky opinion do paraqitet në mbledhjen e komisionit, ndërsa opozita ka kërkuar që seanca të zhvillohet e hapur për mediat. Neni 34 i projektligjit që lidhet me standardet e kontrollit të figurës së gjyqtarëve dhe prokurorëve pritet të jetë me i debatueshmi për shkak të kufizimeve të tij.

Ky nen në procesin e rivlerësimit cilëson si rrethanë ndaluese edhe kur subjekti është fotografuar, ose kur një dëshmitar përshkruan një takim me një person të përfshirë në krimin e organizuar; gjithashtu, kur subjekti i rivlerësimit ose personi i lidhur me të ka pasur një komunikim me një person të përfshirë në krimin e organizuar, apo ku subjekti i rivlerësimit merr pjesë në takime, aktivitete, ose raste të tjera, me një ose më shumë persona të përfshirë në krimin e organizuar. E pikërisht ky kufizim, krahas kufizimeve të tjera në draftin përfundimtar të ekspertëve të OPDAT dhe EURALIUS, mund të jenë mosmarrëveshja e radhës mes opozitës dhe mazhorancës, pas tejkalimit të debatit për procedurën e miratimit të ligjit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat