Shkodër, Apeli lë në fuqi 32 vite burg për Shpëtim Sadikun

Shqipëria

Shkodër, Apeli lë në fuqi 32 vite burg për Shpëtim Sadikun

Më: 27 korrik 2016 Në ora: 18:33
Gjykata e Apelit, Shkodër

Gjykata e Apelit Shkodër mori sot në shqyrtim kërkesën për ndryshim të masës së dënimit për pandehurin Shpëtim Sadiku, person që akuzohet për kryerjen e veprës penale “vrasje me paramendim për hakmarrje”. Në një informacion dhënë për ATSH-në nga kancelarja e Gjykatës së Apelit Shkodër, Greta Laloshi, bëhet e ditur se trupi gjykues i përbërë nga gjyqtarët Fuat Vjerdha, Hajrie Muçmata e Valbona Vata, me vendimin nr.353, datë 27 korrik 2016 vendosi lënien në fuqi të vendimit të datës 18 prill të këtij viti, dhënë nga ana e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër përsa i përket cilësimit juridik, deklarimit fajtor të të pandehurit Shpëtim Jasim Sadiku.

Në vendimin e mësipërm citohej se Gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër kishte marrë vendimin për dënimin e të pandehurit Shpëtim Jasim Sadiku me 30 vjet burgim. Duke i shtuar edhe deklarimin fajtor të të pandehurit Sadiku për kryerjen e veprës penale “prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”, masa e dënimit shtohej edhe 2 vjet burgim dhe që në bashkimin e dënimeve masa e dënimit për  të pandehurin Shpëtim Sadiku shkonte me një dënim prej 32 vjet burgim. Por, që me aplikim të nenit 406 të Kodit të Procedurës Penale, zbritja e një të tretave të dënimit të dhënë, dënimi përfundimisht ishte me 21 vjet e 4  muaj burgim.

Në proçesin gjyqësor të sotëm zhvilluar në Gjykatën e Apelit Shkodër, trupi gjykues vendosi lënien në fuqi të vendimit të mëparshëm me 21 vjet e 4  muaj burgim.

Shkak për krimin ishte një mosmarrëveshje për pagesën e dy muajve punë, që vëllai i autorit kishte pa marrë nga viktima. Ngjarja ndodhi në një nga lokalet, që ndodhen në qendër të qytetit të Shkodrës. Shpëtim Sadiku, nga fshati Rranxa i komunës Bushat, ishte vëllai i një të punësuari te viktima Palok Lazri. Viktima ishte ndërtues dhe vëllai i autorit, shtetasi Ardit Sadiku punonte tek kompania e Lazrit, si roje dhe shofer.

Shtetasi Ardit Sadiku kishte pretendimin se shtetasi Lazri i kishte detyrim rreth 100 mijë lekë për punën e kryer dhe të papaguar. Ky konflikt i zgjatur në kohë, konsiderohet nga Prokuroria e Shkodrës si arsyeja kryesore që Shpëtim Sadiku ka ndjekur lëvizjet e Palok Lazrit dhe e ka qëlluar tri herë me pistoletë, kur viktima ishte i ulur në një lokal.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat