Basha letër presidentit të Komisionit të Venecias: Reforma, sipas rekomandimeve tuaja

Shqipëria

Basha letër presidentit të Komisionit të Venecias: Reforma, sipas rekomandimeve tuaja

Më: 25 korrik 2016 Në ora: 16:47
Lulzim Basha

Pas miratimit të reformës në drejtësi, kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha i ka dërguar një letër Presidentit të Komisionit të Venecias Gianni Buquicchio.

Basha, në letrën e tij, shprehet se opozitat u investua shumë në rrugën e gjatë të negociatave për të bërë të mundur që reforma në drejtësi dhe ndryshimet kushtetuese të bëheshin në përputhje me rekomandimet e Komisionit të Venecias.

Në fund të letrës, Basha vlerëson angazhimin e Komisionit të Venecias për kontributin që ka dhënë në draftin e reformës në drejtësi.

Letra e Lulzim Bashës dërguar Presidentit të Komisionit të Venecias:

SH.T.Z. Gianni Buquicchio President

Komisioni Europian për Demokraci Nëpërmjet Ligjit

Komisioni i Venecias

Tiranë, 25 Korrik 2016

I nderuar President Buquicchio,

Më lejoni të shpreh vlerësimin dhe mirënjohjen time më të thellë për Komisionin e Venecias dhe për Ju zoti President, për mbështetjen e jazhtëzakonshme që keni dhënë në drejtimin e përpjekjeve për forcimin e demokracisë dhe sundimit të ligjit në Shqipëri.

Me kënaqësi të veçantë Ju informoj se ndryshimet Kushtetuese të Reformës në Drejtësi u votuan unanimisht nga Kuvendi i Shqipërisë në seancën plenare të datës 21 Korrik 2016.

Në përmbyllje të kësaj faze të procesit, dhe në emër të Partise Demokratike dhe Opozitës shqiptare, më lejoni të shpreh mirenjohjen më të përzemërt për Komisionin e Venecias, për rolin Tuaj të pazëvendësueshëm në realizimin me sukses të kësaj faze të Reformës, duke garantuar nëpërmjet rekomandimeve Tuaja në të dy Opinionet që ndryshimet kushtetuese për sistemin e drejtësisë në Shqipëri të jene në përputhje me standardet më të mira europiane dhe ndërkombëtare si dhe Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut.

Ekspertiza profesionale dhe rekomandimet e qarta të Komisionit të Venecias siguruan ndryshime tërësore dhe permiresime të thella të Amendamenteve Kushtetuese, duke i hapur rrugë ndërtimit të një drejtësie të pavarur, llogaridhënëse dhe politikisht të pakapur, që lufton korrupsionin në nivelet më të larta dhe krimin e organizuar. Partia Demokratike dhe Opozita shqiptare ka investuar të gjitha përpjekjet e saj që këto parime të respektoheshin përgjatë gjithë procesit të Reformës në Drejtësi.

Nisur nga zotimi im personal për të garantuar zbatimin e plotë të Opinionit Final të Komisionit të Venecias,  jam i lumtur të ndaj me ju faktin se pavarësisht sfidave të panumërta dhe pengesave të vështira përgjatë gjithë këtij procesi, opozita shqiptare ia doli të siguronte që ndryshimet kushtetuese të votuara të jenë në përputhje me Rekomandimet Tuaja.

Në këtë kuadër, më lejoni t’Ju rikonfirmoj vlerësimin tim më të lartë për rolin dhe kontributin e Komisionit të Venecias, në përfundimin me sukses të fazës së parë të Reformës në Drejtësi, si edhe për kontributin Tuaj të mëhershëm në realizimin e Reformës së Dekriminalizimit.

Është bindja ime e thellë se miratimi i këtyre dy reformave kyçe; në përputhje me standardet e Komisionit të Venecias, është një investim solid për qytetarët shqiptarë dhe të ardhmen e tyre europiane.

Ju lutem pranoni, i Nderuar President Buquicchio, sigurimet e konsideratës dhe vlerësimit tim më të lartë për Ju dhe anëtarët e Komisionit të Venecias.

Lulzim Basha

Kryetar Partia Demokratike e Shqipërisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat