Bujar Nishani, nis sot viti i fundit i mandatit presidencial

Shqipëria

Bujar Nishani, nis sot viti i fundit i mandatit presidencial

Më: 24 korrik 2016 Në ora: 13:06
Bujar Nishani

Bujar Nishani do ta nisë sot vitin e fundit të “mbretërimit” në Presidencë, pasi ai më 24 korrik 2017 do ta mbyllë mandatin si president i Republikës.


I zgjedhur nga Kuvendi, Nishani u betua më 24 korrik 2012 dhe ora 18:00 e ditës së sotme shënon plot 4 vjet të ish-deputetit demokrat në krye të shtetit. Ai nuk e ka fshehur dëshirën për të rikandiduar gjatë vitit të ardhshëm, por këtë duhet pritur ende dhe disa muaj.


Në bazë të Kushtetutës, presidenti i Republikës, në çdo rast, zgjidhet për 5 vjet, me të drejtë rizgjedhjeje vetëm njëherë. Mandati i tij përfundon në të njëjtën datë të të njëjtit muaj të vitit të pestë nga data e betimit si president i Republikës. Mandati i presidentit zgjatet vetëm në kohë lufte dhe për aq kohë sa vazhdon ajo. Ligji Themeltar përcakton se, procedura për zgjedhjen e Presidentit fillon jo më vonë se 60 ditë para mbarimit të mandatit presidencial paraardhës. Në këtë rast, procedura e zgjedhjes së kreut të shtetit duhet të nisë të paktën më 24 maj 2017. Megjithatë, vitin e ardhshëm mbarimi i mandatit të presidentit do të “përplaset” edhe me mbarimin e mandatit të Kuvendit. “Kur mandati presidencial përfundon në gjashtë muajt që i paraprijnë fundit të mandatit të Kuvendit ekzistues, procedura për zgjedhjen e presidentit fillon, jo më vonë se 60 ditë para mbarimit të mandatit të Kuvendit”, thuhet në Kushtetutën e Shqipërisë. 
 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat