OSHEE publikon treguesit e 6-mujorit 2016: Arkëtimet 30.8 mld lekë

Shqipëria

OSHEE publikon treguesit e 6-mujorit 2016: Arkëtimet 30.8 mld lekë

Më: 24 korrik 2016 Në ora: 13:02
Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike ka përmbyllur treguesit e 6-mujorit të parë të vitit 2016 duke shënuar një konsolidim në ritmin e uljes së nivelit të humbjeve të energjisë në masën 3.33% krahasuar me 6-mujorin e parë të vitit 2015.

Sipas të dhënave nga OSHEE, rezulton se për gjysmën e parë të këtij viti, niveli i humbjeve ka zbritur në 28.86% , tregues u cili është më i ulët se projeksioni i parashikimit për 6-mujorin e parë prej 29.09%.

“Treguesi i arkëtimeve nga klientët për faturat e energjisë dhe këstet e AKM-ve shfaqen gjithashtu në shifra të kënaqshme. Plani i 6-mujorit ishte 29.2 miliardë lekë ndërsa ky tregues është tejkaluar pasi janë mbledhur në total 30,8 miliardë lekë”, thuhet në njoftimin për shtyp të OSHEE  -së.

Prej tyre, 28.8 miliardë i përkasin faturave korente, ndërsa 2 miliardë janë arkëtime të detyrimeve të vjetra përmes aktmarrëveshjeve.

Krahasuar me 6-mujorin e viti 2015, arkëtimet vetëm për faturat, shënojnë një rritje të lehtë e cila reflektohet dhe tek norma e arkëtimit total për faturat gjatë periudhës 6-mujore të vitit 2016.

“Për të njëjtën periudhë rezulton të jenë kryer nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike 17,003 lidhje të reja, ndërsa janë instaluar 46,835 matësa të energjisë elektrike në të 11 rajonet në të cilat është ndarë kompania”, vijon njoftimi.

Sipas gjendjes së produkteve të ripagesës me këste në qershor të 2016-s, numri i aktmarrëveshjeve të lidhura ka arritur në 433.971 ndërsa prej tyre 414. 589 i përkasin konsumatorëve familjarë.

Shifra totale e kamatëvonesave të falura nga zbatimi i skemave lehtësuese të pagesave ka arritur në 8.6 miliard lekë ose ndryshe rreth 72 milionë USD.

Nga të dhënat, rezulton se 3.3 miliardë Lekë ose 27 Milionë USD i përket abonentëve familjarë të ndihmës ekonomike, me status të veçantë që kanë hyrë dhe respektuar aktmarrëveshjet e nënshkruara me Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike deri ne fund vitin 2015.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat