Ndryshojnë pagesat e pensioneve

Shqipëria

Ndryshojnë pagesat e pensioneve

Më: 23 korrik 2016 Në ora: 08:58
Ilustrim

Tashmë lidhja dhe transferimi i pensioneve, nuk do të ndiqet më nga individët, por do të jenë institucionet përgjegjëse, si Drejtoritë e Sigurimeve Shoqërore, Posta apo Bankat ato që do të kryejnë procedurat. Një projektvendim i hartuar nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore, synon të shkurtojë kohën e shërbimeve që do të jepen për përfituesit, si dhe të zgjidhë një sërë pengesash që janë krijuar ndër vite me bllokimin e pensioneve të ngrira për shkak të vdekjes së individëve apo ndryshimit të personave të autorizuar për t’i tërhequr. Kështu, sipas drejtuesve të ISSH-së, projektvendimi që paraqitet për shqyrtim ka për qëllim përcaktimin e procedurave më të qarta dhe më të plota lidhur me transferimin e dosjeve të pensioneve nga një rajon në rajonin tjetër, certifikimin e tyre përpara transferimit si dhe vendosjen e procedurave më të shpejta për transferimet lokale të qendrave të pagesës. Gjithashtu, drejtuesit thonë se projektvendimi përcakton procedura më të qarta, lidhur me veprimet financiare që kryhen nga Drejtoritë e Sigurimeve Shoqërore, për mbylljen e pensioneve, si në rastet kur deklarimi i personave të vdekur bëhet nga personat e autorizuar, ashtu edhe në rastet kur këto deklarime mungojnë dhe konstatimi bëhet bazuar në të dhënat për vdekjet që ISSH merr nga Regjistri elektronik i gjendjes civile.

Relacioni Procedurat e transferimit të dosjes së pensionit nga një rajon në tjetrin, si dhe ato të transferimeve lokale të qendrës së pagesës së pensionistit, kanë pasur parasysh që çdo e dhënë bazë e pensionistit dhe e pensioneve në tërësi ishte e përshkruar në mënyrë manuale, çdo pagesë autorizohej dhe paguhej nëpërmjet urdhër pagesave dhe listë pagesave të hartuara me shkrim dore, për çdo dosje të pensionit, duhet të merrej detyrimisht konfirmimi për periudhën e pagesës faktike në Qendrën e Pagesës dhe të tjera procedura të konfirmimit dhe kontrollit, të cilat kanë vonuar tej afateve si transferimin e pensioneve nga një qark në tjetrin, ashtu edhe kalimin e pagesave nga një qendër paguese në tjetrën ose nga zyrat postare në bankat e nivelit të dytë.

“Tashmë, si pasojë e përfundimit të procesit të ndërtimit të bazës së të dhënave të pensioneve, janë krijuar kushtet për të përmirësuar, si procedurat e transferimit të dosjes, transferimet lokale të qendrës së pagesës, ashtu edhe procedurat e mbylljes së përfitimeve dhe pezullimit të pagesave. Të gjitha këto masa kanë për qëllim që të lehtësojnë, përshpejtojnë dhe përmirësojnë ndjeshëm shërbimin ndaj përfituesve, të thjeshtojnë dhe të bëjnë më konkrete procedurat për zbatimin e sistemit informatik dhe të ndjekjes dhe evadimit të debitorëve të nxjerrë prej tij duke përmirësuar ndjeshëm edhe administrimin e fondeve. Transferimi i dosjeve Për të shmangur kthimin e dosjeve të transferuara në drejtorinë nisëse, pas inspektimit, tashmë janë përcaktuar procedura të drejtpërdrejta të lëvizjes së dosjes, gjithashtu, për të shpejtuar procesin, tashmë konfirmimi i pagesave do të jepet drejtpërdrejt nga njësitë e kontrollit të pagesave duke eliminuar për kë- to procese, së paku një periudhë vonesë nga një muaj deri në dy javë. Gjithashtu, sistemi informatik ka krijuar mundësi dhe lehtësi shumë të plota, lidhur me transferimin e qendrës së pagesës nga një zyrë postare në tjetrën si dhe nga këto zyra në drejtim të bankave të nivelit të dytë. Edhe në këto raste, parashikohet që kërkesa për transferim të bëhet në zyrat bankare dhe pastaj është administratë e dy institucioneve e cila kujdeset për ndryshimin e qendrës së pagesës.

“Në rastet kur shumat e kësteve të pensioneve të pa tërhequra janë me shumë se 6 muaj, përpara kërkesës për transferimin e pensionit, pensionisti duhet të paraqitet në zyrën postare për të tërhequr këstet e pensionit të gjeneruara. Vetëm pas këtij veprimi fillojnë procedurat për transferimin lokal të qendrës së pagesës”, parashikon rregullorja e re. Pensionet e pa tërhequra Përditësime e plotësime janë propozuar për miratim edhe lidhur me mbylljen e përfitimeve si në rastet e vdekjes së përfituesit ashtu edhe në raste të tjera. Për këto raste, parashikohet një zgjidhje e re për pensionet e pa tërhequra. Ajo shpallet në paragrafin 8 të pikës IX, “Në rastet kur personi që ndërroi jetë nuk e ka tërhequr pensionin, pensioni i paguhet personit të autorizuar prej tij, ose trashëgimtarëve, sipas dispozitave të Kodit Civil dhe përcaktimeve në marrëveshjet përkatëse midis ISSH-së dhe agjentëve të shërbimit të pagesave. Diferencat për këstet e pensioneve të pa tërhequra si dhe pagesat për vdekje, pasi zbriten detyrimet, në rast se ka, autorizohen për pagesë me dokumentin Urdhër Mbyllje i cili në këtë rast merr fuqinë e një akti që autorizon pagesat. Autorizimi i pagesave të kësteve të pensioneve të pa tërhequra, sipas rastit mund të bëhet edhe nëpërmjet sistemit informatik të pagesave, duke e gjeneruar pagesën në emër të personit të autorizuar ose të përcaktuar në aktin e trashëgimisë”, thuhet në vendim.

Rastet

Gjatë procesit të kontrollit të pagesave, në vitin 2015 janë konstatuar 1160 raste të kësteve të pensioneve të tërhequra pas vdekjes, me një dëm financiar prej 27 806 mijë lekë, i cili është vjelë totalisht nëpërmjet arkëtimit të shumave nga sportelet e zyrave postare si dhe duke i mbajtur ato nga komisionet që DRSSH i paguajnë Postës Shqiptare. Nga kontrolli i kryer për rastet e personave të vdekur që kanë përfituar të ardhura pas vdekjes për periudhën dhjetor 2015- prill 2016 konstatojmë se, nga 8883 raste të sjella nga Gjendja Civile, 7678 raste janë pa efekte financiare sepse janë mbyllur me deklarim të familjarëve ose nuk janë tërhequr këstet e pensioneve pas vdekjes. Në këtë rast familjarët kanë ndjekur rigorozisht procedurën e deklarimit të parashikuar për këtë qëllim. Ndërsa, në 1205 raste ose 13.5 për qind e tyre janë konstatuar pagesa pas vdekjes, të cilat kanë sjellë si pasojë edhe efekte financiare. Dëmi i shkaktuar është 28,924,012 prej të cilit janë arkëtuar nëpërmjet sporteleve të pagesës së Postës Shqiptare dhe bankave të nivelit të dytë 1,074 raste me shumën 23,322,614 dhe ngelen në proces arkëtimi 131 raste në shumën 5,601,398 lekë. Raste të arkëtuara me postë janë 642, dhe raste të arkëtuara me bankë janë 432.

Kërkesat për transferimin e dosjes, ja dokumentet

1. Kërkesa për transferimin e pensionit, e dosjes së pensionit, bëhet në ALSSH-në ku ka vendbanimin e ri pensionisti, sipas kërkesës tip. Në rastet kur personi, i cili kërkon të transferojë dosjen e pensionit nga njëri rajon në tjetrin, kërkon të përfitojë kompensimet për energjinë elektrike, apo kompensime të tjera të njohura me aktet nënligjore në fuqi, duhet të paraqesë edhe dokumentacionin që provon plotësimin e kritereve për secilin lloj të kompensimit.

2. Kërkesa paraqitet tek inspektori pritës në ALSSH, i cili kontrollon në sistemin online të regjistrit të shtetasve, nëse kërkuesi ka vendbanimin në territorin ku shtrin juridiksionin ALSSH-ja.

3. Në rastin kur, kërkuesi nuk ka vendbanimin në territorin e ALSSHsë ku paraqitet kërkesa, inspektori pritës e sqaron personin e interesuar për procedurat e parashikuara në rregullore, duke i dhënë edhe alternativë për kalimin e pagesës së pensionit në një nga Bankat e Nivelit të Dytë.

4. Në rast se kërkesa për transferim të dosjes së pensionit dhe dokumentacioni shoqërues janë konform pikës 1 të këtij kreu, inspektori pritës, printon nga sistemi PCAMS certifikatën e gjendjes civile të vendbanimit të ri, e bashkon atë me kërkesën, dhe bën regjistrimin e saj në librin e pritjes, në rubrikën “Kërkesa për transferim pensioni”.

5. Në fund të ditës së punës, inspektori pritës, dorëzon te Përgjegjësi i Agjencisë kërkesat e pritura. Ky i fundit pasi kontrollon dhe vlerë- son saktësinë e dokumentacionit të sjellë përgatit shkresën shoqëruese drejtuar DRSSH-së.

6. ALSSH-ja një herë në javë, sipas grafikut të miratuar, kërkesat e pranuara për transferim i dorëzon në DRSSH me protokoll ose me postë. Për ALSSH-të e qyteteve ku kanë selitë DRSSH-të, dorëzimi i dokumentacionit bëhet çdo ditë edhe fizikisht edhe në format elektronik.

7. Në DRSSH, kërkesat për transferim pensioni së bashku me dokumentet përkatëse, protokollohen dhe i kalohen Inspektorit të Përgjithshëm Koordinues. Ky i fundit, përgatit shkresën “Kërkesë për transferim dosje”, ndjek procedurën e nënshkrimit nga Drejtori i Drejtorisë, protokollimit dhe nisjen e saj në adresë të Drejtorisë Rajonale ku gjendet dosja e pensionit.

8. Inspektori i përgjithshëm koordinues, i cili ka për detyrë të adresojë saktë kërkesat për transferim, të koordinojë punën e personelit, në procesin e transferimit të dosjeve, të monitorojë respektimin e afateve të caktuara për transferimet e dosjeve dhe kalimin për pagesë si dhe të raportojë për ecurinë e këtij procesi pranë Drejtorit Rajonal dhe në Drejtorinë e Përgjithshme, mban një regjistër pune ku dokumenton të gjithë kërkesat e nisura për transferim, kërkesat e pritura dhe të përpunuara, deri në kalimin e tyre për pagesë.

9. Dosja e ardhur, në përgjigje të kërkesës për transferim, protokollohet në protokollin e Drejtorisë, sipas shkresës përcjellëse të saj dhe Drejtori i DRSSH-së e adreson atë tek Inspektori i Përgjithshëm Kordinues, i cili bën shënimet përkatëse në regjistrin e tij punës dhe ia kalon dosjen Kryetarit të degës së përfitimeve.

10. Kryetari i degës së përfitimeve i kalon dosjen e ardhur inspektorit përpunues dhe ky i fundit mbi bazën e dokumenteve që ka dosja dhe verifikimit të të dhënave, plotëson një vendim për çeljen rishtazi të përfitimit, bën plotësimin e kartelës financiare të pensionit, përgatit urdhërpagesën për zyrat postare offline ose bankat dhe dosjen e kompletuar ia dorëzon kryetarit të degës së përfitimeve. Njëkohësisht, inspektori përpunues, verifikon në sistemin elektronik të pagesave (PCAMS), shënimet e lëna nga DRSSH-ja dërguese dhe kryen të gjitha veprimet në sistem për hapjen e pagesës në rajonin ku dosja është transferuar.

11. Kryetari i degës së përfitimeve, pasi kontrollon procedurat, nënshkruan vendimin për riçeljen e pensionit, nënshkruan kartelën financiare të pensionit dhe urdhërpagesën, si dhe konfirmon pagesën në sistemin elektronik (PCAMS). Dosja i kalon drejtorit të DRSSHsë, i cili pasi kontrollon procedurat, nënshkruan vendimin e caktimit të pensionit, kartelën financiare, urdhërpagesën dhe ia kalon atë degës së informatikës për gjenerimin e numrit të ri automatik të pensionit.

12. Dega e Informatikës, pasi verifikon saktësinë e të dhënave të hedhura në sistemin PCAMS gjeneron numrin e ri të pensionit, e regjistron dosjen në inventarin e pensioneve në format elektronik dhe kalon dosjen tek Kryetari i degës së financës për veprime të mëtejshme.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat