Letra/ Hajdari konfirmon përplasjen me Kryeprokurorin Adriatik Llalla

Shqipëria

Letra/ Hajdari konfirmon përplasjen me Kryeprokurorin Adriatik Llalla

Më: 22 korrik 2016 Në ora: 21:59
Adriatik Llalla

Shkëlqim Hajdari në letrën e dërguar Presidentit të Republikës Bujar Nishani për dorëheqjen si prokuror i thjeshtë në Shkodër konfirmon incidentin që shkoi deri në përplasje me grushte në datën 3 tetor 2014 me Prokurorin e Përgjithshëm, Adriatik Llalla.
 
“Në datën 3 tetor 2014, Prokurori i Përgjithshëm, në tentativë për të më shkarkuar në mënyrë të paligjshme si Kryetar i Shoqatës së Prokurorëve, kreu ndaj meje, në mjediset e hotel “Tirana”, ku zhvillohej mbledhja, veprime personale të ulëta, të padenja, joetike, duke konsumuar edhe elemente të disa veprave penale. Gjithçka ndodhi në prani të pothuajse të gjithë trupës së prokurorëve”shprehet Shkëlqim Hajdari.
 
Ish-kryetari i Shoqatës së Prokurorëve  i kujton Presidentit se “Ju drejtova Juve një letër, në datën 7 tetor, duke ju informuar me imtësi për këtë ngjarje të paprecedent.
 
Me shumë sinqeritet, po ju them Zoti President, se prisja një reagim dhe kontaktim nga ana Juaj, jo sepse e konsideroja këtë ngjarje një çështje personale, pasi vetëm e tillë nuk ishte, por kjo ngjarje ishte shumë e rëndë për prokurorinë, veprimtarinë e saj, imazhin e Prokurorit të Përgjithshëm para trupës së prokurorëve” thekson Hajdari.
 
Pas dorëheqjen si prokuror në Shkodër, Shkëlqim Hajdari është emëruar Kryeinspektor i Përgjithshëm.

 
Letra e plotë:

 
K Ë R K E S Ë
 
Drejtuar: PRESIDENTIT TË REPUBLIKËS
 
1. BUJAR NISHANI
 
Tirane, 09. 06. 2016
 
I nderuar zoti President,
 
Më lejoni, që, nëpërmjet kësaj kërkese, unë i quajturi, Shkëlqim Hajdari, me detyrë prokuror në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Shkodër, t’ju paraqes doreheqjen time, duke ju parashtruar sa me poshte vijon:
 
Kam rreth 23 vjet qe punoj në sistemin e prokurorisë, perfshirë çdo hallkë të këtij sistemi, nga oficer i Policisë Gjyqësore, prokuror sektori deri Drejtues i Prokurorisë së Apelit Tiranë. Karrierën time e kam bazuar në punën profesionale, pastertinë morale dhe përkushtimin ndaj detyrës.
 
Dorëheqja, që po paraqes sot para Jush, nuk lidhet me asnjë motiv personal. Ajo vjen për shkaqe që me pengojnë, jo vetëm ne punën time si prokuror i Republikës dhe si Kryetar i Shoqatës së Prokurorëve, por për më tepër, dëmtojnë rëndë, funksionimin normal dhe në përputhje me ligjin të këtij institucioni themelor te shtetit të së drejtës. Më konkretisht, Zoti President, më lejoni t’ju qartësoj me tej shkaqet e përmendura më sipër:
 
Në vitin 1993, jam emëruar Shef i Policisë Hetimore, në Komisariatin e Policisë nr.4, Tiranë, detyrë të cilën e kam kryer deri në vitin 1995, kurse pas shkrirjes së kësaj strukture, jam emëruar Oficer i Policise Gjyqësore në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë. Në vitin 2002, jam dekretuar Prokuror sektori, pranë kësaj prokurorie. Në prill të vitit 2008, në bazë të konkurrimit, jam emëruar prokuror në Prokurorinë e Apelit, Tiranë, dhe më pas drejtues i saj. Për shkak të kësaj përvoje të gjatë dhe gjithmone në rritje, në vitin 2005, kolegët prokurorë më kanë zgjedhur Sekretar të Përgjithshëm të Shoqatës së Prokurorëve të Shqipërisë, që me krijimin e saj dhe prej vitit 20012 e në vazhdim, me votë unanime të prokurorëve, jam zgjedhur kryetar i kësaj shoqate. Në të njëjtën kohë, veç trajnimeve të vazhdueshme për ngritjen profesionale, nëpërmjet Shkollës së Magjistraturës ose edhe jashtë saj, kam bërë përpjekje për zgjerimin e njohurive akademike në fushën e së drejtës penale, duke përfunduar studimet e nivelit “Master” dhe aktualisht jam në përfundim të studimeve të doktoraturës, pranë Fakultetit të Drejtësisë të Universitetit të Tiranës.
 
E bëra këtë prezantim , Zoti President, për të treguar se jam përpjekur gjithmonë që të jap më të mirën në punë, si prokuror dhe drejtues, dhe se veprimtaria ime është vlerësuar gjithmonë, madje me promovim dhe ngritje në detyrë. Ky vlerësim nuk ka qenë aspak i menjëhershëm, por i shtrirë në një kohë të gjatë, duke evidentuar kështu rezultatet e mia në punë, shoqëruar edhe me vlerësime nga disa eprorë (Presidentë dhe Prokurorë të Përgjithshëm) dhe jo nga ndikime të tjera, përfshirë dhe ato politike.
 
Me ardhjen e z. Llalla, si Prokuror i Përgjithshëm në dhjetor të vitit 2012, unë kam pasur mospërputhje qëndrimesh ligjore, si drejtues i Prokurorisë së Apelit dhe kryetar i Shoqatës së Prokurorëve. Që në fillim, kam konstatuar se në kundërshtim me ligjin, Prokurori i Përgjithshëm largoi dhe transferoi brenda një kohe të shpejtë pothuajse të gjithë drejtuesit e prokurorive të shkallëve të para, të apelit dhe drejtorët e drejtorive në Prokurorinë e Përgjithshme.

Ky ishte një shqetësim parimor dhe ligjor, pasi binte ndesh me ligjin nr.8737, datë 12.02.2001, “Për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, pikërisht me nenet 24 e 27/b, të tij. Këtë shqetësim ia kam prezantuar fillimisht Prokurorit të Përgjithshëm dhe kam biseduar me të, duke ruajtur kështu edhe etikën institucionale, por edhe mundësinë për zgjidhjen e situatave që po krijoheshin me punën e zyrave të prokurorisë si dhe me karrierën e prokurorëve. Po kështu në mënyrë aspak ligjore,

Prokurori i Përgjithshëm për të realizuar qëllimet e tij jo në interes të funksionimit normal të institucionit të Prokurorisë, pa asnjë studim profesional dhe ligjor, sajoi një artific sipas të cilit ai transferimet i bënte pa pëlqimin e prokurorëve, në kuadër të “riorganizimit te prokurorise”. E filloi këtë paligjshmëri që me ardhjen e tij dhe e konsolidoi ndër vite, për t’u bërë qesharak, pasi shkurtonte një organikë të një strukture prokurorie sot duke larguar dy ose tre prokurorë dhe pas pak ditësh e riorganizonte këtë strukturë dhe emeronte aty dy ose tre prokurorë të tjerë, sigurisht të përzgjedhur jo mbi bazen e meritës apo të karrierës. Kështu ndodhi dhe në rastin e transferimit tim në Shkodër. Pa asnjë studim, shkurtoi në dhjetor 2015 organikën e Prokurorisë së Apelit Tiranë me 2 Prokurorë, duke më larguar mua dhe z. Shkëlqim Kokona dhe në Prill 2016 shtoi një vend në organikë dhe përgatitet të sjellë aty ndonjë koleg që i ka shërbyer në paligjshmëritë e tij, ose për të bërë ndonjë qokë.
 
Duke qenë se, edhe pas disa bisedash me Prokurorin e Përgjithshëm, gjendja ishte e njëjtë, unë kam kërkuar takim me ju, Zoti President dhe jemi takuar pasditen e datës 2 tetor 2014, për rreth 2 orë në zyren tuaj, ku kemi biseduar për të gjitha shqetësimet që unë kisha në lidhje me mënyrën aspak ligjore të drejtimit të prokurorisë nga Prokurori i Përgjithshëm dhe tendencës që kishte z. Llalla për uzurpimin e Shoqatës së Prokurorëve, si zëri i vetëm në mbrojtje të interesave të ligjshëm të trupës së prokurorëve të Republikës. Në takimin me Ju, mora mbështetjen dhe sigurinë se Shoqata e Prokurorëve do të mbetej e lirë dhe e pavarur nga Prokurori i Përgjithshëm, në ushtrim të misionit të saj.
 
Por te nesermen, ndodhi krejt e kundërta, Zoti President. Në datën 3 tetor 2014, Prokurori i Përgjithshëm, në tentativë për të më shkarkuar në mënyrë të paligjshme si Kryetar i Shoqatës së Prokurorëve, kreu ndaj meje, në mjediset e hotel “Tirana”, ku zhvillohej mbledhja, veprime personale të ulëta, të padenja, joetike, duke konsumuar edhe elemente të disa veprave penale. Gjithçka ndodhi në prani të pothuajse të gjithë trupës së prokurorëve.
 
Duke ruajtur qetësinë dhe dinjitetin e figurës së prokurorit, por edhe të vetë institucionit të prokurorisë, për shkak të imazhit të keq që kjo ngjarje do të krijonte në media dhe publik, refuzova çdo kontakt joinstitucional dhe Ju drejtova Juve një letër, në datën 7 tetor, duke ju informuar me imtësi për këtë ngjarje të paprecedent. Me shumë sinqeritet, po ju them Zoti President, se prisja një reagim dhe kontaktim nga ana Juaj, jo sepse e konsideroja këtë ngjarje një çështje personale, pasi vetëm e tillë nuk ishte, por kjo ngjarje ishte shumë e rëndë për prokurorinë, veprimtarinë e saj, imazhin e Prokurorit të Përgjithshëm para trupës së prokurorëve, si dhe të imazhit të prokurorisë në tërësi përpara publikut.
 
Përkundër kësaj, pavarësisht çfarë ndodhi, Prokurori i Përgjithshëm, në datën 9 tetor, me urdhrin nr.217, më ka shkarkuar si Drejtues i Prokurorisë së Apelit. Këtë urdhër, megjithëse i paligjshëm, nuk e ankimova në gjykatë, pasi nuk doja kurrsesi që të krijoja keqkuptime apo insinuata të çfarëdollojshme. Punova si prokuror i thjeshte në këtë prokurori me të njëjtin përkushtim që kam pasur edhe kur isha drejtues i saj. Gjatë kësaj kohe, Prokurori i Përgjithshëm kontrolloi tërë punën time 7-vjeçare dhe nuk ka konstatuar asnjë shkelje ligjore as si drejtues i prokurorisë dhe as si prokuror. Përkundrazi, grupi i kontrollit i zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm e vlerësoi punën e Prokurorisë së Apelit dhe punën time si drejtues.
 
Me gjithë këtë sjellje profesionale timen dhe cilësi në punë, pas një viti, Prokurori i Përgjithshëm ju propozoi transferimin tim në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Shkodër dhe Ju, brenda 24 orëve nga ardhja e propozimit, në datën 14 dhjetor 2015, dekretuat transferimin tim. Më lejoni Zoti President të shpreh habinë time dhe zhgënjimin njëkohësisht për sjelljen dhe këtë akt tuajin si President i Republikës, jo thjesht ndaj Shkëlqim Hajdarit, por ndaj një prokurori të Republikës, që kishte mbi vete një çerek shekulli karrierë, në krye të prokurorisë më të rëndësishme në vend dhe në krye të Shoqatës së Prokurorëve te Republikes. E theksoj këtë si një gjë shumë të rëndë për funksionimin e prokurorisë dhe imazhit të saj.
 
Duke vepruar si njeri i ligjit, unë ankimova transferimin, si të paligjshëm dhe Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Tiranë, në datën 25.04.2016, në kundërshtim me ligjin, por dhe me precedentët e tjerë të njëjtë të kolegëve të mi që kishin ankimuar në gjykatë transferimet e tyre, z. Bilbil Mete dhe z. Shkëlqim Kokona, vendosi rrëzimin e padisë. Është e qartë Zoti President se, duke iu shmangur insinuatave, nuk është aspak normale dhe ligjore ajo që po ndodh me mua dhe me kolegë të tjerë prokurorë.

Edhe pse unë kam ankimuar këtë vendim gjykate, po ju drejtohem Juve, jo për këtë arsye, por për t’ju vënë në dijeni për të disatën herë tashmë se gjendja në prokurori është larg funksionimit normal dhe ligjor të këtij institucioni. Është një numër i konsiderueshëm prokurorësh që janë transferuar në shkelje të ligjit dhe pas një karriere të suksesshme në prokurori, si rasti i kolegëve Anton Martini, Ardian Nezha, Bujar Hoti, Sokol Stojani, Dritan Rreshka, Artur Selmani, Arben Dollapi etj. Shkelje të tilla kanë vazhduar madje edhe me promovime të prokurorëve të caktuar, që shpeshherë janë bërë në kundërshtim me ligjin nga pikëpamja formale, por edhe me probleme në integritetin e tyre moral.

Në këtë paligjshmëri totale të Prokurorit të Përgjithshëm, është bërë pjesë me dashje dhe Këshilli aktual i Prokurorisë, i cili është kthyer në një vegël qorre të tij, duke punuar hapur kundër interesave të ligjshëm të trupës së prokurorëve të ndershëm. Dhe, sikurse e dini shumë mirë dhe Ju, një gjë e tillë ka pasoja të rënda dhe shpeshherë të pariparueshme, jo thjesht për prokurorinë, por për sistemin e drejtësisë dhe shtetin ligjor në Shqipëri, duke minuar kështu sfidat e rëndësishme me të cilat përballen institucionet dhe shoqëria jonë.
 
Unë dhe mjaft kolegë të tjerë prokurorë, me punen tone, jemi përpjekur për të pasur një prokurori që drejtohet nga ligji dhe jo nga dëshirat individuale, nga standardet demokratike dhe jo vullnetet personale e politike, ku karriera dhe jo lidhjet klienteliste përbëjnë çelësin e suksesit në punën e prokurorëve. Një gjë e tillë është bërë e pamundur Zoti President dhe në mungesë edhe të reagimit Tuaj institucional dhe ligjor, po ju drejtohem me dorëheqjen time, si prokuror i Republikës.
 
Me konsideratën më të lartë për institucionin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë,
 
Shkëlqim Hajdari.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat