Basha, bisedë me Lajçakun: Pas "drejtësisë", sfidë zgjedhjet e lira

Shqipëria

Basha, bisedë me Lajçakun: Pas "drejtësisë", sfidë zgjedhjet e lira

Më: 22 korrik 2016 Në ora: 15:57
Lulzim Basha

Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha, zhvilloi një bisedë telefonike me Ministrin e Jashtëm të Sllovakisë, Miroslav Lajçak, i cili aktualisht mban presidencën e BE-së.

Lajçak përgëzoi Bashën për angazhimin me përgjegjësi të lartë dhe lidershipin e treguar ne procesin e arritjes se konsensusit, si një kontribut madhor për vendin dhe qytetarët. “Zbatimi me sukses i reformës në drejtësi është i një rëndësie të madhe për integrimin dhe të ardhmen Europiane të Shqipërisë”, theksoi Lajçak.

Ndërkaq, Basha në fjalën e tij theksoi se “beteja e PD-së në procesin e reformës në drejtësi ka qenë prej fillimit e deri në kurorëzimin e saj me sukses, një betejë për standardet dhe parimet Europiane të demokracisë, shtetit ligjor dhe për të drejtat dhe liritë themelore të njeriut”.

Kreu i selisë blu shprehu vlerësimin e tij për përkrahjen dhe mbështetjen që BE i ka dhënë këtij procesi. “Sfida më e madhe që Shqipëria ka tani përpara janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme”, tha Basha.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat