Nis projekti për financimin e hulumtimeve në shkencat sociale

Shqipëria

Nis projekti për financimin e hulumtimeve në shkencat sociale

Më: 22 korrik 2016 Në ora: 15:15
Ambasadori zviceran Christoph Graf dhe Ministrja e Arsimit Lindita Nikolla

Ambasadori zviceran Christoph Graf dhe Ministrja e Arsimit Lindita Nikolla nënshkruan sot marrëveshjen mbi zbatimin e një programi që nxit shkencat sociale në Shqipëri.

”Nuk mund të ketë përparim në shoqëritë tona nëse shkencëtarët dhe hulumtuesit nuk kontribuojnë”, tha Ambasadori Graf. “Hulumtimi shkencor mund të ushqejë politikat dhe të sigurojë një bazë të fortë për vendimet që merren nga qeveria dhe institucionet publike. Shkencëtarët socialë duhet të bëhen më të besueshëm dhe më të njohur për publikun, mediat dhe qeverinë në Shqipëri. Jam i kënaqur që programi PERFORM do të kontribuojë drejt kësaj”, përfundoi Ambasadori zviceran.

“Kjo marrëveshje na vë para detyrimit që të dëgjojmë dhe të bashkëpunojmë fort me kërkuesit dhe akademikët për të zhvilluar ide, analiza dhe për të orientuar ndërhyrjet tona”, tha Ministrja e Arsimit dhe Sporteve Lindita Nikolla duke garantuar se Ministria e saj e sheh me përgjegjësi pjesën e saj në menaxhimin e këtij programi.

PERFORM do të zbatohet në Shqipëri dhe Serbi dhe do të financojë propozime për hulumtime dhe studime të cilat mund të kenë vlerë për vendimet në dobi të publikut. Lidhja midis politikave dhe shkencave sociale është e brishtë ndërkohë që evidencat dhe rekomandimet e eskpertëve në shkenca sociale do të ishin të dobishme për vendimet që marrin autoritetet dhe institucionet publike.

Ashtu si dhe programe të financuara nga Zvicra edhe më parë PERFORM do të synojë të bëjë studimet dhe gjetjet nga hulumtuesit të disponueshme dhe do t’i ofrojë ato për si evidencë për politika dhe vendim-marrje. Gjithashtu, debatet publike mbi shumë çështje do të mund të informohet nga hulumtimet e kryera në fushat e shkencave sociale.

Përfituesit kryesorë nga ky program do të jenë universitetet, institutet e kërkimit, organizata jo fitimprurëse, dhe akademikë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat