“Drejtësia”, Bushati: Fillimi i fundit të tranzicionit

Shqipëria

“Drejtësia”, Bushati: Fillimi i fundit të tranzicionit

Më: 22 korrik 2016 Në ora: 13:17
Ditmir Bushati

Miratimi i reformës në drejtësi është përshëndetur edhe nga ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Ditmir Bushati. Me anë të një statusi në “Facebook”, ministri shkruan se miratimi i reformës së drejtësisë unanimisht nga Kuvendi, shënon fillimin e fundit të tranzicionit.

“Arkitektura e re e drejtësisë kërkon më shumë mund, urtësi, ujdi mes aktorëve politik e shoqëror, fuqizim të kapaciteteve njerëzore e investime në infrastrukturë. Më shumë bashkëveprim me ekspertizën ndërkombëtare, për të çrrënjosur kulturën e pandëshkueshmërisë, për të fituar besimin e qytetarëve tek drejtësia dhe për të hedhur themelet e një paqeje të re sociale”, shkruan Bushati.

Ministri thekson se tashmë ritmi i zbatimit të reformave është njësia matëse e trajektores së demokratizimit të vendit dhe ecurisë së procesit të integrimit europian.

“Koha nuk pret! Zbatimi i menjëhershëm i reformës është e vetmja rrugë që qytetarët të ndjejnë efektet e pritshme dhe vendi të përparojë drejt çeljes së negociatave për anëtarësim në BE”.

Në fund, Bushati shkruan se i kemi të gjitha mundësitë që edhe përmes bashkëveprimit të demonstruar me partnerët tanë strategjik SHBA dhe BE, ta kthejmë reformën në drejtësi në një shembull frymëzimi për mbarë rajonin.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat