Basha: Nuk kemi lëvizur nga qëndrimi për reformën në drejtësi, janë mashtrime

Shqipëria

Basha: Nuk kemi lëvizur nga qëndrimi për reformën në drejtësi, janë mashtrime

Më: 21 korrik 2016 Në ora: 08:14
Lulzim Basha

(E plotësuar) - Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, thotë se opozita nuk ka lëvizur nga qëndrimet e saj në lidhje me reformën në drejtësi. Në një deklaratë para mediave, ku Basha u shfaq i tensionuar, tha se pretendimet për kushte të reja të vëna nga PD-ja gjatë momenteve të fundit të formalizimit të draftit të reformës nga ekspertët janë të pavërteta.

“Iu bashkuam gëzimit të përligjur për arritjen e marrëveshjes. Kjo marrëveshje nuk i shërben interesit të partive politike, por të gjithë shqiptarëve. Kemi një marrëveshje, ndaj u bëj thirrje palëve ta votojnë. Ajo mbrëmë u vu në dyshim. Ka pasur një mirëkuptim se për 4 institucionet e Nenit 88 do të aplikohej e njëjta formulë. Të hënën kjo pjesë e marrëveshjes u konfirmua nga PS-ja, e konfirmojnë negociatorët e PD-së dhe LSI-së. Është pretenduar dje se Basha ka prezantuar kushte të reja. Ky është mashtrim i turpshëm. Të hënën, PS-ja i konfirmoi negociatorit tim se marrëveshja është për 4 institucionet...

Kreu i PD-së tha më tej se opozita do të votojë sot draftin për të cilin është rënë dakord dje.

“Përzgjidhen sipas të njëjtës formulë, ky ka qenë qëndrimi im. Partnerëve ndërkombëtarë u bëj me dije se çdo mashtrim që mund të kenë marrë bie përtokë me prova. Janë fakte të bazuara mbi evidenca të pakundërshtueshme. Ku është kushti i ri? Mbrëmë në mesnatë në një moment sinqeriteti pranoi se drafti zyrtar i PS-së, i cili ndodhet sot në Kuvend, nuk përfshin as rekomandimet Nuland dhe as ato Hahn, por duan të na bëjnë të pranojmë propozimet për KLGJ-në dhe KLP-në.  Ne kemi një marrëveshje, i përmbahemi asaj dhe jemi gati ta votojmë. Këtë e kemi deklaruar publikisht”, tha ai.

Dilemat e reformës në drejtësi, Basha flet në 08:45

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka paralajmëruar një dalje për mediat në orën 08:45. Prononcimi i Bashës rreth një orë para nisjes së seancës ku d të votohet për reformën në drejtësi ka të bëjë me marrëveshjen, e cila u vu në diskutim në orët e vona të mbrëmjes së shkuar, për shkak të disa kërkesave të reja të PD-së.

Pritet që Basha të bëjë publik qëndrimin e PD-së pas mosdakordësisë së hasur në momentet e fundit të punës për përmbylljen e draftit.

Një kërkesë e papritur e minutave të fundit nga kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, për aplikimin e shumicës absolute nga Kuvendi për zgjedhjen e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Këshillin e Lartë Gjyqësor, Këshillin e Lartë të Prokurorisë, Komisionin e Kualifikimit dhe Kolegjin e Apelimit, pra me 94 vota, ka vënë në rrezik konsensusin e reformës në drejtësi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat