Shtetësia shqiptare “shitet” për dy milionë euro

Shqipëria

Shtetësia shqiptare “shitet” për dy milionë euro

Më: 18 korrik 2016 Në ora: 09:51
Pasaporta shqiptare

Ligji për punësimin e të huajve do t’u nënshtrohet sërish ndryshimeve.

Shtrëngohen kriteret për të huajt që do të ndërmarrin investime strategjike, por dhe që do të duan të kenë leje të përhershme qëndrimi në Shqipëri.

Kushti? 2 mln euro investim, 100 vende pune për 1 vit.

Lehtësi për të punësuarit me përkatësi etnike shqiptare. Pajisja me leje pune do të bëhet pa pagesë.

I miratuar rreth tre vjet më parë, ligji “Për të huajt” do t’i nënshtrohet sërish ndryshimeve. Arsyeja ka të bëjë me problemet që janë hasur në zbatimin në praktikë, ku janë krijuar më shumë hapësira për keqinterpretime.

Në Kuvend është paraqitur drafti me ndryshimet ligjore që synojnë përmirësimin e regjimit të trajtimit të të huajve, përfshirë ata me përkatësi etnike shqiptare, kategorisë së të huajve të punësuar apo vetëpunësuar, shkruan Lapsi.

Aspektet që priten të preken nga këto ndryshime kanë të bëjnë me politikat e vizave, në fushën e punësimit dhe në atë të përafrimit me direktivat europiane.

Një pjesë e rëndësishme e këtij projektligji ka të bëjë me trajtimin e të huajve që do të ndërmarrin investime të rëndësishme në Shqipëri (ndryshime që janë diktuar edhe për shkak të ligjit të ri të investimeve strategjike).

Rastet e veçanta janë ato që bëjnë përjashtim nga rregulli i përgjithshëm që kërkon 5 vjet qëndrim të ligjshëm, në mënyrë që i huaji të kualifikohet për leje të përhershme qëndrimi.

Janë forcuar kërkesat për përfitimin e këtij statusi si në vlerën e investimit (nga 1 milion në 2 milionë euro), ashtu dhe në sasinë e vendeve të punës të hapura nga ky investim (nga 10 në 100).

Ndërsa nga trajtimi më preferencial i të punësuarve që do të vijnë nga etnitë shqiptare, ku parashikohet përjashtimi nga pagesa e lejes së qëndrimit, buxheti do të humbasë rreth 1.7 milionë lekë.

Juristët vlerësojnë ndryshimet që po i bëhen ligjit “Për të huajt” dhe shpjegojnë se çfarë efektesh do të japin.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat