Nuk ka konsensus me opozitën, drejt dështimit reforma në drejtësi

Shqipëria

Nuk ka konsensus me opozitën, drejt dështimit reforma në drejtësi

Më: 13 korrik 2016 Në ora: 11:22
Ilustrim

Paketa e propozuar për reformën në drejtësi nuk ka marrë miratimin e opozitës, vetëm një javë larg votimit të saj në Kuvend. Mungesën e kompromisit e ka konfirmuar ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu, i cili ishte në pritje të një përgjigjeje nga Partia Demokratike, mbi atë që u quajt “një propozim hibrid” të dielën e shkuar. Ky propozim lidhet me rolin e Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara në procesin e kontrollit të figurës së gjyqtarëve dhe u bë publik pas vizitës në Shqipëri të një zyrtareje të lartë të administratës amerikane.

Partia Demokratike pritet të dalë me një qëndrim zyrtar për reformën në drejtësi, pas mbledhjes së grupit parlamentar në orën 12:00. Megjithatë në kanale diplomatike refuzimi i opozitës edhe për propozimin hibrid ka mbërritur te ambasadori Lu. Ambasadori amerikan është shprehur i zhgënjyer mëngjesin e sotëm nga qëndrimi i kreut të PD-së Lulzim Basha për reformën në drejtësi. Diplomati amerikan deklaroi në një prononcim për mediat se, “jemi të zhgënjyer me përgjigjen e Z. Basha ndaj propozimit hibrid për reformën në drejtësi”. Lu tha se propozuan një zgjidhje në mirëbesim. “Z. Basha propozoi diçka që ai vetë ka pranuar se është në konflikt interesi dhe jo në përputhje me paragrafin 61 të Opinionit Përfundimtar të Komisionit të Venecias”, thuhet në reagimin e Lu-së.

Ndonëse ambasadori amerikan deklaroi se janë duke vazhduar bisedën me të dyja palët në përpjekje për t’i sjellë përsëri tek mbështetja për propozimin hibrid, diskutuar edhe nga ndihmëssekretarja Nuland, duket e vështirë që palët të bien dakord për një dokument të përbashkët. Propozimi hibrid është pranuar ndërkohë nga kryeministri Rama.

Propozimet e opozitës

Hapi 1 - Shpallen vakancat mbi bazën e kritereve kushtetuese e ligjore. Organi i parë që e shpall vakancën dhe mbledh kandidaturat është Presidenti i Republikës, por mund të jetë dhe Avokati i Popullit. Ky institucion do të shpallë 12 vakancat dhe do të presë aplikimet për mbushjen e tyre. Kriteret për aplikim parashikohen në Kushtetutë dhe ligj, dhe janë të publikuara. Në përfundim të afatit, presidenti i përcjell dosjet e aplikimeve në Gjykatën Kushtetuese. Gjykata Kushtetuese ka të gjithë integritetin dhe kapacitetet për t'u bërë pjesë e këtij procesi.

Hapi 2 - Kreu i Gjykatës Kushtetuese do të përzgjedhë me short një panel prej 3 gjyqtarësh që do të bëjnë vlerësimin e kandidatëve. Shqyrtimi bëhet mbi prova dhe fakte dhe kandidatit i jepet mundësia të faktojë përmbushjen e kushteve dhe kritereve. Nëse një kandidat nuk plotëson kushtet, rrëzohet. Këtij paneli do t'i bashkëngjiten përfaqësuesit e misionit ndërkombëtar të monitorimit, siç e parashikon Komisioni i Venecias. Ata do të kenë akses në të gjithë dokumentacionin dhe procesin

Hapi 3 - Kur dikush është i pakënaqur me panelin prej 3 gjyqtarësh është e mundur të bëhet një ankim në Gjykatën Kushtetuese, në trupën prej 9 gjyqtarësh, që do të vendosë për pranimin e kësaj kërkese për rivlerësim të këtij vendimi të panelit. Numrat janë të tillë, janë 6 anëtarë të papërfshirë dhe është mundësia që vendimi i panelit të rrëzohet. Në përfundim të procesit të shqyrtimit të kandidaturave, kryetari i Kushtetueses dërgon në Kuvend kandidatët e verifikuar dhe që plotësojnë të gjitha kriteret.

Hapi 4 - Përzgjedhja e kandidatëve nga Kuvendi. Në propozimin tonë, kjo duhet të bëhet nga një komision parlamentar ‘ad hoc’, me 12 anëtarë, 6 anëtarë nga mazhoranca dhe 6 nga opozita. Ky komision do të zgjedhë pa debat 12 kandidaturat që do t'i paraqiten Kuvendit për miratim, me çdo anëtar që do të ketë vetëm një votë dhe votimi është i fshehtë dhe elektronik. Votimi elektronik do të bëhet me qëllim për të garantuar që në fund të dalin 12 kandidatë. “Anëtarët e komisionit do të votojnë në të njëjtën kohë. Në fund të votimit, sistemi shfaq listën e kandidatëve të përzgjedhur.

Hapi 5 - Lista zyrtarizohet, nuk ka votim tjetër, dhe për rrjedhojë bëhet gati për t'iu paraqitur Kuvendit për votim në seancë plenare. Kuvendi bën votimin miratues ose refuzues për të gjithë listën. Pra, votimi i saj bëhet në bllok. Lista ose miratohet e tëra, ose rrëzohet e tëra. Sipas propozimit, çdo deputet ka vetëm një votë dhe votimi bëhet me shumicë të cilësuar për t'i dhënë legjitimitet më të madh listës. Kjo 12-she i ka të gjitha mundësitë që të votohet e miratohet nga Kuvendi.

Hapi 6 - Përsëritja e votimit. Nëse lista rrëzohet në votim, atëherë rifillon faza e përzgjedhjes nga komisioni (hapi 4) me të njëjtën listë kandidatësh, sipas hapit 3. Komisioni ‘ad-hoc’ përsërit procedurën e përzgjedhjes. Votimi i dytë apo i tretë kryhet me një mazhorancë më të ulët. Kjo garanton që procesi nuk bllokohet dhe nuk ka nevojë për mekanizëm të jashtëm zhbllokimi. Ko është një formulë që do të garantonte kompromis dhe më tepër se kaq një funksionim të shpejtë e të thjeshtë. Ka më shumë se dy javë që kjo formulë është paraqitur në kanalet e negociimit tek pala tjetër. Deri më sot nuk ka patur asnjë argument thelbësor për ta kundërshtuar. Mazhoranca e kundërshton pa argumente.

Kontrolli i figurës së gjyqtarëve

Një nga pikat më të debatueshme të negociatave është edhe roli i ndërkombëtarëve sa i përket monitorimit në këtë proces, që deri më tani ka ndarë palët. Formula e re i heq Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit të drejtën e parashikuar në draftin aktual, ku në rast të dështimit në Parlament të emërimit të anëtarëve, ndërkombëtarët hartojnë një listë me emra dhe Presidenti hedh një short publik me emrat e përzgjedhur, të cilësuar menjëherë të emëruar. PD për këtë pikë ndarëse, shprehet se “është pro operacionit ndërkombëtar të monitorimit”. Por nga ana tjetër thekson se autoriteti i të huajve nuk mund të jetë mbi atë që i ka dhënë Komisioni i Venecias. Dhe kreu demokrat në daljen e tij para mediave ka thënë se opozita nuk ka vendosur asnjëherë që Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit të ketë kompetenca që nuk i jep “Venecia”. “Ne kemi qenë dhe jemi për kompetencat që “Venecia” i njeh komisionit apo Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit dhe për këto kemi qëndruar dhe do të qëndrojmë deri në fund. Operacioni bën atë që i ka ngarkuar “Venecia”. Se në çfarë mënyre e zgjedh ta bëjë, këtë natyrisht e zgjidhin më mirë ekspertët. Detyra jonë është të garantojmë zbatimin 100% të “Venecias” për këtë dhe çdo aspekt tjetër”, ka nënvizuar Basha.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat