Nishani dekorohet nga Forumi Crans Montana me Çmimin e Fondacionit për vitin 2016

Shqipëria

Nishani dekorohet nga Forumi Crans Montana me Çmimin e Fondacionit për vitin 2016

Më: 2 korrik 2016 Në ora: 11:45
Bujar Nishani dhe Jean-Paul Carteron

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, u dekorua nga Forumi Crans Montana në një ceremoni të veçantë me Çmimin e Fondacionit për vitin 2016. Ky çmim i lartë i këtij Forumi i është akorduar liderëve të ndryshëm evropianë dhe botërorë, në shenjë mirënjohje dhe vlerësimi për angazhimin publik në promovimi e vlerave demokratike dhe një botë më të mirë.

Presidenti i Nderit i Forumit të Crans Montanas dhe themelues i Forumit, Ambasadori Jean-Paul Carteron, i dorëzoi Çmimin Presidentit Nishani, duke vlerësuar progresin e madh të kryer nga Shqipëria për kalimin nga diktatura në demokraci, anëtarësimin në NATO, si dhe afrimin gjithnjë e më shumë me Bashkimin Evropian. Gjithashtu, Ambasadori Carteron vlerësoi kontributin personal të Presidentit Nishani në këtë drejtim.

Presidenti Nishani në fjalën e tij të falënderimit u shpreh ndër të tjera se, ky çmim është një vlerësim i madh e shumë domethënës për vendin dhe bashkatdhetarët e mi, kudo që ndodhen dhe se vjen në një moment kyç për Shqipërinë dhe rajonin e Ballkanit Perëndimor, të cilët aktualisht po përjetojnë ankthin e humbjes së vëmendjes nga Bashkimi Evroian. “Jam i sigurt që falë edhe kontributit të Forumit të Crans Montanas, kjo gjë nuk do të ndodhë dhe Shqipëria dhe Ballkani Perëndimor do të kenë vëmendjen e nevojshme të Bashkimit Evropian për vijimin në rrugën e reformave dhe të përmbushjes së standardeve më të mira evropiane”, u shpreh Kreu i Shtetit shqiptar.

Gjatë pjesëmarrjes në sesionin e 27-të vjetor të Forumit të Crans Montanas, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, zhvilloi takime të shkurtra edhe me shtetarë, politikanë e përfaqësues të botës së biznesit që merrnin pjesë në këtë forum.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat