“Arena Kombëtare”, Rama: Asnjë kokërr leku nga buxheti i shtetit

Shqipëria

“Arena Kombëtare”, Rama: Asnjë kokërr leku nga buxheti i shtetit

Më: 1 korrik 2016 Në ora: 21:39
Edi Rama

Kryeministri Edi Rama theksoi se për ndërtimin e stadiumit të ri “Arena Kombëtare” nuk do të shpenzohet asnjë lek nga buxheti i shtetit, në një fjalim të mbajtur në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Restaurimeve.

Kreu i qeverisë theksoi se “Arena Kombëtare”, nuk mund të ndërtohej me të ardhura nga buxheti i shtetit. Projekte të tilla tha kryeministri Rama kanë nevojë për administrim të mirë dhe që kushton.

"Nuk nxjerrim asnjë kokërr leku nga buxheti i shtetit. Federata kalon në investim kontributin e UEFA-s, që sipas të gjitha gjasave do të jetë 1/6 e investimit final, dhe përkundër këtij kontributi federata është bashkëpronar i këtij stadiumi. Ndërkohë që investitori privat sigurisht që do të ketë edhe pjesën e vet në këtë investim, pjesën e vet të përfitimit nga ky investim. Me të njëjtën skemë duhet të bëjmë edhe stadiumet e tjera. Jemi në një shqetësim të madh edhe për stadiumin e Shkodrës, sepse është bërë i gjithi me fonde të buxhetit të shtetit, me një kontribut të federatës, por lind problemi i administrimit. Që të mos bëhet si ‘Qemal Stafa’ i sotëm një pazar oriental. Vetëm mirëmbajtja e stadiumit ‘Loro Boriçi’ kërkon 150 milionë lekë të vjetra në vit. Si do dalin këto 150 mijë euro nga buxheti i bashkisë? Këtu do kemi një stadium të ndërtuar por dhe të menaxhuar?”, deklaroi kryeministri.

Rama shtoi se qyteti do të fitojë një zonë të re tërësisht të ripërtërirë urbane, me katër hapësira publike. “Stadiumi nga një qendër biznesi mesjetare, do kthehet në një qendër publike dhe private e një jetë që do vazhdojë 7 ditë e 7 netë”, tha Rama.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat