Komentet për vetingun: LSI përjashton deputetin Spahiu

Shqipëria

Komentet për vetingun: LSI përjashton deputetin Spahiu

Më: 27 qershor 2016 Në ora: 13:09
Përparim Spahiu

Lëvizja Socialiste për Integrim ka marrë vendim për të përjashtuar deputetin e saj, Përparim Spahiu.

Vendimi është marrë gjatë mbledhjes së grupit të LSI.

Deputeti doli hapur kundër një prej pjesëve kryesore të reformës dhe draftit të firmosur edhe nga Vasili dhe që ka të bëjë me kontrollin e figurës së të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Ai shprehej kundër pikërisht përfshirjes në këtë proces të faktorit ndërkombëtar, duke theksuar se kjo sillte shkeljen e sovranitetit të vendit tonë.

Por dje nëpërmjet një njoftimi jo zyrtar, LSI u distancua nga ky qendrim personal i Spahiut, duke bërë të ditur se për këtë do zhvillohet dhe një mbledhje e grupit parlamentar.

Kështu burime nga LSI e kanë cilësuar deklaratën e Spahiut tërësisht personale, duke shprehur distancim të plotë.

Situata duket se është tensionuar pas dy statuseve të njëpasnjëshme në Twitter të Spahiut, i cili shpreh qëndrimin kundër monitorimit të procesit të vettingut nga ndërkombëtarët. “E kuptoj dhe jam dakord që sovranitetin e vendit tonë të përbashkët duhet ta ndajmë me NATO, me KE, shpresoj dhe me BE. Por nuk jam gati të votoj ndarjen e sovranitetit me Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit. Çfarë përfaqësojnë këta?!”, shkroi në Twitter deputeti i LSI, Përparim Spahiu.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat