Zëdhënësi i KF Shkëndijes: ‘Bota sot’ ka arritur një moshë të bukur të pjekurisë profesionale

Futboll

Zëdhënësi i KF Shkëndijes: ‘Bota sot’ ka arritur një moshë të bukur të pjekurisë profesionale

Nga: Kemajl Goca Më: 26 qershor 2016 Në ora: 12:50
Faton Zylbehari

Zëdhënësi i klubit të futbollit, Shkëndija nga Tetova, fitues i Kupës së Maqedonisë, Faton Zylbehari, thotë se ‘Bota sot’ është më shumë se një gazetë. “Fillimisht dua të përcjell urimet më të sinqerta për drejtuesit dhe gjithë stafin e gazetës kombëtare ‘Bota sot’, me rastin e këtij përvjetori të 21-të. Nëse llogarisim vitet në proporcion të njeriut, del që ‘Bota sot’ ka arritur një moshë të bukur të pjekurisë profesionale dhe kjo veç më ka depërtuar thellë në shpirtin e çdo lexuesi. 21 vite nuk janë pak! Dikush ka lindur, është rritur, shkolluar dhe punësuar, gjithnjë me ‘Bota sot’ si mjet identifikues për informim të denjë dhe profesional. ‘Bota sot’ është më shumë se një gazetë, pasi e gjen gjithkundi, në zyra, vende publike e deri në shtëpinë e çdo shqiptari, ndërsa me zhvillimin e teknologjisë dhe internetit, ajo është e përfshirë thuajse në çdo cep të botës. Gazetaria është një profesion shumë kompleks dhe që kërkon angazhim e përkushtim shumë të madh, me qëllim të vetëm informimin e drejtë dhe në kohë të publikut. Pra kemi të bëjmë me një shërbim ndaj auditoriumit për ngjarjet e përditshme të të gjitha natyrave. Dhe ta bësh këtë për 21 vite me një profesionalizëm të madh, nuk nënkupton vetëm një përvjetor, por shumë, shumë më shumë se aq. 21 vite informim, hulumtim, telashe dhe suksese të tejkaluara me një vullnet të paparë dhe gjithmonë duke kërkuar avancimin dhe përmirësimin e bën këtë gazetë më të veçantë. Në aspekt të shikimit nga këndvështrimi im prej kah shkruaj, sporti shqiptar në Maqedoni në përgjithësi dhe KF Shkëndija në veçanti gjithmonë kanë gjetur një përkrahje maksimale dhe profesionale për të cilën ne jemi shumë mirënjohës dhe falënderues. Për këto 21 vite ka shumë për t’u thënë, por njëkohësisht besojmë se ky ritëm do të vazhdojë edhe në të ardhmen për të festuar edhe shumë përvjetore tjera të përcjella me suksese të reja. Duke ju uruar shumë suksese në të ardhmen, ju përcjell urimet më të sinqerta me rastin e 21 vjetorit të gazetës tuaj”, thotë Zylbehari.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat