‘Drejtësia’, Shqipëria për herë të parë me një ligj për prokurorët dhe gjyqtarët

Shqipëria

‘Drejtësia’, Shqipëria për herë të parë me një ligj për prokurorët dhe gjyqtarët

Më: 23 qershor 2016 Në ora: 21:58
Ilustrim

Komisioni për Reformën në Drejtësi pritet që të nisë punimet nesër me shqyrtimin e dy projektligjeve.

Relatorja e tyre, deputetja Vasilika Hysi shpjegon se njëri prej tyre është i ri për legjislacionin shqiptar, duke bërë kështu që akesesi për informacione të mos mungojë për asnjë gjyqtar dhe prokuror.

“Dy projektligje të rëndësishme do diskutohen nesër në mbledhjen e Komisionit të Posaçëm të Reformës në Drejtësi: projektligji i ri për organizimin dhe funksionimin e pushtetit gjyqësor dhe projektligji për statusin e gjyqtarit dhe prokurorët, i pari i këtij lloji në Shqipëri”, bën me dije deputetja e PS-së.

Ndër të tjera, duke marrë shkas edhe nga qëndrimi bojkotues i opozitës, anëtarja e komisionit të posaçëm për drejtësinë apelon për një bashkëpunim me të djathtët, kjo në zbatim të ligjeve për një sistem drejtësie më transparent.

“Si anëtare e komisionit, por edhe si relatore e dy projektligjeve ndihem mirë që kam në dorë dy projektligje të punuara dhe të konsultuara mjaft mirë. Më së fundi, do kemi ligje që garantojnë akses në drejtësi për çdo qytetar, pavarësisht sesa larg nga qendrat e bashkive banojnë, drejtësi produktive, përgjegjësi të qarta për gjyqtarët dhe administratën e gjykatave; më shumë profesionalizëm dhe etikë dhe respekt për te drejtat e njeriut. Ligje shumë të mira, por duhet punë për të kuptuar dhe zbatuar një edukatë krejt të re pune në gjykata”, thotë më tej anëtarja e Komisionit të Ligjeve.

Ligji

“Ligji për Statusin e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve në Republikën e Shqipërisë përcakton statusin e magjistratëve dhe ndihmës magjistratëve, duke parashikuar rregulla për të drejtat dhe detyrimet e tyre, kriteret dhe procedurën për pranimin dhe emërimin e tyre, për zhvillimin e karrierës dhe mbarimin e mandatit të tyre, për vlerësimin e veprimtarisë etike dhe profesionale të tyre si dhe kriteret dhe procedurën për përgjegjësinë disiplinore, penale dhe civile të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Statusi i gjyqtarëve dhe prokurorëve në thelb është një sistem garancish personale në funksion të pavarësisë dhe llogaridhënies së pushtetit gjyqësor. Garancitë ligjore për statusin e gjyqtarit lidhen kryesisht me mënyrën e emërimit të tyre, të menaxhimit të karrierës, garancitë për qëndrimin në detyrë (patundshmërinë), përveç rasteve dhe situatave të parashikuara qartë në ligj, si dhe me përfitimet financiare dhe jofinanciare gjatë ushtrimit të detyrës dhe pas përfundimit të detyrës. Ligji parashikon një sistem garantues të drejtash dhe llogaridhënie që synon ndërtimin e një sistemi drejtësie të pavarur ndaj çdo influence politike, të paanshëm, të përgjegjshëm, të drejtë e profesional, të besueshëm dhe të orientuar drejt shërbimit ndaj qytetarit”, thuhet në relacionin shpjegues të draftit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat