Në përkujtim të z. Werner Zaugg

Zvicra

Në përkujtim të z. Werner Zaugg

Më: 18 qershor 2016 Në ora: 16:47
Werner Zaugg

Në nëntor të vitit 2015, në moshën 70 vjeçare ndërroi jetë z. Werner Zaugg, mik i denjë i popullit shqiptar. Ai vdiç, por puna dhe vepra e tij, për kohë të gjatë, nuk ka për t’u harruar.

Thuhet se miku i mirë shihet në ditë të vështira, e po mu kjo u vërtetua edhe nga z. Zaugg. Kishte virtyte të larta, burrë bujar, i urtë e modest, e në punë i pa lodhshëm. Pothuaj tërë jetën profesionale punoi në Shoqatën e Arsimtarëve të Kantonit Bern (BLV, Bernischer Lehrerinnen und Lehrerverein, sot Berufsverband Bildung Bern ) në Zvicër.

Gjendja e mjerueshme e shqiptarëve në Kosovë, në kohën e para luftës, gjatë luftës dhe më pas e kaploi dhe e preokupoi edhe z. Zaugg. E ndjente dhëmbjen njëjtë si çdo shqiptarë, e penda e tij do të bëhej „pushkë“, por edhe „top“ kundër politikës së atëhershme serbe.

Si u njoha me z. Zaugg?

Me të ardhur në Zvicër në vitin 1986, në kryeqytetin Bern, në cilësinë e arsimtarit të Shkollës Shqipe të Mësimit Plotësues për fëmijtë shqiptar, u anëtarësova në Shoqatën e Arsimtarëve të Kantonit Bern (BLV), gjë që më vonë i dha edhe frytet e veta.

Instalimi i administrimit të dhunshëm të aparatit shtetëror serb në vitet e nëntëdhjeta, suspendimi i të gjitha organeve qeverisëse të ish Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës si dhe ndalimi i arsimit shqip në Kosovë pati pasoja të rënda edhe për Shkollën shqipe të mësimit plotësues në Zvicër. Deri atëherë ky mësim mbahej nga tre arsimtarë shqiptarë të financuar nga Bashkësia Vetëqeverisëse e Interesit për Arsim e Kosovës (BVI). Aparati i dhunshëm shtetëror serb me qëllim që të shuajë funksionimin e Shkollës shqipe të mësimit plotësues në Zvicër menjëherë ua ndali të ardhurat personale, të tre arsimtarëve, që dërgoheshin nga BVI-ja. Mirëpo ky qëllim, për ti mbyllur Shkollat shqipe të mësimit plotësues, nuk u arrit, rrjedhat e mëtejme treguan që kjo tendencë iu kthye si bumerang.

Kaluan nëntë muaj në ankth, nëntë muaj pa të ardhura personale për ne, tre arsimtarët e Shkollës shqipe të mësimit plotësues. Vendosa të kërkoja një takim në Shoqatën e arsimtarëve zviceranë të Kantonit Bern (BLV), për ti njohtuar, me gjendjen e rënd tonën, me kahjen që po merrnin zhvillimet si dhe me të bërat e regjimit të Administratës së dhunshme serbe në Kosovë. Në takim më priti z. Werner Zaugg. Ky ishte momenti i njohjes me të, momenti vendimtar për rrjedhën e mëtejme dhe për krejt çfarë ky njeri bëmirës bëri për kombin tonë. Me vëmendje më dëgjoi rrëfimin tim.
Menjëherë e shprehu vullnetin që të na ndihmonte. Z. Zaugg ishte plot ide. Mori leje nga unë që në revistën e Lidhjes së Arsimtarëve Zviceran (LCH, Dachverband Lehrerinnen und Lehrer Schweiz) të botonte një artikull, ku do të shpjegonte situatën e krijuar për arsimtarët e mësimit plotësues shqip, t’i jepte një kritikë regjimit serb dhe t’i sensibilizonte arsimtarët zviceran për një ndihmë financiare urgjente për të tre arsimtarët e Shkollës shqipe të mësimit plotësues në Zvicër, të cilët e kryenin punën e tyre më tutje dhe sakrifikoheshin pa pagesë. Kërkoi që t’ia dërgojë, mundësisht, edhe tri fotografi me familjet tona. Nuk vonoi dhe në numrin vijues te gazetës LCH, u botua një artikull me fotot përkatëse, për gjendjen e rëndë tonën dhe kërkesa që arsimtarët zviceranë të na dalin në ndihmë. Ishte befasi e këndshme kur u signalizua një solidarizim si dhe përkrahje morale e financiare nga kolegët zviceranë! Për pak ditë do të tubohej një shumë e konsiderueshme e mjeteve finansiare për arsimtarët e Shkollës shqipe të mësimit plotësues. Kjo mbështetje na bëri më të guximshëm, na dha kurajo që të vazhdojmë punën tonë në shkollat ku punonim. Me këtë vullnet, krijuam qelulat e para të Këshillave të prindërve të Shkollës shqipe të mësimit plotësues, e më vonë u themelua edhe Shoqata e prindërve, të cilët u zotuan të marrin përsipër finansimin e mësimdhënësve, vetëm e vetëm të mos ndalej mësimi plotësues shqip për fëmijët e tyre.

Më pas, z. Zaugg e caktoi në Zürich një takim me ne, tre arsimtarët, për të na i ndarë mjetet finansiare më se të nevojshme për familjet tona. Unë- Syrja Berisha, kolegu Shyqëri Pllana dhe kolegëja Drita Krasniqi e falenderuam z. Zaugg e përmes tij, në një shkrim pasues, edhe gjithë arsimtarët zviceranë për kontributin, kujdesin dhe solidarizimin e tyre.

Me këtë punë të bërë u arritën tri qëllime. Njëri ishte ndihma financiare për të përballuar krizën ekzistenciale të familjeve tona, e dyta përkrahja morale e mësimdhënësve zviceranë dhe e treta ishte protesta publike e Lidhjes së Arsimtarëve Zviceranë, dërguar Ambasadës Jugosllave në Bern me dhjeta nënshkrime, të vetë Kryetarit, z. Beat Zemp, të Sekretarit, z. Urs Schildknecht dhe të të gjithë Kryetarëve të Kryesive Kantonale.

Kjo ndihmë, ad hoc, për të tre arsimtarët e shkollës shqipe të mësimit plotësues e kreu detyrën dhe nevojën urgjente. Siç u cekë më lartë ishin prindërit e nxënësve, ata që do ta financonin më tej Shkollën Shqipe të Mësimit plotësues. Ndërsa, z. Zaugg dhe unë nuk u ndalëm me kaq. Më lindi ideja që aksionin ta vazhdonim më tutje, por tani për një dedikim tjetër, për mësimdhënësit në Kosovë, të cilët poashtu po kalonin nëpër një periudhë të rëndë.
Gjendja në Kosovë sapo vështirësohej dhe bëhej më e rëndë. Caktova përsëri një takim me z. Zaugg. E njohtova për gjendjen e rëndë të arsimit në Kosovë, për nxënës, studentë e mësimdhënës të dëbuar nga shkollat e fakultetet, të cilët me një vullnet të paparë përpiqeshin që mësimi të vazhdonte nëpër „shtëpi-shkolla“. Me vete kisha marrë edhe ca materiale nga gazetat në gjuhën shqipe që botoheshin atëbotë në Zvicër. Z. Zaugg ra dakord që aksioni të ridimensionohej, angazhimin e tij e futi në agjendën e vet. Menjëherë planifikoi shtypjen e fletëpagesave për t`iu dërguar arsimtarëve zviceranë bashkë me gazetën javore të Shoqatës të arsimtarëve të Kantonit Bern (BLV). Mu lut që materialet nga gazetat në gjuhën shqipe t’ia përktheja në gjuhën gjermane. Z. Zaugg e ofroi angazhimin e tij deri në fund.

Z. Zaugg e furnizoja vazhdimisht me materiale e fotografi për gjendjen e mjerueshme të arsimit në Kosovë, e dora dhe pena e tij nuk dinin të pushonin së shkruari. Kështu arsimtarët zviceranë, për çdo javë e kishin në dorë nga një artikull të ri me informata të reja, të shoqëruara me fotografi të nxënësve, e të „shkollave“ ku mësonin, të cilat, me kërkesën time mi pat dërguar, z. Rexhep Osmani, atëbotë kryetar i Lidhjes së Arsimtarëve Shqiptarë (LASH). Kështu mësimdhënësit zviceranë u sensibilizuan pa masë dhe në konton e hapur për pagesa të ndihmave, paguanin vullnetarisht kontributin e tyre. Z. Zaugg do të shkruante pa u lodhur, unë i kryeja punët tjera, më shumë teknike, zyrja e tij m’u bë edhe imja. Punët i kryenim me përkushtim dhe bashkëpunimi ynë bëhej dita ditës më i denjë. Dërgesa e parë nga fondi iu nda Komunës së Mitrovicës, ngase mësimdhënësit e kësaj komune ishin më të rrezikuar. Thoshte: „I dërgojmë aty ku e do më tepër nevoja. Është gjendje e jashtëzakonshme, kolegëve tanë në Kosovë ju duhen paratë për të mbijetuar“!

Pas vrasjes së mësuesit Rrecaj, paraqitjes publike të UÇK-së dhe masakrës ndaj familjes të Komandantit Adem Jashari, ndihmat finansiare iu dërgua menjëherë mësimdhënësve të shkollave të improvizara nëpër male, në Drenicë. Kështu me radhë, komunë pas komune, aty ku ishte mëse e nevojshme, dërgoheshin mjetet e nevojshme finansiare për mësimdhënësit.

Gjatë luftës, pas dëbimit me dhunë të popullit shqiptar nga Kosova, ndihmat iu dërguan mësimdhënësve të larguar nga Kosova edhe në Republikën e Maqedonisë, gjithnjë përmes kryetarit të LASH-it Rexhep Osmani, ndërsa në Republikën e Shqipërisë e angazhuam tim vëlla, Ing. Xhevdet Berisha, për t‘ju shpërndarë ndihmat mësimdhënësve të dëbuar nga Kosova. Shpërndarja bëhej me lista të nënshkruara nga secili marrës i ndihmave. Pas çdo dërgese të mjeteve financiare, këkohej lista që të verifikoheshin mjetet e ndara. Kjo ishte kërkesë e Shoqatës së arsimtarëve zviceranë dhe z. Zaugg, e cila u plotësua, për të dokumentuar gjithnjë rrjedhën e mjeteve me dedikim të caktuar.

Edhe nxënësit zviceranë në aksion “Emblema për ndihmë“ në temën „Shkolla dëfren“

Një arsimtari zviceran, z. G. Schmid, i kishte lindur ideja edhe për një formë tjetër për të ndihmuar. Njëkohësisht do të numërohej edhe si aktivitet dhe kreativitet për nxënësit dhe shkollat zvicerane. Do të shpallej konkursi nëpër shkolla për vizatimet më të mira për emblema, në temën „Shkolla dëfren“. Do të zgjedheshin motivet më të mira, në mënyrë që emblemat të prodhoheshin me shumicë për t‘i shitur, e paratë e grumbulluara të derdheshin në konton e ndihmave për mësimdhënësit në Kosovë. Këte ide e kishte pëkrahur edhe z. Zaugg. Më thirri për të më njohtuar dhe konsultuar se a do të mund t‘ia dilnim edhe kësaj pune? I thash se me knaqësi do ta kryeja pjesën time të punës që më priste.

Nga motivet e vizatimeve të nxënësve zviceranë, tetë prej tyre u zgjodhen ndër më të mirat. U prodhuan me mijëra copë emblema. Ua dërguam shkollave. Nxënësit, vetë ishin ata që për një kohë të shkurtër i shitën, e paratë nga shitja paguheshin në konton e ndihmave.

Totali i mjeteve financiare, do e kapte shumën prej 254.000.- franga zvicerane (SFr.). Shuma e mjeteve financiare, kryesisht iu dërgua dhe iu dorëzua z. R. Osmani, Kryetar i LASH-it të Kosovës. Një shumë prej SFr. 15.000.- , me leje të z.R. Osmani, iu dha z. Meriman Braha, me nënshkrim. Një shumë tjetër prej SFr. 25.000.-, me kërkesën e z. Muhamet Bicaj, atbotë, ministër i Republikës së Kosovës për Arsim e Kulturë në egzil, u pagua për Fondin e posa hapur në Gjermani, nga Këshilli organizativ për finansimin e shkollave në Republikën e Kosovës.

Pas çlirimit, përfitues të mjeteve të mbetura financiare ishte shkolla „Emin Duraku“ në Prishtinë (SFr. 16.000.-), shkolla fillore në Suharekë (SFr. 10.000.-) dhe Qerdhja e fëmijëve në Suharekë (SFr. 1.000.-).

Kështu, me një vetëmohim të pashoq të z. Werner Zaugg i erdhi fundi edhe kësaj kaptine shumë frytdhënëse, në grumbullimin e mjeteve financiare për mësimdhënësit e Kosovës.

Pos artikullit, për përfundimin e aksionit, në gazetën e BLV dhe LCH, të gjithë arsimtarëve zviceranë, që kishin kontribar, ua dërguam personalisht me postë edhe një fletë falenderimi.

Dy Konferenca - një Vendim dhe një Rezolutë

Është me shumë rëndësi të posaçme të përmendet edhe angazhimi i z.Zaugg që z. Rexhep Osmani të merrte pjesë, ad hoc, në dy Konferenca të rëndësishme.

Njëra ishte e nivelit Kantonal, Konferencë e të gjithë Kryetarëve të Kryesive rajonale të Kantonit Bern. Atij iu mundësua të mbante një fjalim për gjendjen në Kosovë, me vështrim të veçantë për gjendjen e rëndë në arsim. Mu në këtë Konferencë, Kryetarët e Kryesive rajonale morën vendim për t’i sensibilizuar kolegët e tyre që të paguajnë për arsimtarët në Kosovë nga 30 fr zvicerane.

Konferenca e dytë me karakter botëror do të mbahej, së shpejti, në Gjenevë.
Z. Zaugg na e organizoi, për një delegacion të LASH- it të Kosovës, një takim me z. Beat Zemp, Kryetar i Lidhjes së Arsimtarëve Zviceranë, me seli në Zürich, me qëllim që t’i mundësojnë z. R. Osmani, pjesëmarrjen në Konferencën Europiane të Konfederatës Botërore të Arsimit, (WGOTP/CMOPE), që do të mbahej në Gjenevë prej datës 19 deri më 22 tetor 1991. Pritja ishte shumë miqësore. Aty na e dhanë dritën e gjelbër për pjesëmarrje në atë Konferencë. Na udhëzuan që sa më shpejt të ishte e mundur të niseshim për në qytetin Morges, të njëjtën pasdite, ku do të na priste z. Georges Kux, për tu njohtuar me ne dhe për ta vu në rend dite, jashtë protokolit, edhe pjesëmarrjen dhe fjalimin (15 min.) e z. R. Osmani. Rruga Zürich - Morges kishte mëse 200 km. Arritëm me vonesë por z. Kux na kishte pritur edhe pas orarit të punës. Aty, përfundimisht u konfirmua pjesëmarrja në Konferencën e përmendur.

Pjesëmarrja dhe paraqitja me një fjalim në këtë Konferncë bëri bujë të madhe. Në të u formulua një Rezolutë kundër regjimit serb në Kosovë, me të cilën kritikohej dhe dënohej ashpër Qeveria e Millosheviqit. Për pjesëmarrësit në këtë Konferencë ky lloj regjimi i egër serb ishte krejtë i papranueshëm, ngase shkeleshin Konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, me theks të posaçëm në fushën e arsimit.

Njëherë tjetër, z. Zaugg më mori në telefon dhe më ftoi të shkonim bashkë në Gjenevë për tu takuar për një bisedë me z. Agim Hyseni, Kryetar i Sindikatës së pavarur të arsimit të Kosovës, dhe me z. Robert Harris, Sekretar gjeneral i Konfederatës Botërore të Arsimit, në Pallatin e Kombeve të Bashkuara, ku edhe aty u tematizua gjendja e arsimit në Kosovë.

Z. Zaugg në Kosovë
Pas luftës, dëshirë e madhe e z. Zaugg ishte, ta vizitonte Kosovën për të cilën kishte kontribuar shumë. Edhe këtë projekt e realizuam bashkë. Do të na priste, z. R. Osmani, tanimë Ministër për Arsim të Republikës së Kosovës. Vizituam shkollën fillore „Emin Duraku“ ne Prishtinë, shkollën fillore në Suharekë si dhe disa pika turistike : shpellën e Gadimës, Pejën dhe grykën e Rugovës. Ishte i kënaqur që Kosova tani frymonte e lirë.

Me z. Zaugg u bëmë shokë të mirë, por edhe miq shtëpije. Çdo herë, pos muhabeteve tjera, vazhdimisht interesohej për gjendjen aktuale dhe përparimet në Kosovë. Në verën e vitit 2011 iu dha rasti edhe një herë të vizitonte Kosovën, kësaj radhe jo për punë, por për të shijuar për herë të parë një dasëm shqiptare. Ai dhe bashkëshortja e tij ishin ftuar në dasmën e tim bir, nga e cila mësuan prej së afërmi për doket dhe zakonet shqiptare. U ndanë të kënaqur dhe të magjepsur.

Për punën e madhe vetëmohuese që e bëri z. Werner Zaugg, personaliteti i tij e meriton të kujtohet, të respektohet e të nderohet. Atij i hyri në zemër kombi shqiptar, një komb që nuk e kishte njohur më parë, të cilin me çdo kusht donte ta ndihmonte dhe e ndihmoi në mënyrën më të mirë të mundshme. E ndihmoi me një përkushtim të sinqertë e të pashoq, dha një kontribut të madh e të pashlyeshëm mu atëhrë kur duhej. Unë jam krenar dhe falenderues që pata fatin ta njohë dhe ta bëj mik këtë njeri bujar.

Për fat të keq, z. Zaugg nuk mundi ta gëzojë gjatë pensionimin e tij, ngase atë e kaploi një sëmundje e rëndë, të cilën me dinjitet e luftonte vazhdimisht. Duke mos u dorëzuar, ai gjithnjë thoshte „mirë jam“. Më dhimbsej dhe shpresoja në ndonjë mrekulli dhe në medicinën zvicerane, por më kot. Ai, në natën e 16 nëntorit 2015, do të ndërroi jetë.

Bashkë me bashkëshorten time dhe tim bir morëm pjesë në ceremoninë e varrimit të të ndjerit Werner Zaugg ku ia dhamë lamtumirën dhe nderimet e fundit. Pushoftë i qetë në jetën e amshueshme dhe Zoti e bekoftë!

Duke i përmendur të gjitha angazhimet e z. Zaugg, do të ishte mirë që Ministria e Arsimit të Republikës të Kosovës, të paktën post mortum, ta përkujtojë dhe t’i ndajë ndonjë mirënjohje, lavdatë apo shpërblim për kontributin e tij disa vjeçar për arsimin dhe popullin e Kosovës. Z. Zaugg e meriton të shpërblehet për veprimtarinë e shquar. Miqtë e tillë si z Zaugg, tashmë i ndjerë, nuk duhet harruar!

Angazhimi i z ministër për Arsim të Republikës së Kosovë, z. Arsim Bajrami, që të njohë në një mënyrë adekuate përkushtimin e z. Werner Zaugg, do të ishte i mirëpritur dhe do i bënte respekt e nder këtij burri që e deshi dhe e ndihmoi kombin tonë në ditët më të vështira.

Jur. Syrja Berisha
Arsimtar i Shkollës shqipe të mësimit plotësues në Zvicër 1986-2006

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat