Shtyhet seanca Nishani-Veliaj, regjistrimet e “Opinion”-it do të paraqiten në gjykatë

Shqipëria

Shtyhet seanca Nishani-Veliaj, regjistrimet e “Opinion”-it do të paraqiten në gjykatë

Më: 16 qershor 2016 Në ora: 19:33
Gjykata e Tiranës

Gjykata e Tiranës ka shtyrë seancën mes Presidentit të Republikës dhe kryetarit të Bashkisë së Tiranës. Shtyrja e seancës përgatitore është bërë me qëllim palës paditëse të marrë provën e kërkuar pranë televizionit “Klan”. Seanca e radhës do të jetë më 21 korrik 2016.

“Gjykata shtyn seancën përgatitore për të marrë pranë Televizionit Kombëtar Klan provën e kërkuar nga pala paditëse si dhe për të bërë prapësimet pala e paditur dhe seanca e ardhshme do të jetë në datë 21.07.2016 ora 10.30. Palët prezente morën dijeni. Tiranë, më 16.06.2016”, thuhet në njoftimin e Gjykatës së Tiranës.

Padia e Nishanit

Presidenti Nishani ka paditur pak javë më parë kryebashkiakun Veliaj, për deklaratat e këtij të fundit në emisionin “Opinion”, ku e akuzonte kreun e shtetit për vjedhje. Padia e Nishanit është regjistruar nën akuzën “shkaktim dëmi” dhe vlera simbolike e padisë është 100 lekë. Arjana Liço është gjyqtarja që gjykon çështjen.

Në padi theksohet detyrimi i kryebashkiakut për dëmshpërblimin dhe përgënjeshtrimin e deklaratave të bëra në emision. Kreu i Shtetit kërkon detyrimin e palës së paditur ta dëmshpërblejë për dëmin moral të pësuar prej cenimit të nderit dhe personalitetit, në vlerën 100 lekë. Gjithashtu, Nishani kërkon “detyrimin e palës së paditur të përgënjeshtrojë deklaratat e bëra, duke publikuar me shpenzimet e veta në emisionin ‘Opinion’ të TV Klan dhe mediat kombëtare vendimin e gjykatës”.

Në një dalje publike më 17 maj, presidenti i kërkoi Veliajt përgënjeshtrimin e akuzave, sipas të cilit Nishani ka vjedhur pronën e kishës katolike në Elbasan. Duke iu referuar këtyre akuzave, Nishani kërkoi që prokuroria të nisë hetimet për të vërtetuar dhe identifikuar “hajdutin”. Kreu i Shtetit premtoi se do të ndjekë edhe personalisht seancat e gjyqit. Nga ana e tij, Veliaj është shprehur se presidenti i Republikës po vepron në mbështetje të një pale politike.
 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat