Reforma në drejtësi, Rama: Opozitën e ka pushtuar mankthi i vetingut

Shqipëria

Reforma në drejtësi, Rama: Opozitën e ka pushtuar mankthi i vetingut

Më: 14 qershor 2016 Në ora: 18:08
Edi Rama

Kryeministri Edi Rama shprehet se votimi i draftit të reformës në drejtësi në Komisionin e Posaçëm është bërë në kohën e duhur. Rama ripërsëriti se maxhoranca nuk i ka pranuar dhe as do t’i pranojë vendet e rezervuara.

“Basha kërkoi dje të hedhë hi mbi deklaratat e mia. As i kemi pranuar dhe as i pranojmë vendet e rezervuara. Përshëndes punën e Komisionit të Posaçëm për Reformën në Drejtësi. Votimi është bërë në kohën e kronometruar”, tha Rama.

Duke u ndalur te vetingu, një nga pikat më të debatuara mes palëve, Rama tha se ajo mbetet e pakapërcyeshme. Rama theksoi se nuk do të votohet asgjë e ngjashme që nuk pastron sistemin e drejtësisë nga lidhjet me politikën.

“E përsëris se kjo frikë e madhe dhe plotësisht e kuptueshme nga vetingu (radiografia e atyre që kanë bërë krime në emër të drejtësisë dhe atyre që kanë përfituar nga lidhja me këta njerëz në sistemin e drejtësisë), nuk është problemi ynë”, tha ai.

Sipas Ramës, vetingu ndan në mënyrë përfundimtare politikën dhe ndikimin e saj te sistemi i drejtësisë.

"Ka dalë në pah problemi i problemeve. Ajo që ndan shapin nga sheqeri është kush do ta marrë çekiçin në dorë për t’i dhënë fund seancës, kush do t’i marrë përsipër hetimet për të hetuar këdo qoftë. Duhet të ndahen. Kush është gjykatës dhe prokuror që pranon ta mbajë këtë emër në një vend të BE-së. Vetingu është thelbi. Partitë nuk mund ta bëjnë këtë gjë. Nuk mundet kurrsesi të bëhet një ndarje e tipit “një merre ti, dy i marr unë”. Ku jemi këtu? Në ato universitetet që mbyllëm? Shqiptarët presin votimin. Një votim i bërë mbi bazën e këtij plepizimi nuk është reformë", tha ai.

Kreu i maxhorancës theksoi se reforma në drejtësi ishte kryefjala e takimit me ministrin e Jashtëm të Gjermanisë, i cili zhvilloi sot një vizitë zyrtare në Tiranë.

“Mesazhi i sotëm i ministrit të Gjermanisë ishte i qartë: Pa këtë reformë nuk ka negociata dhe kushedi kur përsëritet ky rast”, tha Rama.

Në lidhje me opinionet e Komisionit të Venecias dhe leximit që u bën atyre opozita, Rama tha se kjo nuk përbën argument bindës.

“Kjo këngë që ka nisur të këndohet në selinë blu kur jemi në metrat e fundit të reformës në drejtësi nuk ka gjasë të bindë asnjë zgjedhës të PD-së pse ne duhet ta dëgjojmë PD-në se të gjithë e lexuam gabim se çfarë thotë Venecia dhe vetëm te selia e tyre u lexuaka e vërteta e kulluar”, tha ai.

Rama tha se PD-ja e pengon reformën në drejtësi sepse nuk do të prishë lidhjet me prokurorët dhe gjyqtarët e korruptuar.

“Si ka mundësi që, PS-ja që udhëheq koalicionin dhe vetë koalicioni hiqkan dorë nga çdo mundësi për të kontrolluar vetingun (radiografimin etiko-profesional të gjyqtarëve që duan të punojnë në sistemin e ri), ndërsa PD-ja do patjetër duart e veta në këtë proces. Unë kam një përgjigje për këtë: PD-ja nuk është thjesht se i trembet reformës. Ajo nuk do ta prishë vëllazërinë me prokurorët dhe gjykatësit e korruptuar, të cilët i ka përdorur dhe i përdor për qëllimet e veta. I ka përdorur për t’u mbrojtur nga drejtësia dhe për këtë jemi të gjithë dëshmitarë, por edhe për të sulmuar kundërshtarët me maskën e drejtësisë. Dikush mund të thotë se duke folur troç, unë nuk e ndihmoj konsensusin. Nëse PD-ja e do reformën dhe nuk e ka problem ta prishë vëllazërinë, le ta votojë reformën dhe të mos fusë duart në procesin e radiografimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve”, tha ai.

A do t’i keni votat e LSI-së?

Unë do të çuditesha sikur kryetari i Parlamentit të fliste si unë dhe të bënte si unë. Ai bën gjënë që i takon të bëjë për detyrën që ka. Unë e di shumë mirë se çfarë kërkoni ju, por jo në këtë drejtim, se nuk nxirrni gjë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat