Maria Sharapova është suspenduar për dy vite pas akuzave për doping.
Tenistja ruse me famë botërore, Maria Sharapova, është shpallur fajtore nga Federata Ndërkombëtare e Tenisit pas testit mjekësor ku u zbulua se ajo kishte përdorur doping.
Sharapova dështoi në testin kundër drogës në Australian Open në muajin janar dhe pranoi se është përdoruese e substancës meldonium që një kohë të gjatë.
Federata Ndërkombëtare e Tenisit ka bërë të ditur se për shkak të pranimit të shpejtë të fajit nga Sharapova, suspendimi i saj do të llogaritet se ka filluar më 26 janar – dita kur ajo iu nënshtrua testit në turneun Australian Open.
Dënimi dy-vjeçar është më i vogël se sa dënimi maksimal katër-vjeçar, të cilin Sharapova ka mundur ta marrë në rast të përdorimit të një substance të ndaluar ndërkombëtarisht.