Shkodra feston ditën e luleve

Shqipëria

Shkodra feston ditën e luleve

Më: 6 maj 2016 Në ora: 20:34

Shkodra ka festuar dje “ditën e luleve”, e cila këtë vit ishte në përvjetorin e dhjetë te saj.

Ky vit jubilar përfshin aktivitete në dy ditë. Sheshi para Bashkisë së Shkodrës, shëtitorja “Kolë Idromeno”, ajo pranë urës së Bunës dhe kalaja e Rozafës kanë qenë sheshet e manifestimeve me në qendrën lulet si simbol i ripërtëritjes dhe mirësisë.

Nxënës të shkollave 9-vjeçare dhe të mesme kanë parakaluar me simbole lulesh, ekspozitë pikturash me këtë motiv por dhe lulesh të ndryshme, koncert me këngë për lulet ku Shkodra numëron rreth 150 këngë të tilla, e mjaft aktivitete të tjera janë zhvilluar e do të zhvillohen duke i dhënë qytetit një pamje ndryshe.

Pjesë e këtyre aktiviteteve ka qenë dhe panairi i punës, i cili kishte në fokus punime të bëra nga nxënësit e katër shkollave profesionale të veriut të vendit.

I pranishëm në panair ishte dhe ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi. Ai ka theksuar se të rinjtë mund të kenë një punë të sigurt vetëm nëpërmjet arsimit profesional dhe u bëri thirrje prindërve e nxënësve që të zgjedhin shkollimin profesional, pasi kërkesat e tregut janë drejt këtyre profesioneve jo vetëm në Shqipëri, por edhe në vendet e BE-së.

Mbështetje ndaj promovimit të shkollave profesionale si pjesë e politikave lokale shprehu edhe kryebashkiakja Voltana Ademi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat