Balla drejt padisë për Grida Dumën për mashtrim: Je e njohur si seksere, shite shtëpinë tënde 2 herë

Shqipëria

Balla drejt padisë për Grida Dumën për mashtrim: Je e njohur si seksere, shite shtëpinë tënde 2 herë

Më: 6 maj 2016 Në ora: 16:43

Në kundërpërgjigje të reagimeve të Partisë Demokratike nëpërmjet sekretares për marrëdhëniet me mediat, Grida Dumës, deputeti i Partisë socialiste, Taulant Balla ka paralajmëruar për këtë të fundit një kallëzim për mashtrim.

Në një koment të gjatë në profilin e tij, Balla sjellë në vëmendjen edhe akuzat e mëparshme ndaj Grida Dumës, për mashtrim në shitje të apartamenteve më shumë se dy herë.

Reagimi

Sot një person, subjekt i ligjit të dekriminalizimit, me emrin Grida Duma ka përmendur emrin tim dhe të kolegut tim Sadri Abazi.

Së pari, deklaroj me përgjegjësi se nuk kam bërë ndonjëherë ndërmjetësin, siç thotë në deklaratën e saj Grida Duma. Sigurisht për këtë çështje do t’i drejtohem drejtësisë kundër këtij mashtrimi. Është shumë fyese të të akuzojë për ndërmjetës dikush që është e njohur botërisht për seksere, e cila ka shitur shtëpinë e një doktori dy herë.

Së dyti, dua të informoj opinionin publik se ky person me inicialet G.D. është një person i hetuar për mashtrim personash për fakte të njohura botërisht.

Znj.Duma shiti të njëjtin apartament në dy njerëz të ndryshëm. Dhe e bëri këtë në të njëjtën ditë. Në maj 2014 znj.Duma, është paditur në gjykatë për mashtrim në cilësinë e aksionares së një kompanie ndërtuese. Fabula është e thjeshtë, Grida Duma ka qenë aksionare me 30 përqind në kompaninë “Kristian Construction” që prej vitit 2008 deri në vitin 2010. Kjo kompani në vitin 2008 kur Duma hyri aksionere nisi ndërtimin e një pallati në Tiranë. Në truallin ku do ndërtohej pallati, pronari i një pjese të truallit, shtetasi Albert Pali, një 85 vjeçar i moshuar, lidhi një marrëveshje me kompaninë ndërtuese. Marrëveshja i garantonte atij të drejtën për të përfituar disa apartamente në përfundim të ndërtimit të godinës. Por pas 6 vitesh shtetasi Albert Pali ka kallëzuar Dumën dhe ortakun e saj për mashtrim. Madje nga dokumentet që ka bërë publike avokati i Palit rezulton se në të njëjtën ditë që ndërtuesja Duma dhe ortaku i saj kanë nënshkruar me Palin, ata, në të njëjtën zyrë noteriale kanë nënshkruar edhe një kontratë me një porositës-klient nga Kruja, ku objekt i shitjes ka qenë një ndër apartamentet që i ishin premtuar Palit me kontratë.

E njëjta pronë është shitur dy herë, në dy kontrata të ndryshme, dhe në të dyja kontratat gjendet e sigluar dhe firma e Grida Dumës si njëra prej dy aksionerëve të kompanisë së ndërtimit që realizonte shitjen.

Në të gjithë këtë histori mashtrimi, bie në sy fakti se si një ‘vajzë’ ekzigjente si Grida, e ka gjetur veten të përfshirë në një mashtrim kaq të rëndomtë, i cili herët a vonë do të diktohej, pasi ishte thjesht çështje kohe. Të kishte arritur makutëria e Gridës në të atilla nivele sa të degradonte deri në lidhjen e të tilla kontratave të dyfishta dhe mashtruese? Apo Grida është viktimë e mirëbesimit ndaj ortakut të saj në biznes. Përse duhej të realizohej ky mashtrim, kur dihet shumë mirë se ishte thjesht çështje kohe zbulimi i tij?

Hetuesit e kësaj çështje e lidhnin këtë skemë mashtrimi, kryesisht me moshën e Albert Palit, pronarit të truallit. Ai ishte në një moshë mbi të 80-at, ndaj dhe dyshohet se hartuesit e skemës mashtruese mund të jenë nisur nga fakti se Palit nuk i kishte mbetur shumë kohë për të jetuar. E kishin gënjyer që në fillim dhe më pas e kishin sorollatur për 6 vjet me radhë me shpresën që mosha do bënte të vetën dhe nuk do arrinte ditën e zbardhjes së mashtrimit. Po ja që zoti Pali, një i moshuar këmbëngulës ka qëlluar jetëgjatë.

Po znj.Duma kur do dënohet?

“Roland Rexho dhe Grida Duma kanë mashtruar edhe persona të tjerë gjë që del qartë nga ekstrakti historik i regjistrit tregtar” – thotë padia e ngritur nga 85-vjeçari.

Mashtrimi është më shumë se thjesht moszbatim kontrate. Këto tre apartamente me nga dy dhoma dhe një kuzhinë me sipërfaqe totale 283 m2 rezultojnë të shitura po atë ditë kur Albert Pali ka bërë kontratën për këto apartamente në bazë të marrëveshjes. Dy apartamente, janë shitur 5 ditë më përpara, kontrata me Palin është bërë në 14.10. 2008, ndërkohë që 2 apartamentet që sipas kontratës “do t’i jepeshin” Palit, ishin shitur që në datën 9.10. 2008 dhe tjetri në 14.10. 2008, ditën kur pronari i truallit dhe ndërtuesit kanë nënshkruar këtë kontratë përpara noteres. Disponoj të tria kontratat e sipërmarrjes, të cilat provojnë shitjen e këtyre apartamenteve atë ditë, dhe 5 ditë më përpara.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat